BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 18 nëntor 2010 - 16:06 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Konfirmohet bashkëpunimi KFOR-ushtri serbe

Trupa të KFOR-it
KFOR bisedon me drejtues të ushtrisë serbe për çështje të kufirit
Komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Erhard Buhler dhe shefi i ushtrisë serbe, gjeneral Miloje Miletiq e kanë vlerësuar të qetë dhe stabile situatën në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Të dy gjeneralët janë takuar në qytetin e Nishit në Serbinë Jugore, siç thuhet për të shkëmbyer informata dhe mendime mbi situatën e përgjithshme në Kosovë.

Kreu i KFOR-it dhe shefi i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura serbe e kanë vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet tyre si shumë të mirë, profesional dhe me respekt të ndërsjellë.

Sipas një njoftimi të forcës paqëruajtëse të NATO-s, në takimin e Nishit, gjenerali Buhler dhe gjenerali Miletiq janë pajtuar për vazhdimin e patrullimeve të përbashkëta në zonën kufitare ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Ata kanë vlerësuar se disa aktivitete kriminale nga të dyja anët e kufirit, si kontrabanda, imigrimet ilegale apo prerja e jashtëligjshme e pyjeve mund të rregullohen me bashkëpunim profesional të forcave të sigurisë së të dy anëve.

Zyrtarët e KFOR-it kanë mohuar që gjenerali gjerman Erhard Buhler të ketë shkuar në Nish për të diskutuar mundësinë e fillimit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shënimin e vijës kufitare.

Misioni i NATO-s në Kosovë thotë se takime të tilla ndërmjet gjeneralëve të KFOR-it dhe atyre serbë mbahen rregullisht pas obligimeve të dala nga “Marrëveshja e Kumanovës” e vitit 1999, mbi bazën e së cilës Serbia tërhoqi forcat e saj nga Kosova, të cilat u zëvendësuan me trupat e këmbësorisë të NATO-s.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>