BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E martë, 07 shtator 2010 - 16:25 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Feith: Jo bisedime për statusin dhe ndarjen
Pieter Feith
Z. Feith pret që dialogu të jetë për çështje me interes të përbashkët
Kreu i Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Pieter Feith, thotë se pas punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, do të krijohet një bazë e mirë për nisjen e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Zoti Feith tha se ky dialog duhet të jetë për çështje të interesit të përbashkët.

Ai tha se bisedimet mes palëve nuk duhet të çojnë në ndarjen e veriut të Kosovës e as në rinegociimin e statusit.

“Si Përfaqësues Civil Ndërkombëtar dua të jem shumë i qartë se këto bisedime nuk duhet të jenë për statusin, sepse statusi është zgjidhur dhe këto bisedime në asnjë mënyrë nuk duhet të çojnë në ndarjen e veriut”, tha zoti Feith pas takimit të grupit ndërministror për decentralizimin.

Zoti Feith tha se bashkësia ndërkombëtare dëshiron të shohë në të ardhmen një komunikim në rritje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

"Çështjet që mund të diskutohen mes palëve duhet të jenë në dobi të qytetarëve të të dyja vendeve dhe në funksion të qëndrueshmërisë rajonale dhe perspektivës evropiane të Kosovës dhe të Serbisë", tha zoti Feith.

Kreu i Zyrës Civile Ndërkombëtare përjashtoi mundësinë që për veriun e Kosovës me shumicë serbe të ketë një zgjidhje tjetër, jashtë asaj që parashikon plani Ahtisaari.

Ai theksoi se ky plan ofron të drejta autonome për serbët e asaj pjese, prandaj duhet të punohet në zbatimin e tij.

Për shkak të dështimit të zbatimit të planit gjithëpërfshirës për statusin në veri të Kosovës, Grupi Ndërkombëtar i Krizave pak ditë më parë ka rekomanduar dhënien e një autonomie për veriun apo shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës e Serbisë.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>