BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 21 tetor 2010 - 14:16 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Çështje të lirisë së shtypit në Ballkan
Logo e organizatës 'Reporterë pa Kufij'
Raporti i fundit vëren përkeqësim të gjendjes së lirisë së shtypit
Organizata 'Reporterët pa Kufij' në një raport të saj ka vlerësuar se liria e shtypit në vendet e rajonit të Ballkanit ka shënuar përkeqësim.

Sipas raportit, autoritetet në vendet e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë ta cilësojnë shtypin, siç thuhet, organ të pushtetit.

Njëri nga drejtuesit e organizatës 'Reporterët pa Kufij', Olivier Basille, i tha BBC-së se liria e shtypit është përkeqësuar në veçanti në Mal të Zi dhe Kosovë ku presioni ndaj mediave është rritur. Ai tha se në të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit ka një konflikt të madh ndërmjet politikanëve dhe mënyrës se si është i organizuar shtypi.

Në një intervistë dhënë korrespondentit të BBC-së në Prishtinë, Arbër Vllahiu, zoti Basille numëroi një varg problemesh me të cilat përballen gazetarët në këto vende, por tha se një prej mangësive është edhe mungesa e investimeve të huaja në këtë fushë.

Sipas raportit të organizatës 'Reporterët pa Kufij', Kosova renditet në vendin e 92-të për sa i përket lirisë së shtypit dhe është 35 vende më keq se sa dy vjet më parë.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, Imer Mushkolaj i tha korrespondentit të BBC-së, Muharrem Nitaj, se fajtori kryesor për një gjendje të tillë, është qeveria e vendit, e cila sipas tij, ka vendosur një kontroll politik dhe financiar mbi shumicën e mediave.

Raporti vjetor i “Reporterë pa Kufij” e rendit Shqipërinë në vendin e 80 nga 178 vende për indeksin e lirisë së shtypit, duke shënuar një rritje me 8 vende nga viti i kaluar, por pa e arritur vendin që pati dy vite më parë.

Aleksandër Çipa, presidenti i Unionit të Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, i tha korrespondentit të BBC-së në Tiranë, Ilir Kadia, se përparimi është real pasi, gjatë vitit të kaluar, rastet e dhunimit të gazetarëve ishin më të pakta por, sipas tij, ende nuk jemi shumë larg nga indeksi i arritur në vitin 2003-2004 kur u kap vendi i 50-të.

Në raportin për indeksin e lirisë së medias, nga Organizata 'Reporterë pa Kufij”, Maqedonia ka shënuar një rënie të madhe, nga vendi 34, tani radhitet në vendin e 68.

Gazmend Ajdini, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë i tha korrespondentit të BBC-së në Shkup, Nazim Rashidi se është vlersim edhe i tyre që liria e media shënon hapa prapa në Maqedoni.

Për çështjet e shtruara në intervistat e mësipërme dhe raportin e fundit të organizatës 'Reporterë pa Kufij', ju mund të shprehni opinionin tuaj, duke na shkruar në adresën albanian@bbc.co.uk.

Komentet tuaja

"Presioni i shtuar dita-ditës ndaj mediave të cilat ia prishin qetësinë institucioneve dhe vasalëve të tyre sa vjen e shtohet. Një faktor tjetër është edhe mungesa e fondeve të pamjaftueshme të funksionimit të pavarur të tyre. Si shembull mund të marrim një gazetë ditore e cila nuk është e afërt ose e "dëgjueshme" e qeverisë, ajo nuk e fiton të drejtën për asnjë Njoftimi apo edhe Reklamë."
Shani Hoti, Rahovec, Kosovë

Liria e shtypit dhe shprehjes së lirë në Ballkan është e zymtë për arsye se në qeverisje janë struktura komuniste (pluri-par-titiste)!
Isuf Bajrami, Kosovë

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>