|
Irani sfidues ndaj agjencisë bërthamore | |||||||||||||||||||||||
Irani ka hedhur poshtë kërkesat e agjencisë atomike të OKB-së për të pezulluar menjëherë të gjitha veprimtaritë e pasurimit të uraniumit. Kryenegociatori i vendit për çështjet bërthamore, Hassan Rohani, tha se asnjë organizatë ndërkombëtare nuk mund ta detyronte Iranin ta bënte këtë. Zoti Rohani u tha gazetarëve se çështja bërthamore ishte kthyer në një luftë dhe se përpara i prisnin ditë të vështira. Ai tha se vendet evropiane e ishin gabim kur mendonin se Irani ishte vetëm një hap larg pasurimit të plotë; Irani ishte tashmë në atë pikë dhe mund ta përfundonte ciklin e plotë të lëndës djegëse bërthamore që sot nëse dëshironte. Agjencia e OKB-së ka vendosur si afat fundin e nëntorit që qeveria iraniane t'u përgjigjet të gjitha pikëpyetjeve lidhur me programin e saj bërthamor. Një zëdhënëse e agjencisë i tha BBC-së se ishte në interes të iranit që të vazhdonte bashkëpunimin. Irani këmbëngul se programi i tij është për qëllime paqësore. Zoti Rohani tha se nuk ishte marrë ende ndonjë vendim për të pezulluar të gjitha veprimtaritë e pasurimit siç kërkohet nga bordi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Ai tha se kjo gjë mund të arrihej vetëm nëpërmjet negociatave dhe jo me një rezolutë. Ai tha se, nëse çështja e Iranit dërgohej në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të marrë masa ndëshkuese, ai do të shqyrtonte mundësinë e tërheqjes nga Traktati i Mospërhapjes së Armëve Bërthamore dhe me siguri do të ndalonte kontrollet e papritura nga inspektorët ndërkombëtarë. |
| |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||