BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 18 nëntor 2010 - 10:45 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Kreu i KFOR-it takon shefin e ushtrisë serbe

Trupa të KFOR-it
KFOR bisedon me drejtues të ushtrisë serbe për çështje të kufirit
Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Erhard Buhler ndodhet sot në Nish për bisedime me drejtuesit e ushtrisë serbe rreth çështjeve që kanë të bëjnë me kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjenerali Buhler e ka cilësuar këtë takim si vazhdimësi të bashkëpunimit ndërmjet KFOR-it dhe ushtrisë serbe, ndërsa ka mohuar njoftimet në disa media se takimi shënon përpjekjen e parë për fillimin e negociatave me palën serbe për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Para nisjes në Nish, ai ka deklaruar se çështja e kufirit Kosovë-Serbi është politike dhe KFOR-i nuk ka mandat ta diskutojë atë.

Ai tha se takimi i tij me shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë serbe është i karakterit njohës dhe rutinor, i ngjashëm me takimet që i kanë zhvilluar më parë paraardhësit e tij.

Gjenerali Buhler ka theksuar se temë e bisedimeve me drejtuesit e ushtrisë serbe do të jenë çështje administrative që kanë të bëjnë me kufirin, parandalimi i incidenteve në këtë zonë dhe patrullimi i përbashkët i forcave ushtarake të NATO-s dhe atyre serbe.

Sipas rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, KFOR-i është përgjegjës për ruajtjen e kufijve të Kosovës. Por në kuadër të ristrukturimit të kësaj force, KFOR-i tashmë ka filluar t’ia kalojë përgjegjësitë për kontrollin e kufijve policisë vendase.

Policia e Kosovës kohë më parë ka marrë përgjegjësitë për kufirin me Shqipërinë, ndërsa pritet që së shpejti ta bëjë këtë edhe me Maqedoninë. Para se të bëhet dorëzimi i përgjegjësive në këtë fushë, Kosova duhet ta kryejë procesin e demarkacionit me shtetet përkatëse fqinje.

Me autoritetet serbe këto bisedime ende nuk kanë filluar dhe ato pritet të jenë të vështira, pasi Serbia ende i referohet Kosovës si pjesë e territorit të saj.

Çështja e kufirit Kosovë-Serbi pritet të jetë në axhendën e bisedimeve të pritshme ndërmjet palëve, të cilat do të organizohen nga Bashkimi Evropian.

Ende nuk dihet kur do të mund të nisë ky dialog, por zyrtarët e Prishtinës kanë thënë se çështjet e rëndësishme nuk mund të diskutohen para se Kosova të kryejë zgjedhjet e përgjithshme që mbahen më 12 dhjetor dhe të formojë institucionet e reja që do të dalin nga to.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>