BBCAlbanian.comNews image
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Kush përfiton nga heqja e vizave?
Pasaportë
Shqiptarët janë ndër shtetasit e fundit në Ballkan që përfitojnë
Sa të informuar janë qytetarët lidhur me aspektet teknike të udhëtimit pa viza në vendet e Shengenit?

A mund të përsëritet përvoja e shtetasve të Maqedonisë dhe Serbisë, të cilët në numër të konsiderueshëm u larguan nga vendi për t'u rikthyer më pas mbrapsht nga vendet anëtare të zonës Shengen?

Çfarë do t'u kërkohet shqiptarëve kur të mbërrijnë në kufijtë e Shengenit?

Për këto dhe çështje të tjera BBC pyeti Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, z. Gazmend Turdiu.

"Ne jemi munduar që nga dhjetori i vitit të kaluar të fillojmë një fushatë informimi për t'ua bërë të qartë qytetarëve shqiptarë se cilat janë të drejtat dhe detyrimet që lidhen me këtë dimension të ri të heqjes së vizave. Çdo qytetar shqiptar do ketë të drejtën të hyjë në zonën Shengen, të qëndrojë 90 ditë në 180 ditë kalendarike. Këto 90 ditë mund t'i shpëtojë të tëra njëherësh ose të hyjë në një numër të pakufizuar herësh në hapësirën Shengen, por shumatorja e ditëve të qëndrimit në 180 ditë kalendarike të mos jetë më e madhe se sa 90 ditë," - thotë zoti Turdiu, duke saktësuar se të drejtën e hyrjes pa viza e gëzojnë vetëm personat që kanë pasaporta biometrike.

A do të përfitojnë bizneset?

Vendimi përfundimtar i Bashkimit Europian për të hequr vizat për Shqipërinë dhe Bosnjën u mor në datën 8 nëntor, gjatë mbledhjes së radhës së Këshillit të Ministrave.

Por çfarë do të sjellë ky moment për operatorët e biznesit dhe turizmit ?

Përpara shpalljes së vendimit për heqjen e vizave, BBC foli me zotin Klodian Pajuni, drejtor i përgjithshëm për turizmin në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, zotin Lavdosh Feruni, ekspert për çështjet e zhvillimit të bujqësisë dhe biznesit rural dhe zotin Enea Janko nga bota e biznesit, administrator i përgjithshëm i Tirana Business University.

Ju mund të bëheni pjesë e këtij diskutimi duke na shkruar përmes formës në të djathtë të ekranit.

BBC
Pasaporta biometrike-vizë për në Europë

Komentet tuaja

Jam nga Kukësi. Rruga e kombit, pra autostrada Durrës - Kukës, e bashkuar me heqjen e vizave, mendoj se tashmë na ka barazuar me njerëzimin më të qytetëruar.
Fatmir Cengu, Kukës

Kjo është një nga ngjarjet më të mëdha për Shqipërinë mbas pavarësisë në vitin 1912. Megjithëse të fundit në rajon, prapëseprapë është një ditë e shënuar ku të gjithë do lëvizim të lirë, pa u ropatur me ditë të tëra para dyerve të ambasadave. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!
Bledar Duro, Gjirokastër

Jam shumë i gëzuar për vendin tim të lindjes, për gjithë shqiptarët që po gëzojnë statusin e qytetarit të lirë. Shqiptarët duhet të ndihen krenarë për këtë dhe, gjithashtu duhet të ndërgjegjësohen e të tregohen korrekt ne zbatimin perfekt të lejeqëndrimit sepse kështu vërtetojmë që jemi një komb i lashtë dhe i qytetëruar. Urime Shqipërisë time!
Astrit Caku, SHBA

Heqja e vizave s'ka rëndësi për shqiptarët që të regullt kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë drejt botës. Ndërsa për të gjithë ata që s'kanë qenë jashtë atdheut që kur komunizmi krijoi burgun Shqipëri, edhe sikur të mos dalin, shpirtërisht kanë hequr një zgjedhë të rëndë psikologjike që krijonte kufiri me gjemba.
Ligor Luarasi, SHBA

Kosova ka mbetur në errësirë. Nuk e di nëse duhet që dikush të japë llogari për këtë.
Zeki Xhemaj, Prizren

Në gjashtë muaj ke të drejtë të rrish tre muaj në çdo vend të Europës. Domethënë tre muaj në Shqipëri, tre në Europë, por pa të drejtë pune. Një mesazh shumë i mirë për nënat shqiptare që do t'ju ulet malli për fëmijët për 80 për qind!
Kristion Hoxhaj, Australi

Nuk është fitore historike heqja e vizave, por kthimi i gjithë shqiptarëve në atdhe dhe hapja e vendeve të punës.
Leonard Vasa, Greqi

E përshëndes heqjen e vizave për Shqipërinë, por do të doja edhe për Kosovën. Shteti dhe media duhet të sqarojnë opinionin publik për kushtet. Në Shqipëri, shteti për 20 vjet nuk arriti të bëj as minimumin për mendimin tim për rregullimin e gjendjes ekonomike. Varfëri, gjakmarrje, korrupsion, në çdo qelizë shqiptare, shitet kudo pa faturë, nuk ka akoma përpunim të mbeturinave dhe të ujrave të zeza. Edhe pas 20 viteve, rinia përsëri kërkon të emigrojë jashtë, kjo për arsyet e mësipërme. Kjo duhet t'i trishtoje qeveritaret e te te gjitha ngjyrave...
Ndue Kola, Britani e Madhe

Përfitojnë të gjithë!
Ornela Gjonaj, Vlorë

Ky është një hap para për shtetasit shqiptarë, por synimi kryesor është anëtarësimi i Shqipërisë në BE me të drejta të plota, sepse heqja e vizave nuk do të thotë shumë.
Artan Pllana, Vushtri

Europa hapi portën për liberalizimin e vizave për shqiptarët. Faleminderit Europë megjithëse me vonesë për kombin më të vjetër në Europë që ka rezatuar kulturë dhe ka krijuar shtete. Europa ka një mision bashkimin e kombit shqiptar të coptuar padrejtësisht në vitin 1913 pa bazë ligjore mbas 100 vjet coptimi ligji bëhet nul. Kjo të bëjë një shtet me stabilitet në tërë Ballkanin e më gjerë.
Meleq Zerani

Shumë pak kanë ngelur tani pa lënë vendin, ata që deshën ikën si me vizë si pa vizë. Është më shumë ndihmëse psikologjike për të gjithë shqiptarët e sidomos për ata që kanë fëmijët në Greqi e Itali, që për të vajtur të rrinë me fëmijët 1 muaj, u duhet të kalojnë një mizëri të paparë. Prindrit e mi e kanë marrë 2 herë vizën brënda ditës për në Angli... për në Itali, 5 muaj me probleme dhe pas kthimit u duhej të venin në konsullatë prapë që të firmosnin që u kthyen!!! Të shpresojmë që udhëtarët e rinj të kalojnë mirë e të sillen kudo që të venë.
Rad Çaushllari, Angli

Jam shumë i lumtur për atë mirësi që i bënë shqiptarëve. Zoti i bekoftë ato personalitete të Bashkimit Europian që bënë realitet këtë ëndërr të shqiptarëve që nga viti 1944 e mbuloi perdja e zezë e komunizmit.
Nikoll Syku, Bronx, USA

Emri
Mbiemri*
Qyteti
Vendi
Email
Telefoni*
* Sipas dëshirës
Opinioni i juaj
BBCAlbanian.com mund të redaktojë komentet tuaja dhe nuk garanton se do të botohen të gjithë e-mailët.
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>