BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E premte, 05 nëntor 2010 - 16:33 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Marnhac bën thirrje për bisedime

EULEX
EULEX-i u shtri në tërë territorin e Kosovës në dhjetor 2008
Shefi i misionit të BE-së për sundimin e ligjit, Xavier Bout de Marnhac, bëri thirrje të premten në veriun e Mitrovicës që shqiptarët dhe serbët të bisedojnë me njëri-tjetrin, ndërkohë që tha se bashkësia ndërkombëtare duhet të bisedojë me të gjithë.

Zoti de Marnhac që ka vizituar Mitrovicën e veriut që prej marrjes së detyrës në krye të EULEX-it, tha se misioni që ai udhëheqë ka për qëllim forcimin e rendit dhe të ligjit.

"Qëllim imi është që të rris përkushtimin tonë kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të paligjshëm në të dyja anët e lumit, sepse jam i vetëdijshëm se ka lidhje në të dyja anët. Mendoj se askush në Kosovë nuk mund të pres përmirësim të dukshëm të gjendjes ekonomike, shtim të vendeve të punës pa një kornizë të mirë ligjore. Misioni i EULEX-it është i vendosur që të rris përkushtimin e tij në fushën e rendit dhe të ligjit," tha de Marnhac.

Xavier Bout de Marnhac mori detyrën e shefit të EULEX-it pas largimit të Yves de Kermabon, në tetor të këtij viti. Sikurse edhe pararendësi i tij, de Marnhac ka shërbyer me forcat paqeruajtëse të NATO-s përpara ardhjes në krye të misionit evropian. Ai mori drejtimin e EULEX-it pas kritikave të shumta për rezultate të pakta në fushën e rendit dhe të ligjit, në veçanti në luftimin e korrupsionit si dhe vendosjes së rendit në veri të Kosovës.

Misioni i EULEX-it, që njihet si misioni më i madh i BE-së, u shtri në tërë territorin e Kosovës në dhjetor të vitit 2008 pas kundërshtimeve të fuqishme të Beogradit zyrtar dhe ai vazhdon të mbajë një qëndrim të paanshëm ndaj statusit të Kosovës.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>