BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E premte, 15 shkurt 2008 - 09:03 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Thaçi: "Dinjitet dhe respekt në festime"

Kuvendi i Kosovës (arkiv)
Në mbledhjen e Kuvendit pritet të miratohet buxheti i konsoliduar.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar që dita e pavarësisë së Kosovës të kalojë e qetë në gjithë vendin dhe të festohet pa ofenduar dhe provokuar askënd.

Kreu i qeverisë u ka shpërndarë kryetarëve të komunave të Kosovës udhëzime për festimin e ditës së pavarësisë.

Ai ka kërkuar kujdes të shtuar në veçanti në komunat ju jetojnë komunitetet pakicë.

Kryeministri Thaçi tha se kremtja për ditën e pavarësisë së Kosovës duhet të jetë dinjitoze.

Ai bëri thirrje që në festimin e pavarësisë të mos përdoren fishekzjarre, armë zjarri e mjete tjera shpërthyese.

Kuvendi mblidhet për buxhetin

Një anëtar i kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti i ka thënë BBC-së se shpallja e pavarësisë do të bëhet në një seancë tjetër të Parlamentit, por ai nuk ka qenë në gjendje të konfirmojë nëse kjo do të ndodhë të dielën.

"Në një seancë tjetër më të shpejtë që mund të mbahet në Kuvendin e Kosovës do të shpallet pavarësia", tha zoti Haliti.

Në mbledhjen e Kuvendit, ligjvënësit kosovarë pritet të miratojnë buxhetin e konsoliduar të Kosovës për vitin 2008 që kap shumën prej më shumë se 1 miliardë euro.

 Para se të shpallet pavarësia, nuk do të duhej të ishim pa buxhet si Kosovë.
Xhavit Haliti, anëtar i Kryesisë së Kuvendit

Anëtari i Kryesisë së Kuvendit, Xhavit Haliti, thotë se pavarësia e Kosovës nuk duhet ta gjejë vendin pa miratuar ligjin për buxhetin.

"Sot do të votojmë si Parlament që ta procedojmë me procedurë të shpejtë buxhetin e Kosovës, për shkak se jemi vonuar dhe para se të shpallet pavarësia, nuk do të duhej të ishim pa buxhet si Kosovë, pa e miratuar ligjin për buxhetin", është shprehur zoti Haliti.

Kuvendi i Kosovës pritet të formojë edhe një komision ad-hoc, i cili do të shqyrtojë në procedurë të shpejtë ligjet nga pakoja e Ahtisaarit, që janë të domosdoshme për funksionimin e Kosovës si shtet i pavarur.

Megjithëse ende nuk dihet me saktësi data e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, udhëheqësit kosovarë thonë se gjithçka është gati për marrjen e vendimit dhe festimet.

Burime të ndryshme i kanë thënë BBC-së se shpallja e pavarësisë pritet të bëhet në Parlamentin e Kosovës të dielën ose eventualisht të hënën, por këto data mbeten të pakonfirmuara.

LOKALE
Udhëheqësit serbë për Kosovën
12 shkurt 2008 | Rajoni
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>