|
BE pret fillimin e shpejtë të dialogut | |||||||||||||||||||||||
Bashkimi Evropian thotë se, pavarësisht zhvillimeve politike në Kosovë, duhet të ketë një vazhdimësi të proceseve të filluara, në veçanti të dialogut të paralajmëruar edhe me Rezolutën e OKB-së, të miratuar në shtator të këtij viti. Zyrtarë të BE-së i thanë BBC-së se këshillimet me palët për dialogun kanë vazhduar për të përcaktuar një agjendë dhe se presin fillimin e shpejtë të bisedimeve për çështjet teknike të interesit të përbashkët. Ata thanë se këshillimet po zhvillohen edhe me aktorë të tjerë ndërkombëtarë meqë ky shënon, siç thanë, procesin më të madh të ndërmarrë nga BE-ja. Vetë përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, ka shfaqur shpresën e saj për fillimin e shpejtë të dialogut dhe ka deklaruar se do që ato të jenë të përqëndruara në çështjet teknike të interesit të përbashkët. Ndërkohë, Bashkimi Evropian thotë se është në dijeni të zhvillimeve politike në Kosovë dhe mundësive për organizimin e zgjedhjeve të hershme parlamentare, mbase edhe brenda këtij viti, por sipas tij nuk mund të ketë shtyrje të asnjë procesi negociator pavarësisht situatës së krijuar. Prishtina dhe Beogradi kanë shfaqur gatishmërinë e tyre për të hyrë në procesin e bisedimeve për çështjet teknike megjithëse thuhet se një takim i nivelit të lartë do të mund t’i paraprinte këtij fillimi. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||