|
"Nuk ka ndarje të Kosovës" | |||||||||||||||||||||||
Kreu i administratës ndërkombëtare në Kosovë, Joachim Ruecker ka theksuar se bashkësia ndërkombëtare nuk do të lejojë asnjë lëvizje që çon drejt ndarjes së Kosovës. Zoti Ruecker i ka thënë BBC-së se misioni i ri civil e ushtarak ndërkombëtar, së bashku me udhëheqjen kosovare do të sigurojnë që plani Ahtisaari, i pranuar me Rezolutë, të zbatohet në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun e saj. Sipas tij qytetarët e kanë kuptuar drejt procesin që po zhvillohet në Nju- Jork dhe ata do të kenë durim deri në miratimin e Rezolutës së re. Ruecker ka kundërshtuar planin B për Kosovën, që parashikon shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës në Kuvendin e saj. Takimi i G-8 Ministrat e jashtëm nga vendet e G8 duket se nuk kanë bërë shumë progres në ngushtimin e hendekut në pikëpamjet mbi Kosovën. Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, vazhdoi me qëndrimin e Moskës se e ardhmja e Kosovës duhet të zgjidhet me bisedime direkte midis Beogradit dhe Prishtinës dhe jo me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB. Fuqitë perëndimore të drejtuara nga Sekretarja Amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, vazhduan me këmbënguljen e tyre se plani i OKB që rekomandon pavarësi me mbikqyrje ndërkombëtare për Kosovën është rruga përpara. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||