BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E diel, 23 dhjetor 2007 - 13:18 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
'Rruga përpara-Plani Ahtisaari'
Këshilli i Sigurimit
Rusia e kundërshton Planin Ahtisaari
Karen Pierce, zëvendësja e Përfaqësuesit të Përhershëm të Mbretërisë së Bashkuar në Kombet e Bashkuara, i tha BBC-së se rruga përpara për Kosovën është zbatimi i Planit Ahtisaari.

Znj. Pierce tha se për momentin nuk kishte gjasë që çështja e Kosovës të zgjidhej në Këshillin e Sigurimit për shkak të kundërshtimit të Rusisë dhe se kjo çështje tashmë ishte përgjëegjësi e BE-së dhe NATO-s.

Ambasadorja britanike tha se në Rezolutën 1244 të KS, ekziston baza ligjore për ngritjen e misionit të BE-së në Kosovë.

Me znj. Pierce bisedoi Sokol Gruda i BBC-së.

BBC: A kanë dështuar të gjitha përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje për Kosovën brenda Këshillit të Sigurimit, znj. Pierce?

Pierce: Mendoj se padyshim është e vërtetë se ne nuk mund të sigurojmë arritjen e një marrëveshje në Këshill për rrugën përpara.

Ne besojmë se tani që procesi i Trojkës ka vërtetuar se mundësia e negociatave të mëtejshme është ezauruar, rruga më e mirë përpara për të ruajtur stabilitetin në Kosovë dhe në rajon, është që të zbatohet Plani i Ahtisaarit.

Nëse të gjithë anëtarët e Këshillit, respektivisht Rusia, duan të na bashkohen në realizimin e kësaj, atëherë sigurisht që ne mund ta bënim këtë përmes Këshillit.

Nëse rusët nuk duan ta bëjnë këtë, si qëndron situata për momentin, atëherë ne nuk do të jemi në gjendje që të ecim përpara në Këshill dhe Be-ja e NATO do të marrin përgjegjësinë e tyre.

BBC: Zonja Ambasadore, a mendoni se çështja e Kosovës mund të kthehet në Këshillin e Sigurimit? Sa realiste është mundësia e një votimi për të ardhmen e Kosovës në Këshillin e Sigurimit?

Peirce: Unë mendoj se është shumë e vështirë që të spekulohet për të ardhmen në këtë moment. Nëse do të ishte e mundur që çështja të rikthehej dhe të zgjidhej sipas mundësive që përmenda, domethënë zbatimi i planit të Ahtisarit me pranininë ndërkombëtare nga pikëpamja jonë, nuk do të kishte vështirësi që kjo të bëhej përmes Këshillit të sigurimit.

Por situata në këtë moment nuk është e tillë dhe për momentin ne nuk shohim ndonjë mundësi që vendet e tjera të ndryshojnë qëndrim dhe të na bashkohen në miratimin e planit në Këshill.

BBC: Pra, zonja ambasadore, ju nuk mendoni se Rusia mund të ndërroje mendje e t'i hapë rrugë një zgjidhjeje të statusit të Kosovës në Këshillin e Sigurimit?

Pierce: Nëse do të kishte ndonjë rezolutë të Këshillit të Sigurimit për Kosovën, duhej të ishte një e tillë që të mbështetej tek plani i Ahtisarit: që zbaton statusin, përfshin qeverisje të mirë, mbulon praninë e ndërkombëtarëve dhe ofron stabilitet për gjithë rajonin.

Këta katër elemente janë shumë të rëndësishëm dhe të pandashëm nga njëri-tjetri.

Unë nuk shoh shenja të një ndryshimi mendjeje të shpejtë nga ana e Rusisë, por nëse kjo do të ndodh, sigurisht që ne do ta shqyrtonim këtë zhvillim nga afër.

Por për momentin mund të thuhet se nuk ekziston mundësia e një marrëveshje në Këshillin e Sigurimit dhe nuk ekziston mundësia e rikthimit të kësaj çështje në Këshillin e Sigurimit për momentin.

BBC: Le ta marrim si të mirëqenë se Rusia nuk ndryshon qëndrim për këtë çështje. BE, ndërkohë, i ka parashtruar synimet e misionit të vet ne Kosovë. A mund të thuhet se tashmë çështja e Kosovës është transferuar përfundimisht nga Nju Jorku në Bruksel?

Pierce: BE dhe NATO tani do të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre për të siguruar stabilitetin në këtë rajon, ku ata kanë qenë të përfshirë nga afër dhe me sukses, që në vitet '90-të nga Marrëveshja Paqësore e Dejtonit.

Duhet thënë se të gjithë i dimë ngjarjet tragjike që ndodhën para se ne të ishim në gjendje të kihsin Marrëveshjen Paqësore të Dejtonit.

BE dhe NATO do ta vazhdojnë misionin e tyre, sigurisht në terren do të bashkëpunojnë me OKB-në, me autoritetet kosovare dhe me komunitetin ndërkombëtar.

Kosova është një çështje e pranishme në axhendën e OKB-së. Secili vend mund të kërkojë kur dëshiron që të diskutohet për çështjen e Kosovës, por përsa i përket marrjes së vendimeve për Kosovën, ato janë kaluar dhe po kalojnë tek BE dhe NATO.

BBC: Dhe kuadri ligjor i pranisë së BE-së e NATO-s në Kosovë do të jetë Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit?

Pierce: Po. Ne kemi shumë besim se korniza e nevojshme ligjore për BE, NATO dhe zbatimin e Planit të Ahtisaarit për praninë ndërkombëtare ekziston dhe ekziston në rezolutën 1244.

BBC: Cili mendoni se do të jetë roli i ardhshëm i OKB-së në Kosovë?

Pierce: Këto janë diskutime që duhet të vazhdojnë ende. Mendoj se duhet thënë se OKB-ja ka bërë një punë të mirë në Kosovë që nga viti 1999, por situata në këtë moment nuk është e qëndrueshme dhe kjo përfshin sërish, analizimin e pranisë ndërkombëtare.

Kjo është një prej arsyeve pse ne duam të shohim tranzicion nga OPKB-ja tek Be-ja . Ky është hapi i duhur.

Po t'i hedhësh një vështrim të gjithë vedneve ballkanike ku ka patur një prani të fuqishme ndërkombëtare, ata kanë vazhduar më tej rrugën për tek BE-ja. BE-ja ka qenë në Maqedoni, në Bosnjë, sigurisht me ndihmën e NATO-s por ky është thelbi mbi të cilën ne e shohim ecjen përpara të Kosovës.

BBC: Çfarë parashikimi do të bënit për Kosovën në vitin e ardhshëm? Vetëm pak ditë na ndajnë nga 2008-a...

Pierce: Unë nuk bëj parashikime...por mund t'ju them se cilat janë aspiratat tona.

Brenda një viti dëshirojmë ta shohim Kosovën të lulëzojë, sipas zgjidhjes së Planit Ahtisari, të mbikqyrur nga prania civile dhe ushtarake që kanë parashikuar BE-ja dhe NATO-ja në Planin Ahtisaari.

Ne duam që Kosova të ketë marrëdhënie të mira me gjithë fqinjët e saj, përfshirë Serbinë. Ne duam të shohim mekanizmat që nënvizojnë atë bashkëpunim rajonal e, veçanërisht, nënvizojnë lidhjet e ngushta që ekzistojnë në mënyrë të natyrshme mes Serbisë e Kosovës.

Ne duam të shohim një Kosovë që ecën drejt integrimit europian dhe euro-atlantik, njësoj si vendet e tjera të rajonit ballkanik.

Mbi të gjitha, ne duam të shohim një Kosovë që vë në zbatim pikat e Planit Ahtisaari dhe që jep garanci se është një Kosovë që funksionon për gjithë qytetarët e saj, qofshin ata serbë të Kosovës, shqiptarë të Kosovës apo nga ndonjë grup pakicë në Kosovë.

Ne duam të shohim një vend modern që po ecën për të zënë pozitën e duhur në Europë dhe që të mbyllë kapitullin e fundit të shpërbërjes së Jugosllavisë.

LOKALE
E ardhmja e Kosovës
17 gusht 2006 | Analiza
Moska e Uashingtoni për Kosovën
18 dhjetor 2007 | Rajoni
Sejdiu dhe Thaçi në OKB
17 dhjetor 2007 | Rajoni
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>