BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E shtunë, 09 qershor 2007 - 19:59 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Bush viziton Shqipërinë

Presidenti amerikan
Presidenti Bush
Presidenti Xhorxh Bush ndalet të dielën për disa orë në Tiranë në vizitën e parë në Shqipëri nga një president amerikan.

Për këtë vizitë të rrallë është mobilizuar në maksimum protokolli i shtetit dhe pritet që të ketë ceremoni pompoze.

Akset rrugore përreth Tiranës do të mbyllen ose do të ketë kufizime të trafikut.

Zoti Bush vjen në Tiranë nga një vizitë në kryeqytetin italian Romë të dielën paradite dhe do të largohet mbasdite për në Bullgari.

Rrugët kryesore të Tiranës kanë ndryshuar pamje duke u veshur me flamuj, parrulla dhe postera shumë lloj formatesh të cilët kremtojnë vizitën e Pesidentit amerikan në Shqipëri dhe i urojnë atij mirëseardhjen.

Njëra prej rrugëve kryesore të qendrës së Tiranës, me propozim të këshilltarëve të djathtë të bashkisë, do të marrë emrin Xhorxh Bush.

Masat e sigurisë kanë ardhur duke u forcuar. Helikopterë amerikanë prej ditësh fluturojnë në qiellin e Tiranës, në atë që merret vesh se është stërvitje e përditshme dhe mbajtje nën mbikqyrje e zonave nga do të kalojë Presidenti Bush.

Gjëmime topash janë dëgjuar disa herë mbi qiellin e Tiranës ditët e fundit, të cilat besohet se janë stërvitje që skuadrat e artilerisë shqiptare kanë bërë për të realizuar ceremonitë e nderimit të mysafirit amerikan ditën e diel.

Gazetarë perëndimorë kanë filluar të mbërrijnë në Tiranë për të ndjekur nga afër vizitën dhe për të treguar se çfarë mendojnë shqiptarët për Amerikën.

Klasa politike është shfaqur në unison në vlerësimin se vizita e zotit Bush është historike dhe se ajo vjen si një kulm i qëndrimit miqësor të Shteteve të Bashkuara ndaj popullit shqiptar.

Presidenti Bush do të ketë takim me Presidentin Alfred Moisiu, takim të veçantë me kryeministrin Sali Berisha dhe një takim të përbashkët me kryeministrat e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë.

Presidenti Bush pritet të shkojë në afërsi të Fushë-Krujës ku agjensia amerikane e ndihmave ka financuar ngritjen e një biznesi bujqësor.

Drejtuesit e policisë shqiptare njoftuan se ditën e diel trafiku në rrugët hyrëse në Tiranë do të jete pothuaj i mbyllur për automjetet.

Vizita është historike për Shqipërinë dhe autoritetet shqiptare janë maksimalisht të impenjuar që ajo të shkojë sa më mirë.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>