|
Zgjedhjet vendore dhe hapat e integrimit | |||||||||||||||||||||||
Shqipëria po lë pas edhe një palë zgjedhje. Vëzhguesit ndërkombëtarë që bënë monitorimin e tyre thanë se zgjedhjet vendore të 18 shkurtit ishin një garë demokratike, por tërhoqën vërejtjen se Shqipëria humbi një shans tjetër për të përmbushur standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. Shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Tiranë, Jorgen Grunet, argumentoi vlerësimin e mësipërm me nevojën e përmirësimit të procesit elektoral, për krijimin e një sistemi të besueshëm dhe uniform të regjistrit të gjendjes civile dhe identifikimit të qytetarëve. Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Havier Solana, duke mirëpritur raportin paraprak të misionit të vëzhguesve të huaj, tha se të metat e evidentuara nuk duhen përsëritur në të ardhmen. "Si qeveria ashtu edhe opozita duhet të bëjnë më shumë në këtë pikëpamje dhe të unifikojnë përpjekjet e tyre në mënyrë konstruktive për reformën zgjedhore dhe të përballen me sfidat që kanë përpara drejt procesit të integrimit në BE". Zgjedhjet vendore në Shqipëri dhe sfidat e klasës politike në Tiranë do të jenë dhe tema e Forumit tonë të radhës. Mysafirë të programit që u drejtua nga Seladin Xhezairi ishin zëdhënësja fushatës së Partisë Socialiste Mimi Kodheli, Lajla Përnaska, deputete e PR-së, pjesë e koalicionit të djathtë, si dhe analistët Remzi Lani e Shkëlzen Maliqi. -Çfarë mendoni për këto zgjedhje dhe vlerësimet e vëzhguesve ndërkombëtarë? Na shkruani! Komentet tuaja Të përshkruara me dy fjalë, zgjedhjet e fundit lokale në Shqipëri ishin të mira, ndërsa të përshkruara me tre fjalë, atëherë ato ishin jo të mira! Ndërkombëtarët nuk na thanë ndonjë gjë të re. Me kalimin e afateve kushtetuese për hartimin e një kodi të ri zgjedhor, që para gjashtë muajve, u pa e qartë se zgjedhjet vendore në rastin më të mirë do të arrinin standardet e 3 korrikut dhe në rastin më të keq do të bënin hapa prapa, siç dhe u pa në këto zgjedhje. Përderisa në Shqipëri nuk do të ketë një popullsi të regjistruar dhe të pajisur me letërnjoftim apo pasaportë, përderisa të mungojnë adresat, përderisa komisionerët të zgjidhen dhe të drejtohen nga partitë, ne nuk do të mund të arrijmë standardet ndërkombëtare për zgjedhje të lira e të ndershme.Të gjitha premtimet dhe angazhimet e tjera që nuk synojnë të plotësojnë këto kushte janë vetëm propagandë dhe hedhje hi syrit të shqiptarëve, sepse nga ndërkombtarët ne do të marrim vetëm një vlerësim: zhgënjyes, nuk i plotësojnë standardet... Kohë nuk ka, puna duhej filluar që dje! Unë mendoj që Shqipëria të paktën pati diçka të mirë në këto zgjedhje, sepse arriti që palët kundërshtare, cilado qoftë ajo, njohën rezultatin e zgjedhjeve. Po mendoj që Shqipëria ka shumë për të bërë. Dhe, duhet vullnet nga të gjithë, një dëshirë për të ecur përpara dhe jo vetëm që të ngecim në vend ose të ecim me hapa të vegjël. Ndërsa ne në Shqipëri merremi akoma nëse zgjedhjet ishin të rregullta apo jo, nëse kishin një mal me probleme që përsëriten çdo herë dhe janë të njëjta, fqinjët tanë rumunë dhe bullgarë kanë një vend në BE. Fitorja e çdo ane, qoftë e majtë apo e djathtë, në çfarëdo zgjedhje e jo vetëm në këto të fundit, mua më duket më shumë si përgjegjësi e palës fituese se sa si revansh... "Drita e diturisë përpara do na shpjerë!"... Së pari, Parlamenti duhet të ketë 40-45 deputetë dhe jo 100+... Së dyti, ekzekutivi duhet të drejtohet nga teknokratë të edukuar e formuar në shoqëri më të zhvilluara se ajo shqiptare. Së treti, duhet gjetur një rrugë që padrejtësitë shoqërore të tranzicionit të mos vrasin përfundimisht shpresën e venitur të atyre që e kanë lidhur fatin e tyre me atë të Shqipërisë, qoftë kjo dhe rrugë jo "demokratike". Përndryshe, zgjedhjet nuk do të krijojnë ndonjë zgjidhje, por vetëm probleme mbi problemet e shumta që ka ai vend. Edhe pse Shqipëria është si një magazinë pa inventar, ajo mundi të realizojë zgjedhjet me anët e mira të saj, pavarësisht se nuk përmbushi standardet ndërkombëtare. Ne jemi jashtë shumë standardeve që ka bota, ndaj edhe me këto zgjedhje duhet të ndjejmë diçka pozitive. Inventari ynë kombëtar për nesër në zgjedhjet që vijnë, kërkon që çdo portë të ketë adresë të saktë dhe emrat e banorëve që jetojnë atje. Derës së mbyllur i futet një letër, të cilën e plotëson personi që hap derën në zyrën përkatëse të këtij procesi, i cili nuk bëhet dy muaj para votimeve, por fillon me kohë,me përgjegjësi të madhe nga çdo kryetar bashkie. Kjo ide mund të perfeksionohet edhe më, me qëllim që Shqipëria,nesër në votimet e reja, të mos jetë një magazinë pa inventar. Sabotuesit e këtij procesi, të vihen para drejtësisë... Këto zgjedhje ishin një nga turpet e radhës të kastës politike shqiptare. Pas 16 vjetësh të rëzimit të diktaturës komuniste, ne akoma nuk kemi Lista të zgjedhësve dhe dokumente identifikimi për qytetarët shqiptarë. Dhe, kjo jo për faj të mungesës së fondeve, por për faj të mungesës së dëshirës dhe mendësisë së mbrapshtë komuniste të klasës politike shqiptare. Pa këto dy elemente themelore, kartat e identitetit dhe Lista e zgjedhesve, ata mund të manipulojnë dhe të kontestojnë rezultatet e zgjedhjeve, kur dhe si të duan, çka edhe kanë bërë tërë këto vite... Shqipëria ka nevojë për politikanë idealistë, të ndershëm dhe të përkushtuar me jetë për vendin e tyre. Zgjedhjet lokale të sapo mbajtura treguan dhe një herë që Shipëria është akoma shumë mbrapa nga ato çfarë kërkojnë standardet e integrimit euro-atlantik.Integrimi në strukturat euro-atlantike kërkon një seri reformash të cilat në Shqipëri janë shumë larg.Të bësh zgjedhje demokratike e të ndershme është hapi i parë i cilitdo shtet që aspiron drejt demokracisë. Është dhe hapi i parë i rrugës së gjatë të integrimit euro-atlantik. Megjithëse elitës politike shqiptare i është tërhequr vëmendja me qindra herë nga aktorët ndërkombëtarë mbi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, duket se çdo gjë ka rënë në vesh të shurdhër. Shqipëria vitet e fundit ka bërë progres në shumë aspekte të jetës së vendit,por fatkeqësisht ka ngelur prapa në fushën e kulturës demokratike të politikës. Askush nuk mund të ngritet mbi gërmadhat e huaja. Kjo çka ngjau në Shqipëri është një turp për kombin tonë. Me udhëheqës të këtillë nuk shkohet në Evropë... Edhepse zgjedhjet e pushtetit lokal në Shqipëri mund të konsiderohen të përfunduara, e papërfunduar ka mbetur kultura e zgjedhjeve si dhe e fushatës elektorale...Paramendoni një shtet që pa asnja arsye ende nuk i ka pajisur qytetarët e vet me letërnjoftime, gjë që ka lënë hapsirë shumë të madhe për falsifikim të dokumenteve të identifikimit. Kosova ende nuk është bërë shtet i njohur ndërkombëtarisht, mirëpo ka pajisur qytetarët e saj me letërnjoftime (me fotografi digjitale) të cilat lehtësojnë punën për shumë gjëra të nevojshme të qytetarëve. Ndërkaq, në Shqipëri humbet aq shumë kohë për çertifikata gjë që është absurd i kohës për një qytetar evropian apo edhe të Evropës Juglindore... Përfundimi është, ashtu siç e ka deklaruar Komisioni Evropian para dy viteve se të gjitha shtetet e Evropës mund të arrijnë disi te kompromisi, kurse në Shqipëri gjithmonë duhet të ketë ndërhyrje nga jashtë për të arritur kompromisin. Domethënë, si është populli është edhe qeveria, sepse qeverin e zgjedh populli dhe rrjedhimisht qeveria nuk mund të jetë ndryshe. Mendoj se janë zgjedhjet më të ndershme të organizuara nga qeveria shqiptare në këto 15 vitet e fundit. Mendoj se opozita duhet të jetë më konstruktive dhe jo agresive, siç paraqitet. Për mua e rëndësishme është që zgjedhjet janë vlerësuar demokratike. Përsa u përket "shanseve të humbura", nuk është për t'u shqetësuar shumë. Vëzhguesit e huaj gjithmonë do të gjejnë diçka të papërshtatshme, për të treguar se dinë diçka më shumë, se ashtu justifikojnë edhe misionin e tyre. Për mendimin tim, në qoftëse partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje i pranojnë rezultatet e tyre, atëherë zgjedhjet konsiderohen demakratike dhe plotësisht të pranueshme. Që të ecim përpara me këtë problem, do të ishte shumë pozitive, në qoftë se partitë politike do të mendojnë seriozisht, dhe unifikojnë përpjekjet për miratimin e reformës zgjedhore. Mendoj se këto zgjedhje ishin më të mirat në aspektin e fshehtësisë së hedhjes se votës, por u dështua në numërimin e saktë dhe në kohë të tyre. Një gjë dëshiroj të vë në dukje këtu: është fakt se evropianët kërkojnë 100% standarde demokratike në kushtet e jetesës së shqiptarëve atje... Raporti kritik i shefit të misionit vëzhgues të OSBE-së në Shqipëri vetëm sa na e rikujton kredibilitetin shumë të ulët që shteti shqiptar ka te shtetet europerendimore dhe institucionet ndërkombëtare. Mosbesimi i tyre është shumë i madh dhe kjo s'ka se si do të ishte ndryshe derisa vetë shqiptarët dhe partitë e tyre janë aq mosbesues ndaj njëri-tjetrit. Sistemi politik dhe demokracia nuk mund të ndërtohen mbi një mosbesim të përmasave të një vetëshkatërrimi... Prandaj, duke e ditur se opozita ka paralajmëruar synimin e saj politik që pas fitores në këto zgjedhje do të angazhohet që sa më parë të mbahen zgjedhjet e përgjitheshme të parakohshme, raporti i Grunet-it i paralajmëron të gjithë se s'mund të ketë zgjedhje pa i përmbushur të gjitha standardet. Këtu konsiston edhe vënia e theksit të këtij raporti. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||