BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 07 tetor 2010 - 09:52 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Vazhdojnë konsultimet për dialogun

Logo e BE-së
BE-ja po konsultohet me partnerët ndërkombëtarë dhe dy palët
Zyrtarë të Bashkimit Evropian thonë se po vazhdojnë këshillimet me partnerët ndërkombëtarë dhe me Prishtinën e Beogradin, me qëllim të pajtimit të përbashkët mbi mënyrat e ecjes përpara në bisedimet e ofruara.

Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Maja Kocijançiq, i ka deklaruar BBC-së se këshillimet kanë filluar dy javë më parë, gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, por ato nuk kanë përfunduar ende.

“Qëllimi është që të fillojë dialogu sa më shpejt të jetë e mundur, por duhet, gjithashtu, të sigurohemi që ai të përgatitet. Kjo mund të marrë kohë prandaj nuk mund të ofrojmë një afat të caktuar se kur mund të fillojë dialogu”, tha Maja Kocijançiq.

Ajo tha se BE-ja është në dijeni të zhvillimeve politike në Kosovë, por vlerësoi se është me rëndësi që të sigurohet vazhdimësia e punës dhe e përparimit drejt integrimeve evropiane.

Sipas saj, dialogu e ka mbështetjen e gjerë të forcave politike në Kosovë.

Hapja e dialogut mes Prishtinës e Beogradit është përcaktuar me një rezolutë të miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, një muaj më parë.

BE-ja ka deklaruar se është e gatshme që ta lehtësojë dialogun.

Megjithatë, bisedimet mund të marrin një impuls të ri pas vizitës që pritet të zhvillojë në rajon Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton.

Bisedimet mes palëve për çështjet e interesit të përbashkët, ka gjasa që të shtyhen për disa muaj, për shkak të zhvillimeve të brendshme politike në Kosovë, që do të çojnë në zgjedhjet e parakohshme.

Të dyja palët kanë deklaruar se janë të gatshme për bisedime, por autoritetet në Prishtinë kanë deklaruar se nuk do të përgjigjen në kërkesat e Beogradit për rihapjen e çështjes së statusit të Kosovës.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>