|
Përpjekje për të kontrolluar gripin e shpendëve | |||||||||||||||||||||||
Autoritetet në Rumani kanë konfirmuar se gripi i shpendëve është gjetur tani në një rajon të tretë në Deltën e Danubit. Nuk dihet ende nëse rastet më të fundit janë shkaktuar nga virusi me mundësi vdekjeprurëse H5N1, por mostrat e zogjve të infektuar janë dërguar në Britani për analiza. Autoritetet vazhdojnë përpjekjet për të identifikuar e izoluar fshatrat e prekura nga gripi i shpendëve. Ata janë përqëndruar së pari në rajonin e deltës së Danubit, por ka edhe një zonë tampon në shtetet fqinje. Në rajonin më të madh moçalor të Evropës jetojnë vetëm 12-13 mijë njerëz. Por gati të gjithë ata kanë shpendë shtëpiakë - pula, rosa e pata. Ata po përballen me masa gjithnjë e më të ashpra sanitare në përpjekje për të ndaluar epideminë e gripit të shpendëve. Policia dhe rojat kufitare patrullojnë kanalet kryesore me motoskafë. Tragetet nuk ndalojnë më në fshatrat që janë në karentinë. Njerëzve po u kërkohet që t'i mbajnë shpendët shtëpiakë të mbyllur në oborret e tyre. Vaksinimi i njerëzve po vazhdon me ritme të shpejta. Problem është madhësia e territorit dhe numri i madh i pakontrollueshëm i shpendëve migrues që kanë filluar të mbërrijnë. Në kohë si këto, të gjithë shpendët e ngordhur trajtohen si raste të dyshuara me gripin e shpendëve deri sa të provohet ndryshe. Përhapet virusi Edhe autoritetet greke kanë njoftuar se do të bëjnë teste për praninë e virusit H5N1 pasi kanë gjetur raste me gripin e shpendëvbe në një fermë në një ishull të Egjeut. Autoritetet në Kroaci kanë filluar të bëjnë teste nëse kanë gripin e shpendëve zogjtë që u gjendën të ngordhur ditë e fundit. Në Kroaci nuk janë gjetur raste me virus dhe një zyrtar i ministrisë së Shëndetësisë tha se provat ishin për t'iu siguruar. Komisioni Evropian ka thënë se disa shpendë të egër të ngordhur në Kroaci duhen analizuar menjëherë për të parë nëse kanë gripin e shpendëve. Komisioni i bëri thirrje të gjtha vendeve të BE-së të kenë gati medikamente anti-gripit në përgatitje për një epidemi të mundshme botërore. OBSH-ja e shqetësuar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmërua se frika për përhapjen e gripit të shpendëve në Evropë mund të largojë financimet nga Azia juglindore. Ajo thotë se Azia është origjina më e mundur për ndonjë epidemi të mundshme botërore të formës së gripit që transmetohet tek njerëzit. Një zëdhënës i OBSH-së në Filipine, Peter Cordingly, tha se vendet evropiane po shqetësoheshin gjithnjë e më shumë për gripin e shpendëve dhe mund të përqëndrohen më shumë në rritjen e gatishmërisë së tyre sesa të shohin nga origjina e virusit. "Në Evropë ka shumë avantazhe që ne nuk i kemi në Azi dhe ne ende besojmë se, nëse do të ketë një epidemi botërore, ajo do të fillojë në një fshat në këtë pjesë të botës," tha zoti Cordingly. "Ndoshta (gripi) nuk do të fillojë në Rumani, ku kryesisht virusi ka kaluar nga shpendët e egër në ata shtëpiakë, por nuk ka hedhur rrënjë në shpendët e vendit, ndërsa këtu ka një kontakt të madh midis njerëzve dhe shpendëve të infektuar," tha ai. Virusi H5N1 i gjetur në Rumani e Turqi është lidhur me vdekjen e mëse 60 personave në Azi. |
| |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||