BBCAlbanian.comNews image
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Pajaziti: KFOR ruan kufirin
Trupa të KFOR-it
Dy pika kufitare në veri të Kosovës u shkatërruan të martën.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovë, Zenun Pajaziti, thotë se kufinjtë e Kosovës janë të sigurtë dhe ato po ruhen nga policia dhe trupat paqëruajtëse të NATO-s.

Kjo deklaratë e ministrit Pajaziti, dhënë BBC-së, pason sulmin e protestuesve serbë ndaj tri pikave kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që u bënë këtë javë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj ndërkombëtare nga disa shtete.

Dy pika kufitare në veri të Kosovës u shkatërruan të martën, kur turma e serbëve i vuri flakën atyre, duke detyruar policinë dhe shërbimin doganor të tërhiqet, ndërsa të enjten disa qindra serbë depërtuan nga Serbia në zonën neutrale të kufurit me Kosovën me Merdarë dhe sulmuan me gurë policinë kosovare.

Violeta Hyseni bisedoi me Ministrin e Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, dhe fillimisht i kërkoi një reagim për incidentin e djeshëm në Merdarë.

Zenun Pajaziti: Jemi të vetëdijshëm se ka frustrime nga ana e një pjese të popullatës të pakënaqur me vendimin tonë me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Po ashtu ka frustrime edhe të njerëzve që janë manipuluar nga dikush.

Sido që të jetë, Shërbimi Policor i Kosovës, policia e UNMIK-ut dhe KFOR-i kanë qenë të angazhuar maksimalisht që të jenë tërë kohën në menaxhimin e kësaj situate dhe kjo është tejkaluar dhe besoj që gjithçka do të jetë në rregull në atë pikë.

BBC: Gjatë kësaj jave dy pika kufitare u dogjën, ndërsa patëm edhe incidentin e fundit në Merdarë. Sa të sigurta, sa të mbrojtura janë kufinjtë e Kosovës?

Zenun Pajaziti: Kufinjtë e Kosovës, janë të sigurtë, territori i Kosovës është i sigurtë. Forcat e sigurisë në Kosovë, KFOR-i, policia e UNMIK-ut, policia jonë, janë të organizuara mirë për të mbrojtur territorin e Kosovës.

Me rastin e akteve të tilla vandaliste që janë zhvilluar në dy pikat kufitare me Serbinë, kemi të bëjmë me një aktivitet, i cilin është zhvilluar duke përfshirë një numër të madh të popullatës, grave, fëmijëve, me ç'rast intervenimi ynë ka qenë më shumë i kushtëzuar për ta mbrojtur shëndetin dhe jetën e secilit qytetar, se sa për të mbrojtur nga djegja dy objektet, të cilat unë besoj që së shpejti do t'i rindërtojmë, do t'i kemi të gatshme.

Situata momentale është nën presion të një pakënaqësie të një pjese të qytetarëve, kemi një pjesë po ashtu të frustruar të qytetarëve nga zhvillimet e fundit.

Ne shpresojmë që sa më shpejt gjithçka do të jetë e normalizuar.

BBC: Zoti ministër, Shërbimi Policor i Kosovës dhe policia e UNMIK-ut u detyruan në tërhiqen nga dy pikat kufitare në veri dhe të ndërhynte NATO.

Kush do t'i mbrojë kufinjtë e Kosovës, NATO apo policia kosovare?

Zenun Pajaziti: Ne jemi të interesuar ta kuptojmë situatën e këtyre ditëve sa më mirë.

Ne e kemi pasur parasysh që duhet të kujdesemi në këtë situatë të frustrimeve të mos shkaktojmë ndonjë telashe më të madhe sidomos të ruajmë jetën e qytetarëve pa dallim, por edhe të shërbyesve tanë, të pjesëtarëve të policisë, prandaj janë marrë masat, KFOR-i është në kufi prapë, policia e ka hapur prapë kufirin për ta zhvilluar kalimin normalisht.

Në ditët në vijim ne do të shohim t'i normalizojmë edhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me pjesëmarrjen e policisë në tërësi si dhe me pjesëmarrjen në kufi të Shërbimit Doganor.

BBC: Zoti ministër ka patur njoftime se disa pjesëtarë serbë të Shërbimit Policor të Kosovës nuk janë paraqitur në vendet e tyre të punës prej ditës së shpalljes së pavarësisë?

Zenun Pajaziti: Pjesëtarët serbë të Shërbimit Policor të Kosovës në pjesën veriore janë ende atje, ata kanë preferuar që më tutje urdhërat t'i marrin vetëm nga UNMIK-u.

Ne shpresojmë që ata e bëjnë këtë nga situata të presionit dhe kërcënimeve që janë shume serioze jo vetëm për ta, por për të gjithë ata që janë lojalë ndaj institucioneve të Kosovës dhe këto kërcënime vijnë nga grupe të ndryshme që veç ekzistojnë atje.

Jemi të informuar, jemi të vetëdijshëm për të gjitha këto, mendoj që ata (serbët) së shpejti nga kalimi I kësaj periudhe tranzitore dhe euforie, do ta kuptojnë se është shumë keq që të bëjnë veprime që mund të çojnë në situata të palakmueshme.

BBC: A ka pjesëtarë të Shërbimit Policor të Kosovës që ka vendosur ta braktisë këtë institucion prej kur Kosova ka shpallur pavarësinë?

Zenun Pajaziti: Zyrtarisht ne nuk kemi informacione të tilla.

LOKALE
Shpërthim në Mitrovicë
22 shkurt 2008 | Rajoni
Shpërthim i dytë në Mitrovicë
19 shkurt 2008 | Rajoni
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>