BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 01 dhjetor 2010 - 16:37 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Ekstreme: Vendi më i ftohtë/më i nxehtë
Botë Ekstreme - vendi më i ftohtë dhe më i ngrohtë
Botë Ekstreme - vendi më i ftohtë dhe më i ngrohtë
Japonezët jetojnë më gjatë se të gjithë, me jetëgjatësi mesatare 83 vjeç, gati sa dyfishi i jetëgjatësisë në Zimbabve apo Afganistan, që shkon deri në 42 vjeç.

Këto ndryshime tregojnë se ne jetojmë në një Botë Ekstreme, të ndarë nga ndryshimet.

BBC i hedh një vështrim ekstremeve në botë, dhe fillon duke i vizituar vendet më të ftohta dhe më të nxehta në planet - Siberinë në Rusi dhe liqenin Assal në Xhibuti, Afrika lindore.

Ekstremi më i ftohtë

Adam Mynott i BBC-së vizitoi rajonin Oymyakon në Siberinë lindore ruse ku temperaturat dimorërore shkojnë deri në minus 50 gradë Celcius.

Barometri shënon minus 48 gradë Celcius në Yakutia, Siberi
Në Yakutia të Siberisë i kanë ngritur monument temperaturave të ulta.

Ai e fillon udhëtimin e tij në qytezën Ust' Nera. Në orën 7:30 të mëngjesit temperatura është minus 45 gradë celcius dhe 4-vjeçarja Maria po mbështillet nga nëna e saj me një pellush të trashë e të ngrohtë, kokore dhe shall para se të marrë autobusin për të shkuar në një kurs kërcimi.

Nëna e Marias, Marina Yadreeva, ka jetuar në Ust' Nera gjithë jetën e saj dhe i ftohti nuk e frikëson.

"Unë kam lindur këtu dhe i ftohti nuk më shqetëson," tregon Marina.

"Është ndryshe nga pjesë të tjera të Rusisë ku mund të veshësh vetëm një xhaketë. Këtu të duhet kohë për t'u veshur. Në dimër vishesh shumë dhe ha shumë më tepër."

I ftohti është therrës. I ftohti prek çdo pjesë të jetës. Asnjë nuk del jashtë nëse nuk është absolutisht e domosdoshme, sepse të dalësh është një luftë e vërtetë.

Evgeny Radanich është pronar i një garazhi.

"Kujtoj njëherë kur temperatura shkoi minus 68 gradë Celcius dhe m'u desh ta fus karburantin me lopatë në rezervuar," tregon Evgeny.

"Ky vend nuk është për njerëz me zemër të dobët, duhet të jesh i ashpër, ashtu duhet të jetë edhe makina juaj," thotë ai.

Por pse jetojnë njerëzit këtu?

Në Siberi kur votka ngrin do të thotë se temperatura është nën minus 40 gradë.
Në Siberi kur votka ngrin do të thotë se temperatura është nën minus 40 gradë.

Deri në vitet 1930 këtu jetonin vetëm çobanë kapronjsh. Pastaj gjetën ar. Pa arin, ky kënd i ngrirë i planetit do të ishte lënë nën mëshirë e elementeve atmosferikë.

Ajo që e ka bindur Andrei Dubovin që të durojë të ftohtin e hidhur dhe të punojë në minierën e arit Badran, është paga e mirë.

"Në fakt është më mirë të jesh këtu në të ftohtë sesa diku ku ka lagështirë dhe erëra," thotë Andrei.

"Problem këtu është metali se thyhet kur shkon minus 50 gradë, për njeriun është thjesht çështje që t'ë mësohesh."

Por minierat e Siberisë kanë një histori të errët

Në apartamentin e tij në Yakutsk, kryeqendra rajonale, Mikhail Ivanov, është një prej atyre që kanë mbetur gjallë nga e shkuara e tmerrshme.

Akademiku Mikhail Ivanov mërziti regjimin sovjetik në vitet 1950 kur lavdëroi një shkrimtar lokal që e kishin akuzuar si radikal nacionalist.

Aq u desh që ta dënonin me punë të rëndë në gulagët e Stalinit. Mijëra vetë vdiqën në kushte të tmerrshme.

"Kisha vetëm një lopatë dhe karrocë," tregon Mikhaili. "Duhej të lëvizje 25 karroca me dhe në ditë. Nëse bëje më pak të pakësonin racionin përgjysmë, dhe na jepnin vetëm kaçamak. Sot e kësaj dite e urrej kaçamakun".

Ekstremi më i nxehtë

Në kontrast me Siberinë, liqeni Assal në Xhibuti, Afrika lindore, është vendi më i nxehtë në botë me temperatura që shkojnë deri në 55 gradë celcius - pra për të mbijetuar të duhet shumë ujë.

Por liqeni Assal është i kripur. Si jetojnë njerëzit atje?

Pascale Harter e BBC-së shkoi në Liqenin Assal dhe bisedon me banorët lokalë.

Mohamedi udhëton 15 ditë nëpër shkretëtirën djegëse
Mohamedi udhëton 15 ditë me deve për të shitur kripë në Etiopinë fqinje.

Në brigjet e liqenit Assal dielli të përvëlon, dhe imagjinoni se tani atje është dimër.

Në verë temperaturat e ujrave të liqenit shkojnë deri në 35 gradë Celcius.

Ali Hamid nxjerr kripë nga liqeni ashtu siç kanë bërë edhe paraardhësit e tij.

Kur je kaq afër ujit në mes të të nxehtit të vjen të hidhesh në ujë. Por nuk mundesh ta bësh këtë, thotë Hamid.

"Edhe pse ka ujë rreth nesh, nuk mund ta pish, madje as nuk mund të notosh. Na e bën trupin me kripë dhe të kruhet," thotë Hamid.

Por ku e marrin ujin?

"Uji vjen nga larg, 51 km larg nga këtu," tregon Aliu.

"Shteti e sjell çdo shtatë ditë, por nëse çisterna vonohet, dita e tetë është e padurueshme, të garantoj," thotë ai.

Aliu me gruan dhe teë fëmijët e tij marrin tre fuçi me ujë sa herë që furnizohen.

"Është vetëm një ditë pas furnizimit dhe një fuçi është bosh," tregon Pascale harter e BBC-së.

Edhe ushqimi është problem të sigurohet. Banorët lokalë në liqenin Assal I sigurojnë paratë për ushqime kryesisht nga tregëtia e kripës.

Kërkesa për kripë ka rënë dhe çmimi ka rënë ndjeshëm.

Mohamed Ahmed e çon kripën në Etiopinë fqinje në mes të diellit shkrumbues. Ai udhëton 15 ditë me deve.

Na shkruani për përvojat tuaja për vendin më të ftohtë apo më të nxehtë që keni vizituar.

Emri
Mbiemri*
Qyteti
Vendi
Email
Telefoni*
* Sipas dëshirës
Opinioni i juaj
BBCAlbanian.com mund të redaktojë komentet tuaja dhe nuk garanton se do të botohen të gjithë e-mailët.
LOKALE
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>