BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E martë, 11 tetor 2005 - 11:31 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Masa kundër gripit të shpendëve
Artikuj që kanë lidhje me shpendët
Është ndaluar importi i shpendëve nga Turqia dhe Rumania
Pas njoftimeve se raste të virusit të gripit të shpendëve janë gjetur në Rumani dhe Turqi, Shqipëria ka ndaluar importin e shpendëve nga këto dy vende.

Një masë të ngjashme vetëm për Turqinë e ka marrë edhe Bashkimi Evropian.

Kjo masë merret për të parandaluar përhapjen e mundshme të gripit të shpendëve.

Autoritet thonë se deri më tani në Shqipëri nuk ka njoftime se ky virus ka prekur shpendët.

Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana, i tha BBC-së se në Shqipëri nuk është evidentuar ndonjë rast i kësaj sëmundjeje.

Ai tha se po merren të gjitha masat për të parandaluar këtë virus që mund të jetë me pasoja edhe për njerëzit.

"Megjithëse e kemi situatën nën kontroll, janë marrë të gjitha masat që nëse kemi raste shfaqjesh, të kemi mundësi t'i eliminojmë. Eliminimi kryesor është ai fizik, por ne kemi marrë dhe masa të tjera parandaluese", tha zoti Gjana.

Ndërkohë ish-Ministri i Bujqësisë, Agron Duka, thotë se masa duhen marrë edhe nga autoritetet vendore për bizneset më të vogla.

"Unë besoj se ekonomia formale kontrollohet lehtë, kurse ekonomia informale, pulat në fshat duhen kontrolluar nga veterinerët që komandohen nga organet e pushtetit vendor. Kjo është një gjë e vështirë por ato mund të kontrollohen", tha ish-ministri Duka.

Tani në Shqipëri lejohen që të hyjnë shpendë dhe produktet e tyre vetëm nga vendet që kanë përcaktuar zyrtarët evropianë.

Më herët autoritetet shqiptare kishin ndaluar importin e shpendëve nga vendet aziatike, ku u përhap për herë të parë virusi i gripit të shpendëve.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>