|
EULEX-i zgjeron luftën ndaj krimit | |||||||||||||||||||||||
Xavier Bout de Marnhac u ka bërë me dije autoriteteve në Serbi rëndësinë e luftimit të krimit të organizuar, me theks të posaçëm në parandalimin e kontrabandimit të armëve dhe të narkotikëve, veçanërisht në veri të Kosovës. Zoti de Marnach citohet t’i ketë njoftuar zyrtarët serbë për shtimin e aktiviteteve të misionit të EULEX-it në veri dhe përpjekjet për përmirësimin e gjendjes së sigurisë me theks të posaçëm në këtë pjesë të vendit. Veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe, ka kundërshtuar bashkëpunimin me autoritetet në Prishtinë, në veçanti pas shpalljes së pavarësisë, në shkurt të vitit 2008, duke pamundësuar edhe funksionimin e rregullt të doganave të Kosovës në dy pikat kufitare në këtë pjesë të vendit. Ndërkohë zyrtarët serbë thuhet të kenë kenë kërkuar nga shefi i EULEX-it një bashkërendim të veprimeve në veri me Beogradin zyrtar dhe që misioni evropian ta ruajë, siç thuhet, paanshmërinë e tij. Në kumtesat e lëshuara nga EULEX-i dhe Ministria Serbe për Kosovën kërkohet mbajtja hapur e linjave të komunikimit, megjithëse zyrtarët serbë kanë deklaruar se çfarëdo përpjekjeje për ndryshim të njëanshëm në terren do të mund të vështirësojë dialogun. Shefi i EULEX-it, ka bërë me dije edhe rëndësinë e zgjidhjes së një numri incidentesh në këtë pjesë të Kosovës, që përshkallëzuan situatën në verën e këtij viti. Të paktën një person qe vrarë, në muajin korrik, nga një shpërthim ende i pasqaruar në veri të Kosovës ndërkohë që, pak javë më vonë, në një përleshje mes grupeve shqiptare dhe atyre serbe në urën e Lumit Ibër, një numër protestuesish qenë lënduar nga mjete të forta. Vizita e zotit de Marhnac në Beograd vjen në kohën kur BE-ja po përgatitet për të ndërmjetësuar një dialog mes Prishtinës e Beogradit për, siç është vlerësuar, çështjet e interesit të përbashkët. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||