|
Opozita kërkon rinumërimin e votave | |||||||||||||||||||||||
Opozita në Venezuelë ka kërkuar të rinumërohen me dorë votat e hedhura në referendumin e të dielës. Referendumi u zhvillua për të vendosur nëse Hugo Chavez do të vazhdojë të qëndrojë apo jo në postin e presidentit të vendit. Z. Chavez e ka fituar referendumin, por opozita pretendon se ka patur mashtrime gjatë zgjedhjeve. Nuk ka prova Vëzhguesit ndërkombëtarë në referendum, thonë se nuk kanë gjetur prova për mashtrim, por kanë premtuar se do t'i kushtojnë vëmendje shqetësimeve të opozitës. Megjithatë, udhëheqësit e opozitës nuk po lëkunden nga pozicioni i tyre se presidenti Chavez mashtruar për të arritur fitoren. Ata nuk kanë dhënë hollësi se si saktësisht mund të jetë mashtruar, por ngulin këmbë se rezultati nuk shpreh vullnetin e popullit. Kjo, thonë ata, do të vërtetohet kur proces-verbalet e votimit, të ballafaqohen me ato të makinave elektronike që numëruan votat. Vëzhguesit ndërkombëtarë që vëzhguan referendumin, nuk bien dakord me këtë. Ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter, që udhëhoqi ekipin e tyre, tha se Hugo Chavez ka fituar me shumicë të pastër dhe se nuk ka prova për mashtrime Protesta Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë thirrje që të kryhet një hetim për mënyrën se si u zhvillua referendumi. Presidenti Chavez ndërkohë i ka bërë thirrje opozitës që ta pranojë rezultatin e referendumit. Por opozita u bëri thirrje mbështetësve të saj që të dalin në rrugë për të protestuar kundër rezultatit. Gjatë protestave në kryeqytetin e vendit, Karakas, ka patur incidente të dhunshme. Njoftohet se gjatë njërës prej tyre, janë plagosur të paktën shtatë persona. |
| |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||