BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E diel, 10 qershor 2007 - 16:33 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Bush bën "vizitë historike" në Shqipëri
Kryeministri shqiptar Sali Berisha takohet me presidentin Bush
Presidenti amerikan Bush viziton Shqipërinë
Presidenti Xhorxh W. Bush është bërë presidenti i parë në detyrë i Shteteve të Bashkuara që viziton Shqipërinë.

Ai nuk mund të priste një mikëpritje më entuziaste.

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha e falenderoi zotin Bush për vizitën në Shqipëri duke e cilësuar këtë si "vizitë historike".

Kryeministri shqiptar tha në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin amerikan se Shqipëria do të qëndrojë krahë për krahë me Shtetet e Bashkuara kurdo që të kishte nevojë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

 Ju siguron se ata do të jenë në krahun tuaj, kurdo që zëri dhe kontributi i tyre i vendosur nevojitet kundër terrorizmit ndërkombëtar.
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha

"Ndjenjat miqësore për kombin tuaj dhe vendin tuaj të madh - amerikanizmi i shqipëtarëve - janë me të vërtetë një çështje kranarie kombëtare," tha zoti Berisha.

"Shqiptarët janë shumë krenarë për miqësinë me SHBA-në dhe bashkëpunimin që ata kanë me kombin tuaj në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, praninë e tyre në krahun tuaj në Irak e Afganistan," tha zoti Berisha.

"Ju siguroj se ata do të jenë në krahun tuaj, kurdo që zëri dhe kontributi i tyre i vendosur nevojitet kundër terrorizmit ndërkombëtar, këtij armiku më të rrezikshëm të popujve të lirë," tha kryeministri shqiptar i cili premtoi trefishimin e numrit të ushtarëve shqiptarë në Afganistan.

Treg në Tiranë
Shqiptarët e shohin vizitën si historike

Kryeministri Berisha tha se Shqipëria do të punojë për të plotësuar standardet e anëtarësimit në NATO, reforma të thella politike dhe në ushtri, përfshirë rritjen me 2 për qind të buxhetin për ushtrinë.

Presidenti amerikan vlerësoi nivelin e lartë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe SHBA-së.

Ai tha se SHBA-ja përkrah dëshirën e Shqipërisë për t'u anëtarësuar në NATO. Ai vlerësoi lart tolerancën fetare në Shqipëri.

"Shpreha dëshirën që Shqipëria të hyjë (në NATO), unë jam përkrahës i kësaj dëshire," tha presidenti amerikan.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, zoti Bush ka folur para trupave shqiptare, një shprehje mirënjohje kjo për Shqipërinë që ka kontribuar ushtarakisht në Afganistan dhe Irak.

"U thashë trupave se ju respektoheni nga ushtarakët tanë si ushtarë të stërvitur mirë dhe kurajozë," tha zoti Bush.

 Politikanët duhet të punojnë së bashku për të arritur këto standarde, të lënë mënjanë ndryshimet politike.
Presidenti amerikan Xhorxh Bush

"Zoti kryeministër ne ju falenderojmë shumë për angazhimin tuaj ndaj lirisë në Irak dhe Afganistan," tha presidenti Bush.

"Këto janë dy fronte jetësore në luftën ndaj terrorit, Shtetet e Bashkuara kanë një mik të fuqishëm tek Shqipëria në këtë luftë dhe unë ju falenderoj," tha presidenti amerikan.

Ai inkurajoi politikanët shqiptarë të punojnë së bashku për të plotësuar standardet e anëtarësimit në NATO.

"Politikanët duhet të punojnë së bashku për të arritur këto standarde, të lënë mënjanë ndryshimet politike," tha ai.

Bush në Tiranë

Presidenti amerikan George Bush ka mbërritur në Tiranë në vizitën e parë të një presidenti amerikan në Shqipëri.

Xhorxh dhe Laura Bush takohen me biznesmenë në Fushë Krujë
Bush viziton qytetin e Fushë-Krujës

Ai dhe bashkëshortja e tij, Laura, u pritën në aeroportin e Rinasit nga ministri i Jashtëm shqiptar Lulzim Basha dhe nga deputetët Bamir Topi e Ben Blushi.

Më pas presidenti Bush u takua në Pallatin e Brigadave me presidentin e Shqipërisë, Aleksandër Moisiu.

Presidenti shqiptar Moisiu i dha zotit Bush dekoratën më të lartë "Urdhrin e Flamurit" për kontributin e tij në mbështetje të çështjes shqiptare.

Gjatë vizitës së zotit Bush në Tiranë janë në fuqi masa të rrepta sigurie.

Zoti Bush takoi në Fushë-Krujë një grup biznesmenësh shqiptarë që kishin marrë mbështetje financaire nga agjenci amerikane zhvillimi.

Pas takimit, zoti Bush doli, jashtë protokollit, në rrugën kryesore të Fushë-Krujës dhe takoi shumë qytetarë entuziastë.

LOKALE
Prishtina - Vizitë historike
10 qershor 2007 | Faqja Kryesore
Shkupi mirëpret vizitën e Bushit
10 qershor 2007 | Faqja Kryesore
Bush viziton Shqipërinë
08 qershor 2007 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>