BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 09 shtator 2010 - 11:32 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Meta: Rezoluta kompromis në favor të Kosovës
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ilir Meta
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ilir Meta
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ilir Meta thotë për BBC-në se kompromisi BE-Serbi për rezolutën për Kosovën është në favor të Kosovës.

"Gjithë kjo ndërmarrje e jashtëzakonshme për të patur një konsensus të 27 vendeve, synon të ndihmojë konsolidimin e shtetit të Kosovës, për të mos vënë në pikëpyetje statusin e saj, sovranitetin dhe integritetin e shtetit," tha zoti Meta, i cili ndodhet në Nju Jork.

Deklarata e zotit Meta erdhi ndërsa BE-ja dhe Serbia njoftuan se kishin arritur kompromis për tekstin e përbashkët të rezolutës.

Kompromisi u arrit pas bisedimeve intensive në Bruksel midis përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton dhe presidentit të Serbisë, Boris Tadiq.

BE-ja thotë se ky hap duhet të inkurajojë fillimin e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës.

Teksti i ri i rezolutës ku thjesht kërkohet dialog me Kosovën mendohet të parandalonjë izolimin dioplomatik të Serbisë, teksa bën përpjekje për të mos provokuar nacionalistët që ende e përdorin Kosovën si element elektoral.


Muharrem Nitaj i BBC-së bisedoi me Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Ilir Meta.

BBC: Zoti Ministër i Jashtëm Meta, njoftimet e fundit flasin se Serbia sapo ka arritur një marrëveshje për ta ndryshuar tekstin e rezolutës për Kosovën që do të paraqitej në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Sigurimit në OKB. A jeni ju në dijeni për ndryshimet që janë bërë?

Ilir Meta: Ne kemi informacione se ka një vullnet për kompromis me tekstin e formuluar me konsensus nga 27 vendet e BE-së, dhe natyrisht që ne do të dëshironim që ky kompromis të formalizohej dhe përfundimisht të kemi një rezolutë konstruktive e cila nuk është e njëanshme dhe që sheh drejt të ardhmes.

BBC:Zoti Ministër, po thuhet në fakt se pothuajse është e sigurt se Serbia ka hequr dorë nga pjesa ku kërkoheshin bisedime për statusin e Kosovës dhe ku do të paragjykohej vendimi ose opinioni i GJND-së. A është e mundur që një kompromis i tillë të jetë ofruar me një kosto që duhet ta paguajë Kosova, ndoshta në bisedimet që vijnë?

Ilir Meta: Absolutisht që nuk besoj se BE-ja propozon një alternativë që është në dëm të Kosovës. Përkundrazi, gjithë kjo ndërmarrje e jashtëzakonshme për të patur një konsensus të 27 vendeve, synon të ndihmojë konsolidimin e shtetit të Kosovës, për të mos vënë në pikëpyetje statusin e saj, sovranitetin dhe integritetin e shtetit, dhe natyrisht që nxitjet për dialog synojnë ato tema që kanë qenë të njohura nga SHBA dhe BE, që kanë të bëjnë me çështje të një natyre praktike dhe konkrete që përmirësojnë jetën e qytetarëve të Kosovës.

BBC:
Zoti Meta, ju aktualisht ndodheni në Nju Jork. Në bazë të asaj që po zhvillohet ose është zhvilluar sot, çfarë mund të pritet nesër?

Ilir Meta: Dy janë alternativat. E para është që të formalizohet dhe të procedohet me konsensusin. Në këtë rast, natyrisht që do të dominonte fryma e konsensusit dhe jo e votimit. Ndërsa alternativa tjetër, për të cilën ne vazhdojmë të punojmë dhe kemi kaq kohë që po e bëjmë, është ajo e rrëzimit në mënyrë tepër bindëse e rezolutës së Serbisë, në rast se ajo do t'i shmanget kompromisit me Bashkimin Evropian.

BBC: Ministër, ju keni qëndruar në kuadër të një vizite edhe në disa vende të tjera, dhe ndodheni aktualisht në Nju Jork. Sapo po na vijnë informacione se keni kërkuar nga Ambasadorët e Organizatës së Konferencës Islamike që ta njohin Kosovën. A mund të na thoni diçka më tepër?

Ilir Meta: Po natyrisht që një pjesë e mirë, gati më tepër se një e treta e vendeve islamike e kanë njohur Kosovën. Në takimin që unë kam patur dje (të martën) me 57 Ambasadorët e OKI, kam paraqitur edhe një herë të gjitha çështjet për të cilat ne kontestojmë dhe kërkojmë votimin kundër miratimin të rezolutës, dhe sigurisht që kemi apeluar për të thelluar njohjet e të gjitha atyre vendeve të kësaj Konference, të cilat ende nuk e kanë bërë publike njohjen e shtetit të ri të Kosovës, por që unë jam i bindur se kjo gjë do të ndodhë shumë shpejt.

BBC: Ju keni pasur merita edhe për njohjen që i është bërë Kosovës nga Hondurasi apo jo?

Ilir Meta: Besoj se ky është një proces që do të vazhdojë. Gjatë turit tim në Amerikën Qendrore unë kam marrë garanci edhe nga vende të tjera për të votuar kundër rezolutës së Serbisë, por njëkohësisht për të bërë publike në një të ardhme të shpejtë, njohjet e tyre për Kosovën.

BBC: A keni patur ndonjë takim me Ambasadorin e përhershëm të Rusisë në OKB?

Ilir Meta: Nuk kemi patur një takim të tillë, por kemi patur takime të shumta me ambasadorë të vendeve të tjera; përveç takimit me ambasadorët e vendeve islamike, kemi takuar ambasadorët e rajonit të Karaibeve. Dhe në mënyrë të veçantë kemi patur takime koordinuese me ambasadoren amerikane Rosemary Di Carlo këtu në Nju Jork, me ambasadorin e Britanisë së Madhe në OKB, me ambasadorin e Francës, Turqisë dhe me ambasadorë të tjerë të vendeve me të cilat ne koordinojmë ngushtë përpjekjet tona për çështjen e Kosovës.

BBC:
Një pyetje e fundit. Ministër Meta, Kosova duke mos qenë anëtare e OKB, e ka të vështirë edhe të japë kontributin e saj në këtë mekanizëm shumë të komplikuar, ndërkohë që ju keni marrë një barrë që ta kryeni një pjesë të punës duke lobuar për Kosovën. Më thoni nga informacionet që ju keni, a është Kosova në rrugë të mbarë për të siguruar njohje të domosdoshme që ndoshta brenda disa muajve të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara?

Ilir Meta: Absolutisht që Kosova është në një rrugë shumë pozitive, sidomos pas vendimit të GJND-së. Jam tepër i bindur që shumë shpejt, procesi i njohjeve do të jetë i pandalshëm, dhe jam i bindur se edhe ndryshimi i rezolutës serbe do t'i shërbejë këtij procesi.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>