|
Auditorium i BBC-së në Mitrovicë | |||||||||||||||||||||||
Në kuadër të ciklit të emisioneve "Auditorium", BBC në shqip dhe BBC në serbisht organizuan debatin e hapur në Mitrovicë. Të ftuar që t'u përgjigjen pyetjeve tuaja ishin Gerard Gallucci, administratori i OKB-së për Mitrovicën, Lutfi Haziri, zëvendëskryeministër dhe Ministër për Administrim të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Oliver Ivanoviç, kryetar i Listës Serbe për Kosovën dhe Metohinë (LSKM), Bajram Rexhepi, ish-kryeministër dhe përfaqësues i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Sadije Nikshiq, kryetare e Komitetit për Komunitete në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, përfaqësuese e komunitetit boshnjak. Debati u realizua në bashkëpunim me Radiotelevizionin e Kosovës (RTK). Më poshtë keni një transkriptim të Auditoriumit. Ai u drejtua nga gazetari, Aleksandër Furxhi. Furxhi. Përshëndetje dëgjuesve të BBC në shqip dhe në serbisht, mirë se keni ardhur - dobro doshli. Përshëndetje teleshikuesve të radio televizonit të Kosovës. Përshëndetje nga Mitrovica, stacioni i radhës i debatit Auditorium i cili vijon udhëtimin e tij nëpër Shqipëri dhe në Kosovë. Një përshëndetje dhe teleshikuesve të televizionit Top Channel në Shqipëri. Të pranishëm gjithashtu në Auditorium në radhët e para janë edhe përfaqësues të policisë ndërkombëtare, autoritete të KFOR, OSBE dhe pushtetit lokal. Përballë të ftuar në panel janë të rinj, nxënës por edhe qytetarë shqiptarë, serbë edhe boshnjakë. Ndodhemi në sallën e Qendrës Kulturore e cila ngrihet në skajin jugor të urës së famshme, urë e cila ndryshe nga të gjitha urat në botë nuk lidh, por e ndan në dy pjesë qytetin e Mitrovicës. Në prag të zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, çështja e Mitrovicës siç e dimë mbetet thembra e Akilit. Çfarë do të ndodhë me pjesën veriore të qytetit, cila do të jetë prespektiva e zhvillimit ekonomik? Këto janë pyetjet më të shpeshta që kemi marrë edhe nëpërmjet adresës së internetit, bbcalbanian.com. Ekipi editorial i BBC sapo i ka përzgjedhur pyetjet dhe natyrisht për arsye të njerëzve të shumë kombësive, debati i BBC do të zhvillohet në 3 gjuhë shqip, serbisht dhe anglisht. Marrim pyetjen e parë. Fatmire Zeqiri: Unë vij nga radio Ylberi. Si e parashikoni qytetin e Mitrovicës pas statusit final të Kosovës? Galluci: Unë mendoj se nëse të gjithë gjatë këtyre muajve të ardhshëm do të kenë një qasje pozitive dhe me këtë pako që po përgatitet nga i dërguari posaçëm e cila do të kërkojë të bëjë centralizimin e komunave në një rajon të vetëm më në fund qytetarët e Mitrovicës do të kenë mundësi që t'i kthehen një jete normale. Ata do të bashkëpunojnë mes vetes e po ashtu do të jetojnë brenda komuniteteve të tyre në paqe e qetësi. Furxhi: A besoni z. Ivanoviç se do të kthehet kjo gjendje mbas statusit? Ivanoviç: Kjo është dëshira e sotme. Prej viteve '90, Serbia beson që do të kthehen në shtëpitë e tyre, mirëpo ata kanë filluar të humbasin durimin. Ata po i shesin shtëpitë e tyre përkundër alarmit të dhënë se ata që po shesin shtëpitë e tyre nuk kanë asnjë fije shprese. Mitrovica ka traditë, ka një fuqi punëtore të arsimuar që nuk mund t'ja tejkalojë as edhe një qytet tjetër i Kosovës. Jam gjithashtu i sigurt se me një zonë industriale e cila mund të ndërtohet dhe me një zonë jo tatimore pa doganë, atëherë bësoj se kemi shanse të punësojmë një numër të madh të njerëzve dhe ata do t'i kthehen më shumë punës e nuk do të mbeten me politikë që është një gjë e përditshme për të gjithë ata që jetojnë në Mitrovicë. Bajram Rexhepi: Unë mendoj se të gjithë qytetarët e Mitrovicës, shqiptarët e serbët dhe të gjithë komunitet e tjera e shikojnë pak me nostalgji Mitrovicën dhe të gjithë dëshirojnë që ajo t'i kthehet normalitetit dhe prespektivës të zhvillimit ekonomik se është një varfëri në të dy anët dhe siç e përmendi dhe z. Galluci e shikon Mitrovicën me dy njësi komunale ku një bord administrativ do të gjejë pika të përbashkëta të interesave të përbashkët dhe mendoj se segmenti ekonomik është hapësira që mund të afrojë komunitetet më së miri. Nikshiq: Unë e shoh Mitrovicën sipas planit të ndarë në dy komuna, por me një bord të përbashkët i cili do ketë një rol shumë të rëndësishëm se është një shembull i multietnicitetit dhe integrimit të qytetarëve të Mitrovicës. Në qytetin e Mitrovicës gjatë viteve janë bërë shumë projekte me karakter multietnik, por nuk kanë bërë asnjë projekt serioz për zhvillimin ekonomik të qytetit. Mitrovica ka burime që i kalonë dhe shumë qytete evropiane në këtë aspekt zgjidhet dhe problemi i papunësisë pasi 60% e popullsisë është e papunë. Haziri: Për ne ka qenë e rëndësishme që ta shohim Mitrovicën të bashkuar me një politikë integruese për një periudhë të caktuar. Qyteti i Mitrovicës me dy komuna do të krijonte mundësi integruese me organe të përbashkëta të cilat në pikat e interesit të organizimit të shërbimeve komunale do të arrijnë të përfitojnë dhe të ndërtojnë politikën aq të dëshiruar të integrimit e cila nënkupton që statuti i qytetit të Mitrovicës i jep trajtim të veçantë Mitrovicës në aspektin buxhetor, institucional dhe atë të zhvillimit duke krijuar aspektin e shumë pritur të kthimit në pronën e vet në veri pjesa më e madhe si dhe të qytetarëve serbë në jug. Nuk është sfidë e lehtë, por unë besoj që qyteti i Mitrovicës me dy komuna është zgjidhje dhe do ta integrojë Mitrovicën përgjithmonë. Bujar Milalli, student: Përpara se të përgjigjem për qytetin e Mitrovicës kisha një pyetje për z. Ivanoviç. A mendon se do të kishte qenë më mirë sikur dhe në Beograd do të bëhen dy komuna, apo dhe në ndonjë qytet tjetër serb? Akif Mehmeti, ushtar: Të ardhmen e Mitrovicës e shoh të bashkuar. Salla: Konsideroj se Mitrovica si qytet që mbërthen 7 vjet probleme pabarazi dhe jo zhvillim, mbi baza kombëtare ka zgjidhje, por hapi i saj është shtyrë edhe më tutje, sepse shtrohen shumë dilema dhe pyetje të paqarta. Kur kryeministrit të Kosovës nuk i lejohet që brenda territorit të Kosovës të udhëtojë i lirë dhe të shkojë në një aksion të 3 ministrive dhe të bëj pyllëzimin vlerësohet shumë realisht se sa e ndërlikuar është situata. Nuk ka lëvizje të lirë të qytetarëve dhe cila është zgjidhja? Në këtë situatë të ngrirë të ngrihen të gjitha shitblerjet e pronave të shqiptarëve dhe të serbëve, të mundësohen lëvizja e lirë e qytetarëve veri dhe jug si dhe deri sa të fillojë proçesi të dihet realisht dhe t'u shpjegohet qytetarëve e vërteta mbi statusin e Mitrovicës. Nysret Maxhera: Desha të pyes z. Rexhepi dhe Z. Ivanoviç që ashtu do ta bashkojnë Mitrovicën siç janë ulur nëpër skaje? Furxhi: Vendosjen në tryezë e ka caktuar BBC duke menduar më të mirën e mundshme, nuk ka lidhje me statusin e Mitrovicës, megjithatë faleminderit për ndërhyrjen tuaj. Salla: Ne i kemi të gjitha kushtet natyrore dhe intelektuale që të kemi një qytet shumë të avancuar dhe të civilizuar, vetëm se na duhet një ndihmë prej jashtë me na dhënë një shtytje e cila është e domosdoshme dhe në pikëpamje morale dhe materiale. Aleksandër Trajkovic, student serb: Desha t'ju pyes të gjithëve një nga një. Përse Kosova mos të mbetet pjesë e Serbisë, pra të jetë e varur nga Serbia? Furxhi: Ju vetë që bëtë pyetjen, çfarë mendoni? Trajkoviç: Unë nuk jam i prirur për ta menduar këtë gjë, janë politikanët ata që i mendojnë. Student serb: Mua më intereson komenti i zëvendëskryeministrit pse është politizuar kaq shumë proçesi i decentralizimit për kundër faktin se të gjithë ne e dimë cilat janë parimet e këtij proçesi. Po ashtu dua të dij nëse Kosova do të vazhdojë të jetë pjesë e Serbisë, atëherë ministrat serbë në qeverinë serbe do të duhet të mendonin se si do të dukej Mitrovica në atë kohë? Unë pajtohem me të gjithë këtu që një qytet i ndarë si Mitrovica nuk është aspak qytet. Unë nuk e di se çfarë ka qenë ky qytet më parë, por tani nuk ka shpirt fare. Galluçi: Unë mendoj se bashkësia ndërkombëtare mund të japë përgjigje në këto pyetje të vështira. Është e lehtë të kuptohet se janë dy pikëpamje të ndryshme për ardhmërinë e Kosovës dhe atë të Mitrovicës. Unë mendoj se bashkësia ndërkombëtare ka përgjegjësinë për të dhënë një lloj kuadri të gjendjes, megjithëse po vonohen ata janë duke e bërë. Varet shumë nga qytetarët, nga njerëzit që të gjejnë mënyrën për të jetuar bashkë në çfarëdo lloj situate që mund të krijohet në fund. Është e qartë se ka dallime të cilat nuk do mund t'i bashkojmë apo mënjanojmë kërkohet kohë. Ivanoviç: Unë pajtohem se pozicioni se si jemi ulur nuk është qëndrimi im politik. Qyteti i bashkuar do të jetë rrjedhojë e qetësimit të gjendjes, jo një projekt politik nga e cila do të nisi gjithçka. Nuk është detyra për të bashkuar qytetin, nëse gjërat do të qetësohen në jug dhe në veri që ne mund të lëvizim të lirë dhe të harrojmë për problemet, atëherë qyteti do të bashkohet. Ekziston një frikë serioze në veri se njerëzit do të dëbohen. Furxhi: Z. Haziri a duhet të tremben serbët se mund të dëbohen mbas përcaktimit të statusit? Haziri: Është e vërtetë se një pjesë e serbëve në pjesën veriore janë refugjatë nga komuna të tjera dhe nëse këta refugjatë kthehen në komunat e tyre do të krijohen rrethana krejt të tjera, sepse shqiptarët e Mitrovicës që kanë pronat, shtëpitë në pjesën veriore e kanë sot të pamundur të shkojnë të jetojnë atje. Prandaj në këtë raport nuk lejoj shumë spekullime, sepse ekziston një realitet që nuk duhet t'i frikësojë serbët. Mund ta këtë një lloj ndjenje tek refugjatët të cilët duan të kthehen në komunat e tyre, por në të njëjtën kohë dhe shqiptarët e Mitrovicës që kanë pronat në veri duhet të kthehen. Furxhi: BBC në shqip ishte në Mitrovicë këto ditë dhe mundësoi takimin midis një grupi nxënësish të gjimnazit Frank Bardhi në pjesën jugore të Mitrovicës dhe të gjimnazit me nxënës serbë të pjesës veriore. Aty BBC në shqip ka regjistruar posaçërisht për këtë debat edhe një pyetje nga një nxënëse e quajtur Ivana. Ivana: Çfarë perspektive më garantoni mua që unë të vazhdoj të qëndroj në Mitrovicë? Nikshiq: Unë jam e bindur që Kosova do të fitojë statusin e pavarësisë. Hapat që do ndërmarri më tutje do i tregojë koha. Minoritetet serbe, boshnjake, turke, ashkali, romë duhet patjetër të punojnë e jetojnë duke i qenë besnik qeverisë kosovare sepse vetëm kështu mundemi me ecë përpara. Rexhepi: Ne pretendojmë të jemi një shtet ligjor ku funksionon rendi dhe ligji, të kenë garanci gjithë qytetarët e Kosovës përsa i përket sigurisë dhe gjithë garancive të tjera. Do të trajtohen dhe qytetarë të barabartë të Kosovës po ashtu me disa privilegje gjatë integrimit në proçeset demokratike. Kështu që mund ta ndiejnë veten qytetarë të Kosovës dhe institucionet e Kosovës do ta garantojnë që ata ta ndiejnë veten të tillë. Ivanoviç: Shumë të rinj e bëjnë këtë pyetje, pavarësisht nëse janë shqiptarë apo serbë. Atë që tha znj. Nikshiq nuk është diçka që do ta qetësojë Ivanën jam i sigurt për këtë, mirëpo fatmirësisht ende nuk jemi në atë fazë. Të gjitha letrat janë mbi tavolinë, pra të shohim se çfarë do të ndodhë. Decentralizimi është shumë më tepër sesa temë politike për një tribunë. Me decentralizim, komuna veriore e Mitrovicës do të jetë komunë dhe ne si qytetarë të saj do të kemi të drejtë të rregullojmë sistemin tonë shëndetësor dhe arsimor, do të kemi të drejtë të kemi të mirat tona e t'i administrojmë ato si tokat etj, do të kemi kompetencë të mbledhim taksat, pra Ivana mund të shpresosh që si e re do të kesh rastin të marrësh pjesë në jetën publike dhe politike dhe kjo është me rëndësi që ju si të rinj të merni në dorë të ardhmen dhe jo t'ja lini në dorë të vjetërve, megjithë respektin që kam për ta, mirëpo të rinjtë do të hyjnë në përdorim. Në Mitrovicë duhet të mendosh pozitivisht. Furxhi: Vura re se në momente të caktuara reagonte duke aprovuar ose jo. Cili është mendimi juaj? Haziri: Pyetjes konkrete se çfarë i ofrojmë një të riu serb në Kosovë e në veçanti në Mitrovicë unë mund ta garantoj si shkollim në gjuhën amtare, përdorim të drejtës së alfabetit të gjuhës, liri të plotë të qarkullimit dhe të drejta të tjera si punësim, integrim sepse një Kosovë e pavarur i rregullon dhe i akomodon kërkesat dhe aspiratat legjitime të grupeve etnike që janë në Kosovë. Çdo konventë, çdo dokument i aprovuar në nivel ndërkombëtar dhe çdo e drejtë do të garantohet, mbrohet dhe do të mbështetet nga institucionet dhe popullata me shumicë shqiptare në Kosovë. Në rastin specifik ne do të duam të shtojmë atë që tha z. Ivanoviç të garantojmë pjesëmarrje në institucionet lokale, jetë aktive politike, e drejtë për të votuar dhe për të qenë e votuar dhe marrje mbi vete e përgjegjësive që i takojnë çdo qytetari. Rexhepi: Unë desha të them diçka që e përmendi z. Ivanoviç. Është shumë e vërtetë që gjatë bisedimeve nuk kam qenë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë, por në këtë pako ju mundësohet një kompetencë asimetrike përsa i përket shëndetësisë, edukimit ku sipas legjislacionit në fuqi, shëndetësia sekondare i takon ministrisë, por kjo duhet t'i takojë nivelit komunal dhe gjithashtu edukimi superior duhet të ketë influencë të madhe. Këto janë dy segmente që quhen kompetenca simetrike, por ka dhe gjëra të tjera si çështje sociale. Galluçi: Së pari unë dua të pajtohem që një sistem i unifikuar i ligjit, decentralizim i fuqishëm dhe lidhje transparente do të jenë një pjesë e rëndësishme e së ardhmes, gjithashtu dhe përfshirejn e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare në fushën e policisë, drejtësisë dhe sigurisë. KFOR - i do të mbetet në Kosovë ndoshta dhe për shumë kohë në të ardhmen. Furxhi: Marrim një pyetje tjetër nga salla nga Dastid Ferati: Ferati, nxënës: Përse nuk ndërmerrni vendime konkrete me anë të të cilave qyetarët e njërës pjesë do të ishin të mundur të shfrytëzonin objektet e domosdoshme nga pjesa tjetër si spitali, fakultetin, gjimnazin në pjesën jugore dhe objekte të tjera? Haziri: Pyetja është me vend dhe është presioni i përditshëm i asamblesë komunale të qytarëve që jetojnë si në pjesën veriore dhe atë jugore. Problemet që lidhen me shfrytëzimin e pronës, me objektet që janë pronë shtetërore janë të lidhura ngushtë me problemet e sigurisë dhe probleme të tjera që Mitrovica i ka si specifika. Ne nuk dëshirojmë që në këtë fazë të kemi shtytje që do të dëmtonte proçesin në përgjithësi dhe interesin e qytetarëve në kuptimin e shfrytëzimt të objekteve dhe pronës publike. Ne besojmë thellë që Mitrovica si çështje specifike do zgjidhet në pakon e statusit të Kosovës. Furxhi: Dastid, po ti çfarë objektesh apo çfarë do doje të vizitoje më lirisht në veri të Mitrovicës? Dastidi: Dëshira e politikanëve tanë është që të ketë liri të lëvizjes nga të dy palët, mirëpo përse nuk bëjnë asnjë përpjekje që unë të kem mundësi ta vizitoj për shembull spitalin të cilit i kam harruar dhe pamjen si e ka, apo gjykatën apo shkollën teknike të cilën unë nuk e kam parë kurrë si dhe shumë gjëra të rëndësishme historike që nuk mundemi t'i vizitojmë. Rexhepi: Kërkesa është plotësisht e drejtë dhe qytetarët kanë të drejtë të shfrytëzojnë këto objekte të cilat një kohë kanë qenë të përbashkëta, janë shfrytëzuar nga të gjithë qytetarët, pavarësisht nga etnitë. Ka patur tendenca dhe iniciativa menjëherë pas luftës me ndihmën e KFOR-it francez, një pjesë e personelit shëndetësor janë kthyer në pjesën veriore dhe mund të thuhet që ka qenë dhe një vendim politik, por i përkrahur nga forcat përgjegjëse për siguri, por kjo ka funksionuar në kohë më të shkurtër afro 3-4 muaj dhe ende nuk është krijuar një klimë e volitshme që mund të funksionojë, prandaj përgjigja do të ishte ne mund të marrim vendime, por nuk mund të implementojmë dhe nëse nuk implementohen ato nuk kanë ndonjë efekt të madh. Nikshiq: Unë punoj në fakultetin e metalurgjisë dhe prej viteve '90 kuadrot dhe studentët shqiptarë janë larguar nga objektet e fakultetit dhe kanë vazhduar të punojnë në objekte jo të përshtatshme në shkolla fillore, fabrika. E njëjta gjë ka ndodhur me nxënësit e shkollës së lartë që kanë qenë në konvikte, me shkollën e mesme teknike e fillore etj, po ashtu dhe me spitalin regjional i cili ndodhet në pjesën veriore. Në këtë drejtim jam optimiste se një ditë koha do të tregojë të drejtën dhe ata do të kthehen nëpër objektet tona. Ivanoviç: Unë nuk jam optimist aq i madh dhe nuk mendoj se do të ndodhë shumë shpejt sepse ekziston frika dhe pakënaqësia e njerëzve që mendojnë se integrimi politik për serbët e përjetojnë si një përpjekje për dëbim dhe okupim. Serbët e konsiderojnë kështu. Nuk duhet të kemi iluzione lidhur me këtë, kjo është frika që i detyron njerëzit të mbajnë një ndarje të tillë sepse ka një problem serioz serbët nuk mund të shkojnë në stacionet e autobuzit prej vitit 1998, nuk mund të shkojnë as në postë dhe në asnjë ndërtesë e cila ndodhet në jug, nuk mund të shkojnë në Prishtinë apo në qytete të tjera. Drita Paziu, doktoreshë: Jam gjinekologe dhe drejtoresha e spitalit në jug të qytetit. Pajtohem me popullin serb se kanë frikë të bëhen një Mitrovicë unike, por sipas mendimit tim kjo nuk është vetëm frikë por edhe çështje politike e lidhur me politikën e Beogradit. Për 4 vjet më radhë si drejtor i spitalit të Mitrovicës prej buxhetit të konsoliduar të Kosovës për mallrat dhe shërbimet, 300 mijë euro i kemi ndarë për pjesën veriore për ngrohje të spitalit dhe për ushqim të pacientëve. Ndërsa për këtë vit i kemi kaluar 250 mijë euro e nuk i kanë marrë. Me shkrim nuk kemi përgjigje se përse nuk duan pare nga ne, pasi kolegët tanë nuk duan të bashkohen me ne me kriju një Kosovë, por duan të jenë të lidhur me Beogradin. Emine Balaj, qytetare: Kam lindur dhe jetoj në pjesën e veriut, përtej Ibrit. I dëgjova të gjithë parafolësit dhe dua t'i bëj një pyetje direkte z. Ivanoviç. Përse fshihet e vërteta rreth lëvizjes së lirë dhe lejohet trumpetimi i serbëve që nuk kanë lëvizje të lirë kur dihet se lëvizje të lirë nuk kanë shqiptarët aty ku jetojnë serbët. Ali Ahmeti: Në kuadër të kësaj që u diskutua për çështjet e objekteve unë di që z. Ivanoviç dhe të tjerët për 7 vite me radhë kanë arritur që të përçojnë mesazhet dhe debate të ndryshme në 90% të territorit të Kosovës për serbët, për frikën etj. Por dua të di kur do organizohen debate të tilla në veriun e Kosovës në mënyrë që institucionet dhe të tjerët që i përkasin komunitetit shqiptar ta dërgojnë mesazhin tek komuniteti serb në mënyrë që ata të mos kenë frikë. Furxhi: Faleminderit për sugjerimin tuaj me siguri që do e bëjmë dhe një debat të tillë. Markoviç, serb: Jam korrespondent i Associate Press. Dëgjova edhe diskutimin e panelistëve si dhe diskutimin e të pranishmëve. Dikush tha që nuk mund të lëvizë lirisht nëpër Kosovë dhe kjo nuk është e vërtetë. Ai vetëm thotë që nuk mund të lëvizë, ndërsa përsa i përket shkollave më vjen mirë që thoni që shqiptarët kanë lëshuar fakultetin, së paku unë kështu e kuptova. Dhe së fundi, të kthehen serbët e ardhur në Mitrovicën veriore prej nga vijnë që t'u lirohen vendet shqiptarëve të pjesës veriore. Dhe Galluci insiston që siguria e lëvizjes është e plotë dhe unë tani do të eci në pjesën jugore e ju do të shihni që nëse flas në gjuhën serbe, do të gjendet dikush që do të më rrahë. Nxënës nga gjimnazi Frank Bardhi: Ky tha që dikush do ta rrahë, po të shëtis në anën jugore, ndërsa shqiptarët vetëm një hap të nxjerrin jashtë urës së Ibrit janë disa njerëz që këta i kanë quajtur roje të urës dhe nuk e di nëse janë përsëri apo jo, sepse nuk kemi guxuar të afrohemi, të cilët qëndrojnë aty , paguhen apo jo këtë nuk e di, të cilët reagojnë shumë dhunshëm. Desha të di nga z. Ivanoviç pasi ka më shumë kontakt me qytetarët e pjesës veriore, serbët që jetojnë në Kosovë e ndiejnë veten si qytetarë të Kosovës apo të Serbisë? Furxhi: Marrim një pyetje tjetër nga salla. Ivan Radiç: Unë vijë nga Ferizaj dhe jam i zhvendosur në pjesën veriore të Mitrovicës. Kam një pyetje për të gjithë mysafirët, natyrisht i përshëndes të gjithë. A ekzistojnë plane konkrete që pothuajse 250 mijë njerëz që janë të zhvendosur kryesisht në Serbi, por edhe në vende të tjera më në fund të fillojnë të kthehen në shtëpitë e tyre? Kam dhe një koment për zonjën që tha që nuk ka liri të shqiptarëve në enklavat serbe. Unë në Grashanicë shikoj shumë shqiptarë që vijnë e nxjerrin dokumente atje si dhe përgjigje për zotërinë që pyet qytetarët e kujt jemi ne. Me sa di unë, shumica e njerëzve këtu ka pasaporta jugosllave, kjo do të thotë që të gjithë jemi qytetarë të Serbisë edhe shqiptarët edhe serbët. Haziri: Në radhë të parë politika e kthimit është prioritet i institucioneve të Kosovës për gjithë qytetarët e saj, serbë edhe shqiptarë. Jemi në Mitrovicë ku pjesa më e madhe e shqiptarëve janë zhvendosur dhe jetojnë në kushte mjaft të rënda jetese. Unë jam ministër përgjegjës në koordinimin e këtij aktiviteti e mund t'i siguroj që Ferizaj këtë vit ka qenë shumë i sukseshëm në kthimin e serbëve në disa vendbanime dhe vetë kthimi urban si pjesë e angazhimit si dhe strukturat komunale po punojnë me banorët që ata të kthehen në vendet e tyre. Pjesa tjetër e komentit tim do të lidhet me atë që unë e quaj mundësi e krijimit të ambjentit politik, fatkeqësisht dhe prej gazetarëve për shkak të dallimeve etnike në shpjegimin e realitetit dhe në krijimin e mundësive që të ketë një integrim, një tolerancë më të madhe, një politikë integruese sepse pretendohet që në media të paraqitet gjendja krejt e kundërt me atë që ekziston. Furxhi: Cila shifra zyrtare, z. Haziri, e serbëve të kthyer në shtëpitë e tyre? Haziri: Le t'i referohemi shifrave neutrale, në Kosovë sipas shënimeve të qeverisë së Millosheviçit i cili nuk e pati fatin të ballafaqohej me drejtësinë, në Kosovë në vitin 1998 për shifra të luftës dhe sipas rendit statusor të Serbisë kanë jetuar gjithsej 198 mijë serbë dhe është e pamundshme nëse në vitin 1998 i kemi pas 198 mijë banorë me policë, me ushtarë, me administratë dhe me banorë kosovarë, tani të kemi 250 mijë refugjatë. Këto shifra nuk janë të qëndrueshme. Një organizatë ndërkombëtare e njohur si Iniciative Evropiane për Stabilitet ,vlerësimet dhe matjet që ka grumbulluar deri tani, tregojnë qartë që në Kosovë të gjithë nën statusin e të zhvendosurit dhe refugjatit shqiptar dhe serb janë 60 mijë qytetarë të Kosovës. Furxhi: Kombet e Bashkuara gjithmonë janë fokusuar z. Galluçi se si mund të kthehen të shpërngulurit në Kosovë. Kanë kaluar disa vite që administrata e kombeve të bashkuara është këtu, çfarë mendoni ju sa e mundur është dhe sa ka ecur ky proçes? Galluçi: Sapo desha t'ju kujtoj që dhe unë jam këtu dhe kishte shumë pyetje që u bënë. Natyrisht do të ketë nevojë për kohë në mënyrë që komunitetet në Kosovë të mësohen me sistemin e ri që po instalohet për ardhmëri, për të gjetur mënyrat që të krijojmë punë për ta. Me siguri që do të ketë ekstremistë nga të dyja anët që do duan të sabotojnë këto përpjekje. Shumica e njerëzve dëshirojnë që këtyre institucioneve t'u japim ca kohë kur flasim për kthimet, për lirinë e lëvizjes, zbatimin e rendit dhe ligjit. Nikshiq: Doja t'i përgjigjesha gazetarit serb i cili tha që ju vetë keni lëshuar objektet tona në fakultet. Nuk është e vërtetë që jemi larguar prej fakultetit në mënyrë jo humane dhe tani të flas në gjuhën time atë boshnjake do të thoja që nga fakulteti dhe objektet tona që kanë ekzistuar në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës jemi dëbuar me dhunë dhe në mënyrë jo njerëzore si profesorët ashtu edhe studentët. Rexhepi: Kam vetëm një koment për pyetjen e gazetarit të Associated Press. Tani flitet lirshëm serbisht edhe në Prishtinë dhe në çdo qytet të Kosovës. Garanci të plotë 100% nuk ka në asnjë vend, mirëpo nuk ka asnjë rrezikshmëri, siç ka qenë më parë. Përsa i përket shifrave të kthimit nuk do të hyjë në spekullime, pasi e shpjegoj z. Haziri, por kthimi do të jetë reciprok. Ivanoviç: Mua më duhet të përgjigjem për disa gjëra prandaj më duhet të flas shkurt. Në kuptimin juridik dhe z. Rexhepi dhe unë jemi qytetarë të Serbisë, rezoluta 1244 nuk e përjashton këtë. Është e pezulluar e drejta e Serbisë për një kohë të caktuar, por dhe kjo vetëm pjesërisht. Rezoluta nuk rregullon gjërat përjetësisht, përveçse nuk flet për statusin e këtë duhet ta shohim dhe për këtë duhet kohë. Haziri: Apeli im duhet nënkuptuar se çfarë po bëjmë për të ardhmen se historia e problemit do të sjellë shumë pasoja. Qeveria e Kosovës ka bërë përpjekje maksimale dhe ka lëshuar një protokoll në nivel të lartë me qeverinë e Serbisë për çështjen e kthimit. Ky protokoll është i detyrueshëm për të dy qeveritë që të zbatohet, nuk ka zhvillime sepse nuk ka vullnet politik nga ana e qeverisë së Serbisë. Jelena Dabetiç, serbe: Unë jam nga Peja dhe nuk ndihem fajtore, por nuk mund të shkoj në Pejë. Nuk kam mundur në këto 7 vjet të shkoj të marr dokumentet e mia në Prishtinë dhe për asgjë nuk ndihem fajtore. Pse mendoni se me pjesëmarrjen serbe në institucionet e Kosovës do të ndryshonte jeta e tyre? Ata kanë marrë pjesë deri në vitin 2004 dhe pastaj ndodhi 17 marsi. Haziri: Në radhë të parë konstatojmë që në nivel lokal serbët janë të integruar. Të gjitha komunat, forumet, institucionet të cilat përfshijnë dhe nënkryetarët shtesë janë të integruar. Bojkoti i përfaqësuesve politikë serbë prej disa serbëve apo përfaqësuesve politikë të tyre ekziston në institucionet qëndrore, qeverinë, në parlament. Këtu e kemi problemin më të madh. Integrimi i tyre në këto institucione do ta largonte ndikimin e Beogradit zyrtar, i cili është sabotues në këtë proçes. Ivanoviç: Në dallim nga fjalori burokrat i z. Haziri unë do të mundohem në mënyrë njerëzore t'jua shpjegoj. Mospjesmarrja jonë në institucione sigurisht nuk do t'i përkeqësojë gjërat sepse raportet mes këtyre dy bashkësive etnike janë thelluar dhe përkeqësuar shumë. Ne gati kemi nisur dhe një luftë qytetare mes vetes dhe situata nuk mund të përmirësohet kaq lehtë. Për ne është e domosdoshme të mbijetojmë dhe të kemi ndonjë lloj raporti me shumicën shqiptare dhe këto raporte mund të krijohen vetëm në kuadër të institucioneve, jo në rrugë, pavarësisht se disa mendojnë se mund të arrihet zgjidhja dhe në këtë mënyrë. Nga ana tjetër kemi praninë e bashkësisë ndërkombëtare dhe kjo është diçka që do zgjasë dhe për ca kohë. Galluçi: Unë mendoj se do të vijë koha jo dhe shumë larg ku secili duhet të marrë vendim për vete lidhur me atë se si do të përballet dhe merret me ndryshimet që do të vijnë. Ky është një vendim që secili duhet ta marrë për vete. Furxhi:Faleminderit z. Galluçi, të shohim se ç'mendojnë në sallë. Nyrten Mazhiqi: Jam nxënëse e gjimnazit këtu në Mitrovicë dhe pyetja ime për panelin është. Ju si politikanë, çfarë jeni duke bërë konkretisht për krijimin e lidhjeve mes të rinjve shqiptarë dhe atyre serbë? Furxhi: Kësaj pyetje po i shtojmë dhe një pyetje tjetër të një nxënëseje nga gjimnazi i pjesës jugore të Mitrovicës e cila ka bërë një pyetje posaçërisht për debatin tonë nga aktiviteti që përmenda më parë i BBC-së. Albana: Në emër të disa të rinjve nga gjimnazi Frank Bardhi do doja t'ju parashtroja një pyetje. Nëse ne do të organizonim një koncert në qytet me pjesëmarrjen e të rinjve shqiptarë dhe serbë, cili do të ishte kontributi juaj që ai të mbahej? Rexhepi: Do të provoj dhe në pyetjen e parashtruar nga Nyrteni që është e vërtetë që politikanët nuk kanë bërë mjaft që të inkurajojnë rininë që të kenë kontakte më të mëdhaja, mirëpo iniciativat në të kaluarën nuk kanë munguar dhe nga politikanët dhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe ata të zyrave të ndryshme ose organizatave joqeveritare qoftë për ekzibicione të ndryshme të pikturës, muzikës, tani edhe për sport, mirëpo asnjëherë nuk është mjaft që t'ju ndihmojmë. Ndonjëherë politikanët më tepër pamundësojnë këto kontakte se sa i inkurajojnë. Ky është një realitet i hidhur. Ndërsa përsa i përket kontributit ku do të mbahej një koncert, unë personalisht po mendoja dhe shumica e politikanëve që do të ishin pjesëmarrës në atë koncert dhe do të ishte një inkurajim dhe për qytetarët e tjerë që të thyhen ato barrierat. Furxhi: Zoti Ivanoviç, ju e besoni se mund të organizohet një koncert i tillë? Ivanoviç: Jo, tani kjo nuk është reale dhe të flas objektivisht, e di që ekziston dëshira e rinisë serbe dhe shqiptare që të takohen mes tyre, mirëpo rreziku i një tubimi të tillë është shumë i madh dhe ndonjë incident i mundur do ti kthente gjërat shumë më mbrapa. Unë nuk jam kundër organizimit të tubimeve të tilla, të rinjtë vetë duhet të organizojnë kontakte të tilla. Aspekti politikanëve nuk duhet të gjykohet, mirëpo jo që politikanët të insistojnë për koncerte të tilla sepse aspekti i sigurisë mendoj që nuk e lejon tani për tani një gjë të tillë, së paku jo në një të ardhme të afërt. Rexhepi: Ne kemi shembullin e Bambit që merr pjesë në Superligën e Kosovës që ka humbur vetëm një ndeshje dhe çdo kund ku ka shkuar është mirëpritur dhe lojtarët janë shumë të kënaqur. Ivanoviç: Këtu bëhet fjalë për 12 lojtarë, koncerti është një gjë më e madhe dhe e pakontrollueshme. Unë nuk jam për një gjë të tillë. Haziri: Unë besoj se nëse një iniciativë e tillë do të gjejë mbështetjen e qeverisë së Kosovës edhe të komunës, dhe nëse një grup i njohur rroku vjen në Mitrovicë jo vetëm serbët e Mitrovicës dhe të Kosovës, por edhe të Serbisë do të dëshironin të vinin sepse këtu nuk ka barrierë. Barriera më e madhe mes të rinjve 20 vjeçarë shqiptarë dhe serbë është se ata nuk kuptohen me gjuhët që flasin. Kjo është barriera kryesore sepse ata nuk kanë probleme të tjera serioze, por problemin e moskomunikimit dhe ne duhet të investojmë më shumë. Bekim Dulaku, nxënës, Frank Bardhi: Do të doja ta përshëndesja z. Rexhepi ku me atë përgjigje thjesht ka qenë zëri i popullit, mirëpo unë doja të shtoja pikërisht ku z. Ivanoviç po thekson se e ka një presion të madh pikërisht në ndeshjen Kastrioti - Bambi, rinia e Kosovës ka qenë ajo që ja ka duartrokitur fitoren Bambit. Furxhi: Z.Galluçi a mendoni ju si bashkësi ndërkombëtare që mund të ndihmonit në organizimin e një koncerti të tillë? Galluçi: Do të doja të gjeja një mënyrë që Bono dhe U2 të vinë të bëjnë koncert këtu në urë me grupe nga të gjitha komunitetet si pjesë e një programi më të madh. Mirëpo dua të theksoj që këtë verë kemi patur një rast praktik të bashkëpunimit të të rinjve në mënyrë praktike. UNDP ka financuar një fushatë për 3 muaj të pastrimit të bregut të lumit dhe shqiptarët, serbët, boshnjakët, turq dhe të gjithë së bashku kanë patur rastin të punojnë së bashku. Furxhi: Dua të falenderoj të gjithë pjesëmarrsit që ishin në sallën e qendrës kulturore të Mitrovicës, që morën pjesë në këtë debat. Faleminderit për durimin ndonëse ishte disi ftohtë, gjithashtu patëm dhe një ndërprerje të shkurtër të energjisë elektrike të cilën fatmirësisht e kapërcyem. Falenderoj gjithë pjesëtarët e panelit. Mirë u takofshim së shpejti në takime të tjera. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||