Universiteti i Prishtinës ka nderuar kohë më parë zotin Adem Demaçi, veprimtar i njohur për çështjen kombëtare dhe të drejtat e njeriut, me titullin 'Doctor Honoris Causa'. Me këtë rast, zoti Demaçi ka përsëritur se kjo mirënjohje nuk ka për ta bërë të 'urtë' e të mos i 'nguc' politikanët. 'Udhëheqësit tanë duhet të shtrëngohen. Të mos bëhen të atillë që të mundohen të rrëzojnë njëri-tjetrin nga pushteti, por kur të jetë interesi kombëtar të jenë unikë, kur të jetë interesi kombëtar të mos bëjnë “hyxhym” për poste, për karrige...'- ka thënë ai. Për shkak të veprimtarisë politike dhe 28 viteve të kaluara nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë, zoti Demaçi njihet edhe si Nelson Mandela i Evropës. |