BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 21 tetor 2010 - 10:55 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Kosova pa konsensus për dalje nga kriza

Pamje nga Prishtina
Subjektet politike në Kosovë nuk kanë arritur ende konsensus për daljen e vendit nga kriza institucionale që është shkaktuar me tërheqjen e Lidhjes Demokratike nga koalicioni qeverisës.

Partia Demokratike, të cilës i ka mbetur barra e udhëheqjes me institucionet qëndrore premton se së shpejti do të ketë rrugëdalje nga kriza.

PDK nuk dëshiron që të vazhdojë të qeverisë e vetme vendin deri në zgjedhjet e përgjithshme të caktuara më datën 13 shkurt.

Zyrtarë të saj thonë se kjo parti ka humbur legjitimitetin për ta udhëhequr presidencën, qeverinë dhe kuvendin pas tërheqjes nga koalicioni të partnerit të dikurshëm, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Qëndrimi i PDK-së

Partia Demokratike angazhohet për ngritjen e mocionit të votëbesimit për qeverinë, që do t’i paraprinte mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Një anëtar i kryesisë së PDK-së, Memli Krasniqi nuk ka dashur të thotë nëse vetë kryeministri do të kërkojë votëbesimin e qeverisë së tij në parlament, apo nëse grupi parlamentar i partisë do ta inicojë këtë procedurë.

Ai tha se zgjatja e boshllëkut institucional është e dëmshme për Kosovën dhe premtoi daljen e shpejtë nga kjo gjendje.

“Për neve të gjitha zgjidhjet kushtetuese janë të pranueshme, për ne është me rëndësi që vendi të dalë nga kriza sa më shpejt që është e mundur”

“Askush nuk mund ta mohojë se vendi është në krizë institucionale, sot ka ministri që LDK-ja i ka lënë shkret”, tha zoti Krasniqi.

Mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për herë të parë nuk e ka kundërshtuar as Lidhja Demokratike e Kosovës.

Reagimi i LDK-së për zgjedhjet

Sekretari për marrëdhënie ndërkombëtare i LDK-së, Skënder Hyseni tha se LDK do të parapëlqente që zgjedhjet të mbaheshin në kohën e caktuar, përkatësisht më 13 shkurt, por nuk është as kundër mbajtjes më herët të tyre.

Por sipas tij, organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në muajin dhjetor, do ta bënte të vështirë vëzhgimin e tyre nga një mision i huaj, me çka mund të rrezikohet legjitimiteti ndërkombëtar i zgjedhjeve.

“E vetmja gjë të cilën LDK-ja nuk e dëshiron është kontestimi eventual i atyre rezultateve nga cilado forcë politike e Kosovës dhe unë ju siguroj se LDK nuk do ta kontestonte asnjëherë një proces të rregullt zgjedhor”

“Nuk duhet ta përjashtojmë si mundësi që mund të ketë forca politike që mund ta shfrytëzojnë si alibi mungesën e vëzhguesve ndërkombëtare që të vendosin pikëpyetje në rregullsinë dhe ligjshmërinë e këtij procesi zgjedhor”, deklaroi zoti Hyseni.

Kundërshtimet dhe opsionet e opozitës

Kundërshtarja më e fortë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme mbetet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë. Kjo parti këmbëngulë në respektimin e afatit të caktuar më parë për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme.

“Për bindjen tonë qeveria e Republikës së Kosovës që moti e ka humbur funksionalitetin, sidomos pas zgjedhjeve të kaluara lokale, por nëse ka pak vullnet politik mund të sigurohet një pajtueshmëri e funksionimit të kuvendit dhe qeverisë deri më 13 shkurt”, tha Blerim Shala, nënkryetar i AAK-së.

Në përpjekje të përafrimit të qëndrimeve për dalje nga kriza institucionale në të cilën ka hyrë vendi që nga fillimi i kësaj jave, Aleanca Kosova e Re e Behxhet Pacollit ka ftuar të enjten partitë opozitare të diskutojnë për këtë çështje.

Kjo parti nuk është kundër mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe nuk përjashtohet mundësia që pikërisht grupi parlamentar i AKR-së, të iniciojë në parlament mocionin e votëbesimit për qeverinë.

Nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Makolli ka thënë se subjektet politike duhet të sillen me përgjegjshmëri ndaj situatës së krijuar.

“Secili subjekt politik, ose secili grup parlamentar e ka përgjegjësinë që të veprojë në raport me nevojat e vendit. Ne si subjekt politik dhe si grup parlamentar po i shqyrtojmë modalitetet për të dhënë ndihmesën tonë në drejtim të zhbllokimit të kësaj gjendje”, u shpreh ai.

Ndërsa vazhdojnë konsultimet ndërmjet subjekteve politike për daljen nga kriza, grupi punues për reformat zgjedhore ka paralajmëruar se të premtën r mund të finalizojë propozimet e tij për ndryshimin e ligjit për zgjedhjet, që pastaj duhet të miratohen në parlament.

Megjithatë votimet e reja në Kosovë pritet të organizohen me shumë pak ndryshime nga ato paraprake për shkak të kohës së shkurtër në dispozicion për reforma përmbajtësore në legjislacionin zgjedhor.

Vitin e kaluar, Komisioni Evropian i kishte kërkuar Kosovën që të bënte ndryshime në ligj, për të shmangur parregullsitë që u vënë re në zgjedhjet lokale të 2009-tës.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>