BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E shtunë, 09 tetor 2010 - 16:08 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Sejdiu kundër bisedimeve për veriun

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu
"Integrimi i qytetit të ndarë të Mitrovicës - sipas Planit Ahtisari"
Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka hedhur poshtë mundësinë që për veriun e Mitrovicës të diskutohet në bisedimet e pritshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Integrimi i qytetit të ndarë të Mitrovicës, sipas tij, duhet të mbështetet në planin e Ahtisarit, i cili sugjeron krijimin e një komune të re në veri që do të udhehiqej nga serbët, por që do të ishte nën jurisdiksionin e Prishtinës.

Zoti Sejdiu gjatë një vizite në Mitrovicë në cilësinë e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se institucionet e vendit nuk kanë një plan alternativ për Mitrovicën, përveç atij të ish-ndërmjetësit të OKB-së për statusin, Marti Ahtisari.

“Projekti Ahtisari është miratuar nga të gjithë dhe unë nuk kam dëgjuar zëra që do të jetë ndryshe”, tha ai.

Fatmir Sejdiu që pak ditë më parë dha dorëheqje nga posti i Presidentit të Kosovës, përsëriti qëndrimin e tij se me Serbinë nuk mund të bisedohet për çështje që prekin sovranitetin e shtetit siç është veriu.

“E kam thënë edhe kur kam qenë president se Kosova është e gatshme të bisedojë me Republikën e Serbisë në të gjitha temat që janë në interes të qytetarëve, por gjithmonë duke pasur parasysh raportin e bisedave mes dy shteteve sovrane”, deklaroi ai.

“Nuk do të bisedohet asnjëherë për çështjen e statusit, për çështje që kanë të bëjnë me integritetin e vendit, ri-rregullimin e brendshëm të vendit sikur që ka insistime, por tema që janë të larmishme. Për shembull, pse të mos bisedohet për lirinë e lëvizjes, për bashkëpunimet ekonomike, për parandalimin e krimit të organizuar apo për probleme rajonale?” u shpreh zoti Sejdiu.

Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është përcaktuar me rezolutën e Serbisë dhe BE-së të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së para një muaji.

Bisedimet ishte menduar të fillonin sa më parë me ndihmën e Bashkimit Evropian që do të luante rol lehtësues, por ato ka gjasa që të shtyhen për disa muaj pasi Kosova po përgatitet për të mbajtur zgjedhje të parakohshme pas dorëheqjes së presidentit Fatmir Sejdiu.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>