BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 14 tetor 2010 - 12:46 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Kuçi: Dialogu i vërtetë pas zgjedhjeve
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi
Kosova do të jetë pozitive për bashkëpunime ndërshtetërore
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi i ka thënë BBC-së se dialogu i vërtetë me Beogradin nuk mund të fillojë deri pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.

Ai tha se për këtë çështje ka nevojë të ketë konsensus nacional, prandaj institucionet e Kosovës kanë nevojë që të forcojnë legjitimitetin e tyre para se të hyjnë në procesin e bisedimeve me palën serbe.

Sipas zotit Kuçi, Kosova nuk është e interesuar që dialogu Prishtinë-Beograd të bëhet pjesë e fushatës zgjedhore dhe e përplasjeve mes subjekteve politike.

Megjithatë në intervistën dhënë BBC-së, ai la të hapur mundësinë që të ketë “takime simbolike” mes Prishtinës dhe Beogradit për çështje teknike dhe më lehtë të zgjidhshme.

Komentet e zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi pasojnë thirrjen e sekretares amerikane të shtetit, Hilary Clinton bërë Prishtinës dhe Beogradit gjatë vizitës në rajon për fillimin sa më të shpejtë të dialogut ndërmjet tyre.

Korrespondentja e BBC-së në Prishtinë, Violeta Hyseni bisedoi me zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi dhe fillimisht e pyeti se si e kishte kuptuar qeveria mesazhin e sekretares Clinton për fillimin e menjëhershëm të dialogut, pavarësisht përgatitjeve të Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Hajredin Kuçi: Besoj se mesazhi i sekretares amerikane ishte i qartë në dy drejtime, e para nevoja për dialog për çështje praktike të dy vendeve për çka edhe ne kemi qenë dakord dhe, e dyta ishin çështjet që mund të dialogohen apo më mirë të them që nuk mund të dialogohen, siç është pavarësia e Kosovës, sovraniteti dhe tërësia territoriale.

Në këtë drejtim kemi pikëpamje të njëjta me qeverinë amerikane dhe, natyrisht, kemi mbështetje të plotë, por poashtu besoj edhe me shumicën e shteteve anëtare të BE-së.

Mendoj që kjo është një nxitje e madhe për shtetet e rajonit, për bashkëpunimin rajonal, për proceset integruese dhe për trajtimin e barabartë të njëri-tjetrit dhe kështu besoj se duhet ta kuptojmë edhe mesazhin e sekretares amerikane.

BBC: Por duket që Prishtina zyrtare këto ditë e ka anashkaluar dialogun për shkak të çështjeve të brendshme. Kur mund të fillojë dialogu me Beogradin, a ka gatishmëri që ai të fillojë menjëherë, pavarësisht përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme?

Hajredin Kuçi: Ne kemi qenë të kujdesshëm në legjitimitetin e atij dialogu. Sado që mund ta ketë legjitimitetin një subjekt politik, kjo është çështje që kërkon konsensus nacional dhe është çështje që nuk duhet të jetë pjesë e procesit të brendshëm në kuptimin e garës elektorale, ngase ne mund të kemi gara brenda për brenda, por përballë dialogut me Serbinë dhe proceseve integruese kemi konsensus nacional.

Ne kemi menduar dhe mendojmë edhe sot e kësaj dite se ka nevojë për forcim të këtij legjitimiteti, ka nevojë për një rilegjitimim të pozicionit aktual të qeverisë, në mënyrë që institucionet e dalura pas votimeve që do të bëhen në Kosovë të kenë legjitimitetin e plotë dhe pastaj nëse në fillim duket që dinamika po shkon më ngadalë me siguri që dialogu i mëpastajmë do të ishte më legjitim, me dinamikë më të përshpejtuar, por do të thoja edhe më një guxim në vendimmarrje.

BBC: Dhe si do të veproni në këtë rast, do ta dëgjoni faktorin ndërkombëtar që po kërkon nisjen sa më parë të dialogun me Beogradin?

Hajredin Kuçi: Ne jemi shumë të kujdesshëm përballë këshillave dhe sugjerimeve që i marrim nga miqtë tani, veçanërisht nga SHBA-ja dhe BE-ja. Por në këtë drejtim duhet të kemi parasysh gjithmonë harmonizimin me faktor politik legjitim të vendit tonë, njëkohësisht do të jemi të kujdesshëm për legjitimitetin e brendshëm që momentalisht është i brishtë në Kosovë.

Unë jam i bindur që dialogu i vërtetë do të fillojë pas zgjedhjeve nacionale që do të mbahen në Kosovë. Mund të ketë simbolika të tilla, por dialogu i njëmendtë nuk mund të fillojë para se të kemi legjitimitet të ri elektoral.

BBC: Po dialogu për çështje teknike që janë më lehtë të zgjidhshme?

Hajredin Kuçi: Ka çështje për të cilat ne edhe më parë kemi pranuar, për shembull çështja e personave të zhdukur ku kemi pasur grupet punuese dhe mund të vazhdojmë me intensitet të njejtë apo të shtuar, por jo për çështje që prekin sensitivitetin politik të ndjeshmërisë së raporteve mes dy vendeve.

Është shumë e rëndësishme të definohen temat, vendi dhe afati i bisedimeve.

Unë dua të besoj se mesazhet janë të qartë për trajtim mes dy shteteve të barabarta, për tema me karakter ndërshtetëror dhe për integrime rajonale dhe evropiane.

Kosova nuk ka arsye që t’i frikësohet dialogut as tash as në të ardhmen.

Nëse ka tendenca të tjera, ne duhet të presim që kur forcimi i legjitimitetit tonë do ta forcojë edhe pozicionin e secilit veç e veç. Nuk guxojmë që garën e brendshme ta bartim në punën e dialogut apo edhe çështja e dialogut të ketë impakt në mendimet e votuesve të vendit tonë.

BBC: Por zoti zëvendëskryeministër, mos po e humb Prishtina momentumin për të filluar bisedimet e para pas pavarësisë me Beogradin, kjo sidomos kur kemi parasysh se Beogradi ka bërë kompromise për dialog duke pranuar që të ndryshohet rezoluta me propozimin e Bashkimit Evropian?

Hajredin Kuçi: Prishtina ka bërë kompromiset e duhura me pakon e presidentit Ahtisari dhe në atë drejtim besoj që kanë qenë kompromiset maksimale të mundura, të cilat kanë garantuar një balanc etnik të të drejtave në Kosovë, por edhe një balanc gjeografik të ushtrimit të sovranitetit në territorin e republikës sonë.

Në anën e Kosovës nuk ka mbetur ndonjë kompromis tjetër. Ka mbetur që tani të kemi një sqarim të përhershëm, do të thoja, të raporteve Kosovë-Serbi, një ndërprerje të një logjike konfliktueze mbi njëshekullore dhe krijimit të një logjike të re të bashkëpunimit ndërshtetëror.

Nëse qëllimi i këtij dialogu është krijimi i marrëdhënieve të reja, përceptimit të ri për dy shtetet dhe në tërësi për rajonin, aty mund të ketë sukses.

Nëse dikush ka për qëllim që ta përhapë në këtë dialog ndonjë çështje që tashmë është e mbyllur, atëherë nuk do të kemi dialog, por do të kemi dialog për konflikte të reja, për çka qeveria e Kosovës do të jetë e kujdesshme dhe do të jetë gjithmonë konstruktive në bisedat që do të jenë.

Kosova do të jetë pozitive për bashkëpunime të barabarta ndërshtetërore.

BBC: Ju është kërkuar nga Bashkimi Evropian që të propozoni axhendën e këtij dialogu?

Hajredin Kuçi: Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Kosova gjithmonë përballë faktorit ndërkombëtar ka qenë e kujdesshme në kryerjen e obligimeve që kërkohen dhe në plotësimin e zotimeve që ne i kemi dhënë para bashkësisë ndërkombëtare.

Ne kemi dhënë një propozim kornizë për temat që mund të jenë, por natyrisht që mund t’i japë edhe qeveria e Beogradit dhe pastaj do të jetë BE-ja ajo që i harmonizon këto tema.

Por dialogu i parë do të jetë për tema që mund të diskutohen apo nuk mund të diskutohen dhe këtu ka nevojë për një konsensus mes palëve që dialogojnë, por edhe një konsensus në vetë BE-në.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>