BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E diel, 12 dhjetor 2010 - 16:17 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Në Mitrovicë, jugu voton, veriu bojkoton

Ura e Mitrovicës
Ndërsa në pjesën jugore të Mitrovicës me shumicë shqiptare vërehet një trend në rritje i numrit të votuesve, në pjesën veriore serbët po bojkotojnë zgjedhjet e para parlamentare pas pavarësisë.

Sipas Komisionit Komunal Zgjedhor në orët e mëngjesit në komunën e Mitrovicës janë hapur 29 qendra votimi me mbi 100 vendvotime, duke përfshirë disa sosh në zonat e banuara me shqiptarë në veri.

Për shkak të kundërshtimit të serbëve, në pjesën veriore të Mitrovicës dhe në tri komunat serbe, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok nuk janë hapur vendvotime statike.

Ekipe lëvizëse të Fondacionit Ndërkombëtar për Sisteme Elektorale (IFES) ndodhen në veri për t’u mundësuar serbëve që dëshirojnë të votojnë ta ushtrojnë këtë të drejtë.

Por banorët serbë në Kosovën Veriore po i injorojnë zgjedhjet e Kosovës, të cilat sipas tyre janë të jashtëligjshme “pasi organizohen nga një shtet i rremë”.

Qytetarët serbë të intervsistuar thonë se do të dilnin vetëm në zgjedhjet që i organizon “shteti i tyre Serbia”.

Policia ka njoftuar për dy incidente në komunën e Zveçanit. Në një rast, rreth 40 serbë janë mbledhur rreth një vendvotimi lëvizës për të kundërshtuar mbajtjen e "zgjedhjeve të Kosovës". Në rastin tjetër, mjete piroteknike janë hedhur në drejtim të një ekipi lëvizës.

Pas këtyre incidenteve, IFES-i ka vendosur që të tërheqë ekipet lëvizëse që u sulmuan.

Zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicës, Besim Hoti tha se policia ka identifikuar dy të dyshuar për këto raste dhe ata janë marrë në paraburgim.

Ndërkohë pak para hapjes së kutive të votimit, një mjet shpërthyes është hedhur në një objekt që shfrytëzohej nga KFOR-i në komunën e Zubin Potokut.

Sipas zëdhënësit të policisë, Besim Hoti, gjendja në veri është e qetë dhe nën kontrollin e forcave të rendit. Në tërë rajonin e Mitrovicës që përfshin tri komuna shqiptarë e tri serbe për të ruajtur sigurinë janë angazhuar 1,000 policë kosovarë, ndërsa në mbështetje të tyre janë vënë edhe policët e Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit dhe forcat paqëruajtëse të NATO-s.

Të drejtë për të votuar në komunën e Mitrovicës kanë afër 87 mijë qytetarë, prej të cilëve mbi 15 mijë i përkasin komunitetit serb.

LOKALE
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>