BBCAlbanian.comNews image
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Bisedime të gjata në Athinë për daljen nga kriza
Greqia
Ekonomia greke do të paralizohet pa ndihmën prej 40 miliard dollarësh
Në Athinë po zhvillohen bisedime për zbatimin e një pakete shpëtimi për ekonominë greke.

Bisedimet që pritet të zgjasin të paktën dhjetë ditë, po zhvillohen ndërmjet zyrtarëve të FMN-së, BE-së dhe ministrit grek të Financave, George Papaconstantinou.

Në Athinë, ka mbërritur një ekip i madh ekspertësh, rreth 20 vetë, nga Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Qëllimi i bisedimeve është përcaktimi i hollësive të një kredie me vlerë miliarda dollarë për të ndihmuar Greqinë që të përballojë koston në rritje të borxhit të saj.

Analistët thonë se FMN-ja mund të vendosë masa shtrënguese shtesë, plus rritjes së taksave dhe uljes së pagave që janë njoftuar nga qeveria greke.

Korrespondenti i BBC-së në Greqi, Malcom Brabant, thotë se e mërkura ishte një ditë e zezë për Athinën.

Tregjet i kanë dhënë nje grusht Athinës si asnjëherë më parë.

Interesat bankare për bonot dhjetëvjeçare greke arritën shifra të larta rekord.

Në shkëmbimet e pasdites, interesi i kërkuar nga Greqia shkoi në 5.2 për qind pikë më shumë sesa ai që paguhet nga Gjermania, e cila konsiderohet se ekonomia më e qëndrueshme.

Kostoja e huamarrjes me interesa të tilla ndëshkuese as që nuk shtrohet për diskutim për Athinën.

Qëndrimi i Athinës

Guvernatori i Bankës së Greqisë shprehu shpresën që një masë e kombinuar e FMN-së, Bankës Qendrore Evropiane dhe Komisionit Evropian do të rivendoste besimin në Athinë.

Sipas disa analistëve, bisedimet teknike vetëm mes këtyre institucioneve nuk janë të mjaftueshme.

Pasiguria përsa i takon Greqisë, është duke e dëmtuar euron, duke i ulur vlerën ndaj dollarit dhe stërlinës.

Ministri grek i Financave, ka përsëritur edhe njëherë se qeveria do të vendosë për aktivizimin e mekanizmit të ndihmës, atëherë kur kjo të jetë e nevojshme. Dhe sipas tij, kjo hë për hë, nuk është ngutshme.

"Nuk ka gjasa që edhe gjatë muajit maj Greqia të gjendet e varur. Pasi, ose nga tregjet, ose nëpërmjet mekanizmit të ndihmës, do të kemi fondet që na nevojiten për muajin maj", tha ministri Papakonstandinu gjatë një konference shtypi.

Ai la të kuptohet se edhe pa u vendosur modelitetet e mekanizmit, Greqia mund të marrë disa prej kredive të premtuara nga vendet e eurozonës.

"Që nga momenti që ekziston mekanizmi, vendet e eurozonës janë të obliguara për kredi afatshkurtëra, derisa të kryhen të gjitha modalitetet", tha ministri.

Kreu i eurozonës, Zhan Klod Junker, tha që nëse Greqia kërkon ndihmë, "eurozona do të marrë përgjegjësitë e veta, pasi nëse paratë nevojiten, ato ekzistojnë".

LOKALE
Merkel kërkon masa të rrepta
17 mars 2010 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>