|
Tonibler-ët e Kosovës | |||||||||||||||||||||||
Kur e pyesin se si e ka emrin, ky djalë përgjigjet me krenari: Tonibler. Ka pasur fatin të mos i përjetojë tmerret e luftës dhe të vijë në këtë botë në kohën e paqes. Dhe prindët i vunë emrin e njërit prej personaliteteve më të shquara ndërkombëtare, ish-kryeministrit britanik, Tony Blair. Ai është tetë vjeç dhe prindërit i kanë treguar se kush është Tony Blair. “Kryeministri i Anglisë që na ka ndihmuar në kohë të vëshira”, shprehet vogëlushi kosovar, i cili ka bërë edhe një poezi. "...linda unë dy vjet pas tmerrit/ma lanë emrin Tonibler/ erdh liria, u zhduk tmerri/ emrin tënd e mbaj me nder”. Prindë e Toniblerit të vogël, Naser dhe Sadete Gashi, që jetojnë në një lagje të Prishtinës, thonë se mënyra e vetme për të shprehur mirënjohjen për kontributin e ish-kryeministrit britanik për lirinë e Kosovës ishte ta pagëzonin djalin e tyre të parë me emrin e tij. “Duke dëgjuar paraqitjet dhe angazhimet e tij gjatë luftës, isha shumë i befasuar nga fjalët e tij, kështu që qysh atëherë pata thënë, nëse ma fal Zoti një djalë, do t’ia lë emrin Tonibler”, shprehet Naser Gashi. “Unë e thërras Toni, por e thërras Tonibler kur dua t’i kujtoj kohërat më të vështira të popullit shqiptar”, thotë e ëma e djaloshit, Sadete. Gjyshes Naile mbushen sytë me lotë kur kujton rolin që kishte ish- kryeministri britanik në ditët e bombardimeve ajrore të NATO-s kundër objektivave serbe që i dhanë fund luftës në Kosovë. “Na ka ndihmuar shumë, e kemi përtërirë emrin e tij, ishalla Zoti e bekon dhe ishalla Tonibleri i vogël i përngjan Tony Blair-it të madh”, shprehet me emocion ajo. Në vitin 2007 familja Gashi ka pasur një korrespodencë me zyrën e ish- kryeministrit Tony Blair, për t’i shprehur personalisht falënderime për angazhimin e tij gjatë luftës në Kosovë dhe për ta njoftuar se djali i tyre ka trashëguar emrin e tij. Tonibler Gashi nuk është fëmija i vetëm që e mban këtë emër. Fëmijët kosovarë të quajtur Tonibler, do të dalin në rrugë për t’i uruar mirëseardhjen atij që është cilësuar si “njeriu i lirisë së Kosovës”. Posterat me fotografinë e ish-kryeministrit Tony Blair, në të cilat shkruan “Një lider, Një mik, Një hero” janë vendosur gjithandej Prishtinës. Nuk është hera e parë që ai vjen në Kosovë. Ka qenë ndër figurat e para botërore që e ka vizituar vendin pak kohë pas luftës. Gjatë mandatit të tij si kryeministër disa herë kishte thënë se Kosovën e konsideronte si një nga sukseset në karrierën e tij. Para se të largohej nga Downing Street, z.Blair kishte pritur në takim një delegacion nga Kosova të prirë nga ish-kryeministri Bajram Kosumi. Zoti Kosumi flet me respekt për figurën e tij ndërsa kujton vendosmërinë që kishte shprehur ish-kryeministri Blair për të kthyer 800 mijë refugjatët kosovarë në shtëpitë e tyre. “Në ato momente të vështira për shqiptarët dhe për Kosovën, zoti Blair ka deklaruar publikisht dhe unë po e perifrazoj premtimin e tij ku i garantoi refugjatët se do të ktheheshin në shtëpitë e tyre” dhe kjo ka qenë ajo fjalia e tij, e cila më ka dhënë forcë dhe më ka ndihmuar si pjesëtar i një populli që jetonte momente të vështira”, thotë z.Kosumi. Duke kujtuar takimin me ish-kryeministrin britanik në Londër, zoti Kosumi thotë se kishte marrë mesazhin se Britania e Madhe do të luante rol parësor në bisedimet për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe do ta përshpejtonte procesin. Vlerësimet e larta për z.Blair nuk mund të zhduken në Kosovë, pavarësisht nga koha që ka kaluar. Drejtori i Televizionit 21 në Prishtinë, Eugen Saraçini që ishte në mesin e pak gazetarëve që patën rastin ta ndjekin vizitën e tij të parë pas luftës, thotë se ish-kryeministri britanik i ktheu Kosovës dritën në fund të tunelit, përmes së cilës ajo po e shikonte perspektivën. “Tony Blair është ndër personalitetet më të fuqishme dhe unë e kërkoja me sy ta shihja atë fuqi të tij. Ai ishte jashtëzakonisht i lumtur që ishte në Prishtinë dhe kjo shihej nga fytyra e tij”, thotë z.Saraçini, duke kujtuar transmetimin e drejtpërdrejtë në radio të vizitës së parë të z.Blair në Kosovë. Engjellusha Morina, Drejtoreshë e Iniciativës Kosovare për Stabilitet, ishte në Angli në kohën kur Tony Blair u bë kryeministër. Ajo thotë se angazhimi i tij në prapaskenë për përfundimin e luftës në Kosovë ka qenë akoma më i madh nga ajo që dihej publikisht. “Janë disa dokumente, të cilat unë i kam shikuar në BBC, ku shpjegohet se ky ka qenë kyç prapa skenës për inicimin e sulmeve të NATO-s dhe në bindjen e presidentit të atëhershëm, Bill Clinton për intervenim”, tha zonja Morina. Edhe vlerësimet e qytetarëve shqiptarë të Kosovës pa marrë parasysh moshën, gjininë apo përkatësinë e tyre politike, janë shumë të larta për ish-kryeministrin Blair dhe kontributin e tij për atë që cilësohet liri e Kosovës dhe popullit të saj. Prishtina është dekoruar me flamujt e Britanisë së Madhe dhe me posterët e z.Blair, i cili së bashku me ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, konsiderohen se kanë meritën kryesore në hapat për t'i dhënë fund të luftës. Toniblerat e vegjël të Kosovës, për herë të parë do të kenë rastin ta takojnë liderin botëror, emrin e të cilin e mbajnë me krenari. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||