|
Evropa përballet me gripin e shpendëve | |||||||||||||||||||||||
Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë rënë dakord për masa të reja në përpjekje për të parandaluar përhapjen e gripit të shpendëve në vendet anëtare të BE-së. Ata kanë vendosur standarde të reja që do të ndiqen nga qeveritë për të përcaktuar rajonet e rrezikut të lartë, si vendet ku mblidhen zogjtë migrues apo fermat ku shpendët mbahen në vende të hapura. Është kërkuar që sa më shpejt që është e mundur të merren masa për të garantuar që shpendët e egër dhe ata shtëpiakë të mbahen të veçuar. Megjithatë, zyrtarët thanë se ka pak mundësi që publiku i përgjithshëm në BE të jetë i ekspozuar para gripit të shpendëve krahasur me Azinë. Masat më të fundit pasojnë konfirmimin se virusi i gripit të shpendëve i gjetur në Turqi ishte i llojit që çoi në vdekjen e mëse 60 personave në Azi. Ndërkohë ekspertët presin këtë fund javë të mësojnë rezultatet e një rasti të dyshuar me grip shpendësh në Rumani, nëse ai është i të njëjtit lloj me atë të turqisë, virusi H5N1. Rezultatet pritet të merren vesh ditën e hënë.
Në Turqi, zartarët po përpiqen të sigurohen që kanë vënë nën kontroll epideminë e gripit të shpendëve në veriperëndim të vendit. Shërbimi rajonal veterinar do të disinfektojë përsëri fshatin Kiziksa. Zyrtarët do të kërkojnë gjithashtu për ndonjë shpend shtëpiak që mund t'i ketë shpëtuar eleminimit. Të veshur me veshje mbrojtëse, ata kanë vrarë mijëra shpendë, por sa herë që mendojnë se kanë mbaruar punë ata gjejnë pula të tjera. Pasi të jenë eliminuar të gjithë shpendët atëhere ata do të presin me shpresën se asnjë nga 17 fshatrat përreth liqenit Manyas të ketë probleme të ngjashme. Duket se virusi vdekjeprurës H5N1 i gripit të shpendëve është sjellë nga zogj që fluturojnë nga Rusia në Afrikë dhe sezoni i migrimit duhet edhe disa javë që të përfundojë. Ministria e Bujqësisë tha se gjendja ishte nën kontroll dhe se autoritetet ishin në gatishmëri për dyshimin më të vogël për ndonjë epidemi tjetër. Ministria e Mjedisit ka shpallur një ndalim kombëtar të gjuetisë të të gjitha shpendëve deri në një lajmërim të ri, për shkak të frikës se shpendët migrues mund ta kenë bartur virusin nga Rusia dhe Azia lindore. Si në Turqi ashtu edhe në Rumani shpendët e infektuar ishin pranë vendeve që vizitohen nga shpendë migrues. Turqia dhe Rumania janë në të njëjtën rrugë migrimi që marrin disa shpendë në fluturimin e tyre të gjatë drejt klimave më të ngrohta - në jug të Evropës dhe Afrikë - për t'i shpëtuar dimrit të hemisferës veriore. Panik në rajon Në kryeqytetet turke dhe rumune disa farmacistë thonë se u kanë mbaruar medikamentet kundër gripit për shkak të kërkesës së madhe. Në Turqi autoritetet i kanë bërë thirrje publikut të ruajë qetësinë ndërsa ata vazhdojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll shpërthimin e gripit të shpendëve në veriperëndim.
Media kishte në qendër të njoftimeve kryeministrin, Tayyip Erdogan, dhe zyrtarë të tjerë duke prishur agjerimin e Ramazanit për të ngrënë publikisht drekë me salladë me mish pule. Në Greqi, farmacistët njoftojnë për panik në blerjen e vaksinave kundër gripit nga njerëz që kanë frikë se mund të infektohen nga gripi i shpendëve, që është gjetur në rajonin aty pranë, Turqi dhe Rumani. Qeveria greke është përpjekur të shmangë frikën duke e minimizuar kërcënimin e mundshëm. Megjithatë, njerëzit po dynden nëpër farmaci duke kërkuar antidota për gripin e shpendëve, megjithëse një medikament i tillë nuk ekziston dhe shkencëtarët besojnë se vaksinat e rregullta kundër gripit ka pak mundësi të të mbrojnë nga lloji avian, lloj i transformuar nga gripi i shpendëve. Dyndja ka krijuar panik se do të ketë mungesë vaksinash standarde kundër gripit që nevojiten këtë dimër nga pjesa më e rrezikuar, si fëmijët e vegjël, pleqtë dhe njerëzit me sisteme të dobët imuniteti dhe gjendje kronike respiratore. Qeveria greke thotë se Organiaza Kombëtare Farmaceutike ka kërkuar sasi të mëdha medikamenti anti-grip që mund të duhet nëse shpërthen një epidemi e gripit avian. Gjuetarëve përgjatë kufirit me Turqinë u është kërkuar t'ua dorëzojnë ato që vrasin autoriteteve për të parë nëse gripi i shpendëve ka kaluar nga shpendët shtëpiakë në zogjtë migrues. Shoqata Ornitologjike Greke thotë se ka shumë pak mundësi të ndodhë kjo dhe ka paralajmëruar për panik të kotë. Si mund të përballohet epidemia? Ekspertë veterinarë evropianë po diskutojnë se si të vënë nën kontroll një epidemi të mundshme gripi të shpendëve në rajon. Vëmendja është kthyer gjithashtu se a mund ta përballojë rajoni mundësinë që virusi të transformohet në varientin që prek njerëzit dhe të përhapet. Por si mund të mjekohet një epidemi të mundshme? Deri tani gripi i shpendëve në Evropë është i kufizuar tek kafshët. Por përhapja e kësaj epidemie në kontinent ka mobilizuar autoritetet që të shtojnë planet e gatishmërisë për mundësinë e përhapjes së infesionit tek njerëzit. Ky skenar nuk përbën një kërcënim imediat, por mund të ndodhë, nëse virusi transformohet dhe mundet të kalojë tek njerëzit. John Oxford, profesor i virologjisë në Kolegjin e Mjekësisë Queen Mary në Londër, paralajmëron se, nëse kalon tek njerëzit, që është një mundësi jo e vogël, vdekshmëria tek njerëzit mund të jetë relativisht e madhe, por jo më shumë se një përqind. Një formë shumë më pak e rrezikshme e virusit mund të shkaktojë vdekjen e dhjetra, nëse jo qindra mijë vetëve, kështu që OBSH-ja po u kërkon vendeve të jenë të përgatitura për një epidemi botërore. Agjencia po grumbullon tre milion kura të medikamentit anti-viral Tamiflu për t'i dërguar në vende që nuk mund të përballojnë vetë blerjen e medikamentit. Medikamenti vepron duke goditur virusit e gripit dhe ndalon përhapjen e tij në trup. Megjithëse është efikas, sasitë janë të kufizuara dhe qeveritë do të duhet të vendosin se kush do t'i merrte fillimisht. Ka shumë mmundësi që të parët ta marrin punonjësit mjekësorë, dhe pjesa tjetër do t'i jepet asaj pjese të popullsisë që mendohet se është më në rrezik. |
| |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||