BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E hënë, 19 prill 2010 - 11:22 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Greqia e dyzuar: ndihmë nga BE-ja apo FMN-ja?

Kryeministri grek, Papandreu me udhëheqës të BE-së
Greqia duhet të zgjedhë ndihmën nga BE-ja ose kreditë nga FMN-ja.
Hiri vullkanik ka influencuar edhe negociatat e Greqisë me ekipin tripalësh të FMN-së, Komisionit Europian dhe Bankës Qendrore uropiane. Ekipi që pritej të mbërrinte të hënën në Athinë, e ka shtyrë për tri ditë udhëtimin, për shkak të paralizës së transportit ajror.

Sipas Athinës zyrtare, ekipi është ftuar nga kryeministri Jorgo Papandreu, për të diskutuar modalitetet e aktivizimit të mekanizmit të ndihmës, për të cilin ranë dakord liderët europianë në samitin e 25 marsit.

Zoti Papandreu, në një intervistë për revistën amerikane, Newsweek, ka thënë se Greqia do të duhet të vendosë brenda javëve të ardhshme nëse do të kërkojë apo jo aktivizimin e mekanizmit. “Nuk shoh të kemi problem me pagesat, edhe në muajin maj, ndërkaq kjo nuk do të thotë se e kemi përjashtuar mundësinë e aktivizimit të mekanizmit”, ka thënë kryeministri grek.

Ndërsa duke folur në fundjavë nga tribuna e parlamentit, zoti Papandreu tha se Greqia do të bëjë gjithë veprimet parapërgatitore që kërkon aktivizimi i mekanizmit.

“Aktivizimi i mekanizmit vendoset mbi bazën e interesave të vendit, paqes e sigurisë sociale dhe ekonomike, dhe ne po bëjmë gjithë veprimet parapërgatitore që kërkohen”, tha zoti Papandreu.

Ekipi i ekspertëve që ka gjasë të vizitojë Athinën të mërkurën, ka si mision të shqyrtojë situatën, lidhur me nevojat financiare që do të ketë për dy vitet e ardhshme sektori publik, si dhe të diskutojë masat dhe afatet kohore që do të shërbejnë për daljen nga kriza.

Sipas burimeve të shtypit, qeveria do të tentojë t’i shmanget marrjes së masave të reja që synojnë ulje të tjera në pagat dhe pensionet, me argumentin se masat e deritanishme janë të njëjta me ato që kërkon FMN-ja. Por burime të FMN-së, të cituara gjithashtu nga shtypi grek, thonë se Greqia duhet të mjaftohet me gjysmat e 60 miliardë eurove që janë nevojat e përvitshme të sektorit publik, dhe njëkohësisht të rrisë eksportin e produkteve dhe shërbimeve, pra ta bëjë konkurrente ekonominë e vet.

Edhe guvernatori i Bankës së Greqisë ka shprehur mendimin se qeveria, në vend që të rriste taksat e tatimet, do të mund të pakësonte edhe më shumë shpenzimet buxhetore, duke reduktuar edhe më tepër defiçitin buxhetor, në masën 5% brenda vitit nga 4% që pëcakton objektivi i planit të stabilitetit.

Përditë e më tepër në Greqi po shtohen zërat se vendi do t’i drejtohet përfundimisht Fondit Monetar Ndërkombëtar.

“Fondi Monetar Ndërkombëtar ka hyrë faktikisht në procedurën e mbikqyrjes, na kontrollon sot lidhur me realizimin e vendimeve dhe angazhimeve tona”, deklaroi kryeministri Papandreu në parlament.

Kjo deklaratë po interpretohet në funksion të parapërgatitjes së opinionit vendas, i cili, në masën 80 përqind e konsideron si katastrofik implikimin më të madh të FMN-së.

Sipas burimeve qeveritare, Fondi ofron kredi me interesa shumë më të ulëta nga sa do të ofrojnë eventualisht vendet e Zonës së Euros.

Ndërkaq, kreu i FMN-së, Domenik Strauss Kahn, deklaroi në fundjavë se Fondi është i gatshëm të kontribuojë me 1/3 e paketës së përbashkët me eurozonën. “FMN ka rregulla dhe rregullt për Greqinë do të duhet të jenë të njëjta si dhe për gjithë vendet e tjera”, theksoi kreu i FMN-së.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>