|
Konsultime para bisedimeve Kosovë-Serbi | |||||||||||||||||||||||
Zyrtarë të BE-së, përfshirë përfaqësuesen e Lartë për politikë të Jashtme, Catherine Ashton, u kanë kërkuar Prishtinës e Beogradit, që të përcaktojnë fushat e interesit të përbashkët, të cilat do të mund të trajtoheshin në bisedimet ndërmjet tyre. Kërkesa e diplomatëve evropianë thuhet të jetë bërë me qëllim të përshpejtimit të takimit ndërmjet palëve dhe pamundësimit të, siç vlerësohet, dështimit të bisedimeve për shkak të përplasjeve për çështjen e axhendës. Udhëheqësit politikë të Kosovës dhe Serbisë kanë ripërsëritur qëndrimet e tyre për çështjen e bisedimeve, megjithëse kanë pranuar se dialogu mes tyre është i domosdoshëm për, siç thuhet, pajtimin e dy popujve në Ballkan. Bisedimet që pritet të zhvillohen nga fundi i muajit tetor, do të duhej të fillonin me takimin në nivel të lartë politik dhe, sipas preferencave të BE-së, ato duhet të përfshijnë kryeministrin kosovar, Thaçi dhe presidentin serb, Tadiq. Diplomatët evropanë thonë se duan garanci për bisedimet dhe marrëveshjet e mundshme për çështjet e interesit të përbashkët. Ndërkohë, Bashkimi Evropian që ka siguruar pozitën e ndërmjetësit në bisedimet mes Prishtinës e Beogradit ka kërkuar, përmes zonjës Ashton, ndihmën e SHBA-së në procesin negociator, duke e cilësuar pozitën e Uashingtonit si të një garantuesi të fuqishëm të çfarëdo marrëveshjeje. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||