|
1989 - Fëmijët e Revolucionit | |||||||||||||||||||||||
Njëzet vjet më parë qeveritë komuniste në Evropën Lindore dhe Qendrore u rrëzuan dhe Lufta e Ftohtë mori fund. Në programet e BBC-së do të dëgjoni kujtime nga Republika Çeke, Gjermania, Hungaria, Rusia, Polonia, Rumania etj. Shërbimi Botëror i BBC-së kërkon të dëgjojë nga njerëz që i kanë përjetuar këto ngjarje dhe nga një gjeneratë që u lind në atë vit. Historitë e atij viti, në shikim të parë politike, ishin për njerëzit e thjeshtë që ndërmerrnin risqe duke kërkuar ndryshim në qeveritë e tyre, në ekonomitë e tyre dhe në shoqëritë e tyre. Ne duam që ju të na tregoni historitë tuaja të lidhura me atë kohë. A ishit ju atje? A ishte dikush nga familja juaj, miq tuaj apo kolegë? Si i kujtoni ato ditë, si fillimi apo fundi? A përfituat nga mundësitë që solli ai vit apo e ndjeni se jeni përjashtuar prej tyre? Çfarë ju ka ndodhur juve, familjes suaj apo kolegëve që prej vitit 1989? A është historia e familjes suaj që prej asaj kohe, një histori triumfi apo nostalgjie? Na shkruani përmes formës në të djathtë. Disa komente Agim Vatovci nga Vushtria thotë: "Atë vit (1989) isha i punësuar në Kombinatin Xehtaro Metalurgjik Trepça, ku edhe në Kosovën e quajtur Krahina Socialiste Autonome e Kosovës në kuadrin e ish Jugosllavisë filluan disa nisma nga trimat e asaj kohe të quajtur Minatorë të Stan Tërgut, pra në Minierën e Arit, Argjentit, Plumbit, Zinkut. Këta minatorë duke ndejtur të ngujuar në Horizontin e XI ose më mirë rreth 1000 metra thellësi nën sipërfaqen e tokës, kërkonin rrëzimin e figurave të larta Komuniste nga Kosova. Përkundër shumë negociatave në mes pushtetit hegjemonist policor dhe Sindikatës së Pavarur të Trepçes, minatorët nuk u dorëzuan por regjimi policor burgosi Drejtorin e Përgjithshëm Aziz Abrashin, Drejtorin e Stan Tergut, Burhan Kavajën dhe ish Kryetarin e Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste, Azem Vllasin dhe i mbajtën për 11 muaj në burg. Vrasja e Kryetarit të Rumanisë, ish diktatorit Çaushevski dhe rrëzimi i Murit të Berlinit e shumë ngjarje të tjera të atij viti, ishin një shpresë për mbarë popujt e atyre vendeve se një Dritë në fund të Tunelit po shndërriste. Në fund ky vit ishte vit i çuditëshm, i parashikueshëm, dhe i pashmangshëm. Renis Çiftja nga Tirana na shkruan: "Ngjarjet e dhjetorit të 1990-ës, unë i kam përjetuar si aktor i brendshëm, por periferik. Në atë kohë, unë isha student i vitit të parë në Fakultetin e Gjeologjisë. Ditën që u bë protesta e dytë (e para ishte bërë në darkë tek Rruga Budi), unë kam qenë në rreshtat e parë të studentëve tek kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me Rrugën e Liceut! Kur filloi dajaku, unë hëngra një shkop kokës, dhe ashtu i gjakosur siç isha, mora vrapin përmes fushës që ishte midis ish-ambasadës Italiane (sot ambasada Amerikane) dhe ish Muzeumit Lenin-Stalin. Studentët filluan të fshiheshin nëpër shkallët e pallateve pas fushës. Unë isha i gjakosur dhe doja të futesha diku në ndonjë shtëpi, por asnjëri nuk guxonte të hapte derën e apartamentit. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||