|
Kosova në pritje të rrugëdaljes nga kriza | |||||||||||||||||||||||
Hedhja e mocionit të votëbesimit ndaj qeverisë në parlament, në Prishtinë po shihet si opsioni kryesor për dalje nga kriza institucionale në të cilën ka hyrë vendi, pas tërheqjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës nga koalicioni qeverisës me Partinë Demokratike. Partia që ka inicuar mocionin, Aleanca Kosova e Re, thotë se është shumë afër mbledhjes së 40 nënshkrimeve, aq sa i duhen për ta çuar në Parlament nismën për rrëzimin e qeverisë. Zyrtarë të kësaj partie besojnë se do të jenë në gjendje që ta dërgojnë të mërkurën këtë mocion në kryesinë e kuvendit. Sipas Kushtetutës, Kuvendi duhet të mblidhet brenda 2 deri 5 ditëve për ta votuar mocionin. Nëse për të votojnë shumica e thjeshtë e deputetëve, institucionet e Kosovës do të shpërbëhen ndërsa vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme brenda një afati kohor prej një muaji e gjysmë. Respektojnë vendimin e parlamentit Kryeministri Hashim Thaçi është shprehur i gatshëm që të pranojë çfarëdo vendimi që e merr Kuvendi i Kosovës si rrugëdalje nga kriza. “Unë do ta respektoj çdo vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Vendimet e mia do të jenë në përputhshmëri me vendimet që dalin nga Kuvendi". "Është në vullnetin e deputetëve dhe vendimet e tyre për mua janë të pranueshme e të respektueshme, si gjithmonë”, tha kryeministri Thaçi. Ish-partnerët e koalicionit qeverisës, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë vazhduar të akuzojnë njëra-tjetrën për shkaktimin e krizës. PDK-ja ka kritikuar ashpër mënyrën se si LDK-ja tërhoqi ministrat e saj nga qeveria, por kjo e fundit e arsyetoi veprimin e saj me pamundësinë për të qenë edhe më tutje pjesë e kësaj qeverisje. Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ish-presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë se do të pranojnë çdo zgjidhje kushtetuese për dalje nga kriza. “Të gjitha rrugët kushtetuese janë rrugë të arsyeshme. Deputetët e Parlamentit të Kosovës i kanë parasysh. LDK-ja do të marrë qëndrimin e vet në kohën e duhur për temat që shtrohen”, theksoi zoti Sejdiu. Pasojat e krizës Disa qytetarë të Prishtinës ndërkaq mendojnë se kriza në të cilën është zhytur vendi do ta dëmtojë Kosovën si në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm. “Mendoj se nuk është dashur të prishet koalicioni tani, është dashur të priten zgjedhjet e 13 shkurtit. Ndoshta qytetarët nuk po i vërejnë pasojat, por ato ndihen, sepse as nuk kemi ministër të punëve të jashtme, e as nuk funksionojnë pesë ministri dhe ky është një sinjal shumë i keq për shtetin e Kosovës”, shprehet një tregtar librash. “Në këtë mënyrë ne nuk përparojmë dhe me siguri se njohja e Kosovës do të jetë edhe më e dobët se sa mendojmë ne”, thotë një studente. Por si mund të dilet nga kjo gjendje, a janë zgjedhjet e jashtëzakonshme zgjidhja më e mirë, apo duhet pritur 13 shkurtin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme? Për këtë qytetarët kanë mendime të ndryshme. “Zgjedhjet janë të pashmangshme, vetëm ato mund ta nxjerrin Kosovën nga kjo gjendje”, thotë një qytetar. “Mendoj që është më mirë të priten zgjedhjet e 13 shkurtit që t’i jepet kohë edhe KQZ-së edhe subjekteve politike të përgatiten më mirë”, shprehet një qytetar i Prishtinës. Në vallen e mbajtjes ose jo të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, nuk ka pasur presion nga opinioni publik. Vendimi ka mbetur ekskluzivisht në vullnetin e forcave politike. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||