|
Beqaj thotë 'strategjia për vizat këtë vit' | |||||||||||||||||||||||
Ministri kosovar i Integrimit Evropian, Besim Beqaj, thotë për BBC-në se lënia jashtë e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave me BE-në po bën që qytetarët e Kosovës ta ndjejnë vetën si të padëshiruar në Evropë. Por ai shpreh bindjen se ky izolim i Kosovës nuk do të zgjasë shumë. Sipas ministrit Beqaj, BE-ja pritet t’i ofrojë këtë vit autoriteteve të Prishtinës strategjinë për liberalizimin e vizave, me çka edhe zyrtarisht do të fillonin negociatat me Brukselin për këtë proces. Ai thotë se Kosova ka mbetur mbrapa vendeve të rajonit në këtë proces për shkak të moszgjidhjes së statusit të saj deri në vitit 2008, por thekson se ajo do të përmbushë kriteret për hyrjen në listën e bardhë Shëngen më shpejt se sa e kanë bërë shtetet fqinje. Violeta Hyseni bisedoi me ministrin e Integrimit Evropian, Besim Beqaj dhe fillimisht i kërkoi një reagim për vendimin e BE-së për heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën. Besim Beqaj: Më lejo që në fillim t’i përgëzoj qytetarët e Shqipërisë dhe të Bosnjës e Hercegovinës. Është një ditë e madhe për Shqipërinë dhe për Bosnjën dhe normalisht është një avancim i tërë rajonit drejt integrimin në BE. Është një moment i rëndësishëm i testeve të cilat ata i kanë pasur dhe një konfirmim i punës, të cilën e kanë bërë këto dy shtete. Si proces i përgjithshëm dhe si rrugë të cilën ne jemi duke e kaluar është e mirëseardhur. BBC: Por z. ministër, me këtë hap de facto u fuqizua izolimi i Kosovës në rajon. Të gjitha vendet liberalizuan vizat me BE-në, ndërsa Kosova tani mbetet vendi i vetëm, qytetarët e së cilës duhet të presin në radhë për të aplikuar për viza në zonën Shëngen. Përse po ndodh kjo, janë arsye të natyrës politike apo teknike? Besim Beqaj: Vetë fakti që Kosova është themeluar si shtet pak më shumë se sa dy vjet dhe përgjegjësitë, të cilat shteti është dashur t’i marrë, janë shumë prapa në krahasim me vendet e rajonit, ne duhet ta shohim këtë proces në këtë kontekst. Ne duhet ta shohim se Kosova si palë me bashkësinë ndërkombëtare, në këtë rast me Unionin Evropian është vetëm prej vitit 2008 e këndej dhe gjatë kësaj kohe janë bërë shumë punë, të cilat e kanë avancuar procesin e përafrimit të Kosovës me BE-në. Është e vërtetë se është shqetësim për qytetarët e Kosovës, sepse jemi në një situatë kur të gjitha vendet e rajonit tani lëvizin lirshëm, ndërsa kosovarët mbesin edhe më tutje të izoluar nga vendet tjera, sepse kjo krijon një ndjenjë të keqe, krijon një ndjenjë të qytetarit, i cili nuk është i lirë dhe nuk është i mirëseardhur në këto vende. Por ajo çka mund të them është se qeveria e Kosovës dhe ministria e Integrimit Evropian ka qenë e angazhuar në këtë periudhë në mënyrë shumë dinamike që të plotësohen parakushtet për të marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Kemi bërë të gjitha punët e nevojshme dhe realisht presim që shumë shpejt ky udhërrëfyes të na jipet. BBC: Por në Komisionin Evropian po thonë që Kosova nuk i ka përmbushur ende kriteret, për shembull, ne ende nuk i kemi dokumentet e regjistrimit civil, nuk i kemi pasaportat biometrike? Besim Beqaj: Duhet ta bëjmë vetëm një dallim në mes të proceseve, unë po flas për marrjen e strategjisë për liberalizimin e vizave, e cila nuk e ka parakusht as pasaportën biometrike, as regjistrin civil. Ato janë momente kur Kosova do të vlerësohet për të hyrë në listën e bardhë të Shëngenit, ajo çka i ka ndodh Shqipërisë në Parlamentin Evropian para një kohe apo ajo çka i ka ndodhur tani Shqipërisë dhe Bosnjës me vendim të Këshillit të Ministrave. Pra flasim për gjëra, të cilat janë në dy faza dhe ne jemi në përmbyllje të fazës së parë, e cila nënkupton marrjen e udhërrëfyesit dhe hyrjen në procese zyrtare për përgatitjen e reformave tjera. Por mund të ju them që Kosova që sot është shumë më mirë e përgatitur se sa vendet e rajonit kur e kanë filluar këtë proces, sepse ne kemi filluar procesin më vonë. BBC: Në çfarë kuptimi jemi më të përgatitur? Besim Beqaj: Jemi më të përgatitur sepse regjistri civil, i cili vendeve të rajonit u ka marrë tre-katër vjet për t’a digjitalizuar, ne sot e kemi atë të digjitalizuar më shumë se 75 përqind, Kosova sot i ka lidhjet në intranet në mes të komunave mbi 97 përqind, Kosova sot ka një menaxhim relativisht të mirë të integruar të kufirit në krahasim me vendet kur kanë filluar këtë proces. Prandaj në këtë drejtim, mendoj që gjërat janë duke lëvizur në qasje pozitive. BBC: Por Kosova ka më shumë probleme me fqinjin e saj verior, ne kemi probleme të pazgjidhura me Serbinë, kufirin atje nuk mund ta kontrollojmë dhe ky është një kriter që duhet plotësuar për liberalizim të vizave? Besim Beqaj: Ky kusht ka qenë edhe për Serbinë dhe ne jemi dëshmitarë të kërkesës së Serbisë për anëtarësim. Serbia e ka marrë pyetësorin, në të cilin realisht duhet të tregoë qartë se sa e madhe është Serbia dhe a do të përfshihet Kosova apo nuk do të përfshihet dhe informacionet janë se Kosova nuk do të përfshihet në këtë pyetësor, që realisht është sinjal shumë i rëndësishëm që Bashkimi Evropian e dërgon. Pra kërkon një punë dhe një angazhim permanent dhe në këtë drejtim, ajo çka ne mund të themi është që, nëse Shqipërisë, nëse Bosnjë e Hercegovinës dhe të gjitha vendeve të rajonit i ka marrë tre deri në pesë vjet ky proces, neve na merr dy deri në tre vjet në momentin kur fillohet. BBC: Pra ju besoni se këtë vit Kosova do ta marrë strategjinë e jo udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave? Besim Beqaj: Po, ne besojmë që në paketën për zgjerim, e cila pritet të publikohet të martën, ne presim në bazë të informatave dhe punën që e kemi bërë që Komisioni Evropian do ta thotë publikisht që Kosova e ka kryer punën e vet për marrjen e udhërrëfyesit, respektivisht strategjisë për liberalizimin e vizave dhe që do të kalojë në një fazë tjetër, të jepet ky udhërrëfyes dhe pastaj të kemi një procedurë tjetër për plotësimin e të gjitha atyre kritereve, të cilat janë të parapara me këtë strategji, me këtë udhërrëfyes. BBC: Dhe për sa kohë do të plotësohen kushtet? Besim Beqaj: Unë këtu desha të vazhdoj. Ne kemi biseduar me ministrin e brendshëm, Bajram Rexhepi dhe jemi shumë të bindur që nga ana jonë deri në fund të vitit 2011 do t’i plotësojmë të gjitha kriteret. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||