|
Energjia - malli më i pa paguar. | |||||||||||||||||||||||
Në disa rrethe të Shqipërisë, kryesisht në zonën veriore, energjia elektrike vazhdon te mbetet malli më i pa paguar. Në Shkodër prej gati 10 vitesh shumica e konsumatoreve familjare nuk i shlyejne faturat me pretendimin e mungesës së kontaktorëve si dhe të ndërprerjeve të zgjatura të energjisë gjatë ditës. Edhe aksionet e vazhdueshme që ka marrë policia elektrike për ndërprerjen e furnizimit me rrymë të debitoreve, nuk kanë dhënë shumë rezultat. Specialistët thonë se KESH-i duhet të përqëndrohet në instalimin e matësve të energjisë. Në kuadrin e bashkëpunimit tonë me radiot lokale për temën e energjisë, gazetari i Radio Shkodrës, Virtyt Omari, përgatiti materialin në vazhdim. Ndodhem në një nga pikat e arkëtimit të faturave të energjisë elektrike në qytetin tonë. Në sportelin e pagesës asnjëherë nuk krijohen rradhë klientësh që presin të shlyejnë faturat e energjisë. Në këto momente një grua ka dalë nga sporteli pasi ka bërë pagesën e muajit. "Më falni, i paguani rregullisht faturat e energjisë?" Përmirësim në furnizimin me energji Aktualisht situata e furnizimit me energji elektrike është përmirësuar, në krahasim me disa muaj më parë. Megjithatë në qytet kufizimet variojnë nga gjashtë deri në shtatë orë. Këto kufizime janë përqëndruar kryesisht nga ora tetë e mëngjesit deri në orën katërmbëdhjetë. Ndërsa gjatë orëve të mbrëmjes, në varësi të ngarkesës, ka ndërprerje një deri dy orë. Sipas paralajmërimeve që kanë bërë drejtuesit e ndërmarrjes elektrike këtu në Shkodër, kufizimet e energjisë pritet të rriten për shkak të nivelit të ulët të pagesës së faturave të energjisë nga konsumatorët. Drejtori i ndërmarrjes rajonale të KESH në Shkodër, Nesti Kiri, thotë se niveli i arkëtimit këtu në Shkodër për vitin 2005 –së, ishte jo më shumë se 40%. Sipas tij, me këtë shifër të ulët, Shkodra duhet të ketë kufizime dhjetë deri trembëdhjetë orë në ditë. "Përsa i përket kuotave të energjisë elektrike, Shkodra për momentin nuk po trajtohet sipas pagesës, dhe duke qenë situata e tillë Shkodra po trajtohet si një qytet në bazë të numrit të popullsisë që ka. Megjithatë ne kemi problemet tona të cilat janë arkëtimi i energjisë elektrike. Le ta kenë të qartë qytetarët e Shkodrës se në bazë të arkëtimit dhe në bazë të uljes së humbjeve do të jenë edhe investimet " thotë Nesti Kiri. Debitorët - konsumatorët familjarë Numrin më të madh të debitorëve ndaj KESH, vazhdojnë ta përbëjnë konsumatorët familjarë, kryesisht ata të zonave periferike ku akoma nuk janë vendosur matësat e energjisë. Ky është edhe justifikimi i konsumatorëve për mosshlyerjen e faturës afrofe e cila, sipas tyre, është shumë e lartë nga ç'konsumojnë realisht. "Unë nuk e shoh të arsyeshme të paguaj tridhjetë e gjashtë mijë lekë për arsye se matësi është treguesi që tregon sa kam konsumuar. Pra në qoftë se vihet matësi atëherë logjika ta thotë se unë paguaj energji aq sa konsumoj. Pra unë kam një dhomë e kuzhinë. Po ta llogarisësh muajin gusht që më vinte mua tridhjetë e gjashtë mijë lekë fatura, me katërmbëdhjetë orë pa drita, nuk është normale të paguaj një sasi të madhe leku pra tridhjetë e gjashtë mijë, në një kohë që konsumi është shumë i vogël në periudhën e verës .” thotë një qytetar i rastit". "Unë bëj pjesë në ato familje që e paguajnë rregullisht enegjinë elektrike. Së paku tre vitet e fundit në Shkodër vazhdohet njësoj që të marrin energji elektrike si ata që paguajnë ashtu dhe ata që s'paguajnë. Bile me ne që paguajmë, nganjëherë arkëtarët arrijnë deri aty sa thonë: - ju po qe se nuk i pagoni dritat do jua ndërpresim, ndërsa ata që vazhdojnë me afrofe marrin energji elektrike njëlloj si ne nuk paguajnë dhe harxhojnë tre- katër fishin tonë. Po, përveç familjarëve në Shkodër faturat e energjisë nuk paguhen edhe nga një pjesë e konsiderueshme subjektesh private, punishte, lokale apo njësi tregëtimi. Policia elektrike në veprim Por në disa raste sipas KESH debitorë janë ata që quhen biznese të mëdha. Pikërisht ndaj këtyreve subjekteve ditëve të fundit ka nisur një aksion i policisë elektrike për ndërprerjen e furnizimit me energji. Nëndrejtori i përgjithshëm i kësaj policije, Bujar Vukaj, thotë se në këto ditë të para të këtij aksioni u është ndërprerë energjia rreth njëzetë subjekteve të cilat janë paralajmëruar se në rast të lidhjes së paligjëshme do të kenë masa penalizuese ndaj tyre. "Puna e kësaj taskforce është e orientuar kryesisht në subjektet e mëdha debitore të këtij qyteti ku janë marrë masa drastike në drejtim të zbatimit të ligjit, ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike. Efekti i kësaj pune ka qenë i ndjeshëm. Sot në arkat e zonës elektrike të Shkodrës, sipas njoftimeve të momentit që kemi janë rritur ndjeshëm arkëtimet e këtyre subjekteve debitore. Në rastet kur këto subjekte nuk do t'i nënshtrohen, nuk do të pranojnë dhe nuk do të arkëtojnë vlerat e konsumuara të energjisë elektrike ne do ta zbatojmë ligjin gjer më një, me dërgimin e tyre në prokurori për ndjekjen e tyre penale, me heqjen, me demontimin e linjave të furnizimit, me heqjen e transformatorëve të linjës, masa këto të parashikuara në ligjin e energjisë elektrike dhe në aktet e tjera nënligjore , thotë Bujar Vukaj". Realiteti ka treguar se aksionet të tilla që janë marrë pothuajse dy-tre herë në vit nga policija elektrike, nuk i kanë dhënë ndonjë zgjidhje përfundimtare problemit të mospagesës së energjisë nga konsumatorët shkodranë. Sipas specialistëve, më shumë se tek gërshërët, KESH duhet të përqëndrohet në instalimin e matësve të energjisë, proces ky që ka filluar që prej dy vitesh dhe nuk dihet se kur do të përfundojë. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||