|
Auditoriumi sërish në Shqipëri | |||||||||||||||||||||||
Duke filluar nga nëntori 2005, BBC në Shqip risjell ciklin radio-televiziv të debateve nën titullin Auditorium, program me pjesëmarrje nga salla dhe interneti, me panel politikanësh dhe ekspertësh që u përgjigjen pyetjeve dhe komenteve. Programi i parë vjen nga Tirana, ku pyetjeve u përgjigjen Genc Ruli, ministër i Ekonomisë dhe Energjisë, Andis Harasani, deputet i PS-së, Eliona Kulluri-Bimbashi, sociologe, Antonela Hako, administratore biznesi dhe Gjergj Simaku, ekspert në fushën e energjisë. Debatet janë bashkëpunim i BBC-së me Televizionin Top Channel. Ky është cikli i dytë i Auditoriumit. I pari u realizua në gjashtë qytete universitare të Shqipërisë: Tiranë, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Korçë, Gjirokastër dhe trajtoi një mori çështjesh që kanë të bëjnë me rrugën e Shqipërisë drejt integrimit evropian. Në kuadrin e debateve u sollën edhe përvoja të vendeve të tjera në rajon. Për realizimin e këtyre debateve ndihmuan Ambasada Britanike në Tiranë si dhe universitetet shqiptare. Auditoriumi ishte dhe në Prishtinë ku shefi i UNMIK-ut dhe politikanë shqiptarë e serbë folën për aspekte të ndryshme të dialogut dhe realitetit ndëretnik në Kosovë. Çfarë mendoni për krizën energjetike në Shqipëri dhe si mund të kapërcehet ajo? Komentet tuaja Fatime Shahinlli, SHBA Mendimi im është se, për fat të keq, situata e sotme është pasojë e asaj që nuk ka ndodhur dje; e mungesës së strategjive dhe prioriteteve të duhura. Qeveritë në Shqipëri kanë preferuar taktikat afat-shkurtëra që krijojnë iluzione të rreme, por që pasohen me përfitime politike. Qeveritë deri më tani nuk kanë qënë mjaftueshmërisht të vullnetshme për të përcaktuar dhe zbatuar strategji afatgjata që do të kishin si efekt krijimin e një mjedisi solid për një zhvillim real, të shumanshëm dhe të vazhdueshëm. Kemi nevojë për një mentalitet dhe drejtim tjetër, politiko-ekonomik sidomos, por edhe shoqëror. Duke patur parasysh që ekonomitë e botës së sotme nuk mund të funksionojnë ashtu siç duhet, dhe nuk mund të konkurojnë në një botë që përditë e më shumë po hapet dhe liberalizohet nga globalizimi, pa energji, pa një forcë punëtorësh të mirëkualifikuar, pa një shtet apartiak. Atëhere pyetja ime për panelistët është: a është koha për një politikë të re në Shqipëri, një politikë konsensusi në lidhje me përcaktimin dhe zbatimin e prioriteteve dhe strategjive afatgjatë; strategjive në arsim, sektorin e energjetikës, e të tjera, që janë shtyllat e domosdoshme të ndërtimit të një shteti dhe vendi të shëndoshë ekonomikisht, politikisht, shoqërisht, dhe vertetë evropian? Astrit Curraj, Britani e Madhe Është e tmershme ajo që po ndodh në Shqipëri. Jemi sa një lagje e Romës dhe jemi pa drita gjatë gjithë kohës. Të ndalohet vjedhja e energjisë që nga konsumatorët në shkallë të gjerë deri tek zyrtarët e lartë të shtetit. Kjo është zgjidhja kryesore. Z Balla, SHBA Është iniciativë e mirë për shoqërinë shqiptare. Emision tepër interesant. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||