BBCAlbanian.comNews image
Përditësimi: Botuar: E hënë , 11 tetor 2004 - 08:20 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Venezuela rrit taksat mbi prodhimin

Hugo Chavez pranë një rafinerie
Chavez tha se qëllimi i vendimit ishte forcimi i kontrollit mbi naftën
Venezuela njoftoi rritjen masive të taksave që paguhen nga kompanitë e huaja që operojnë në një prej fushave më të pasura naftëmbajtëse të vendit.

Taksa e vendosur mbi kompanitë që po shpojnë fushat në rajonin Orinoco, është ngritur nga 1 për qind deri 17 për qind.

Njoftimin për rritjen e taksës e bëri presidenti i vendit Hugo Chavez.

"Ne nuk do ta çojmë dëm naftën për arsye që nuk ekzistojnë më," tha zoti Chavez në Puerto de la Cruz.

Presidenti tha se rritja kishte si qëllim të forconte kontrollin e shtetit mbi prodhimin e naftës në vend.

Ministri venezuelian i Energjisë, Rafael Ramirez i tha BBC-së se kompanitë që preken nga kjo rritje nuk janë paralajmëruar.

Mes kompanive që operojnë në Venezuelë janë edhe Exxon Mobil, Total Fina Elf dhe Conoco Phillips.

Ministri këmbënguli se rritja ishte bërë në përputhje me ligjin.

Niveli 1 për qind i taksave u vendos në mesin e viteve '90 nga qeveria venezueliane me qëllim tërheqjen e investimeve të huaja.

Ministri i Energjisë tha se me rritjen e çmimit të naftës në botë është rritur tri herë edhe prodhimi në fushat naftëmbajtëse.

Kjo ,sipas tij, kishte ndodhur në një masë më të madhe se ç'pritej, "ndaj për këtë arsye qeveria ka të drejtë që të ngrejë taksat në nivelet e mëparshme."

Ministri shtoi se nuk priste që kjo masë të ndikonte në marrëveshjet e ardhshme me ato që ai quajti kompani serioze.

LOKALE
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>