BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 19 maj 2010 - 15:12 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Kriza greke dhe emigrantët shqiptarë

Pamje nga Athina
Në Greqi është shtuar numri i emigrantëve të papunë.
Emigrantët shqiptarë në Greqi u përkasin shtresave që janë prekur më shumë nga kriza që po përjeton vendi. Situata për ata është edhe më e rëndë, pasi shumica ndodhen në Greqi prej shumë vitesh, bashkë me familjet, çka i rrit edhe më tepër detyrimet e tyre.

Që prej fillimit të vitit, shumë syresh kanë humbur vendet e punës, të tjerë punojnë veçse pak ditë në muaj, aq sa me vështirësi sigurojnë paratë e qerasë.

 Me krizën që ka përfshirë Greqinë është e pamundur të gjejmë punë.
Ruzhdi Hiloka, emigrant

Në sheshin Omonia, janë rikthyer pamjet e fillimit të vitit 1990-të, kur emigrantë të shumtë rreshtoheshin atje, në pritje që të kalonte ndonjë vendas e t’i merrte për punë.

Ruzhdi Hiloka është njëri prej këtyre emigrantëve. Ai thotë se ka dy muaj pa punë, e nuk merr madje as asistencën e papunësisë.

“As atë kompensimin nuk e marrim më. Tani po rrimë në pritje që të vijë ndonjë afendiko të na marrë në punë. Dalim çdo ditë, në çdo plati. Por është e pamundur. Me krizën që ka përfshirë Greqinë është e pamundur të gjejmë punë”, thotë Ruzhdiu.

Isuf Dura ndihet pak më mirë, pse ai punon, ndonëse jo rregullisht. Ndërkaq, meraku i tij më i madh lidhet me faktin se tash disa muaj nuk u dërgon asnjë ndihmë njerëzve të tij në atdhe.

“Tani për tani nuk dërgoj rregullisht. Tek-tuk punojmë. E ndjejmë krizën thellë, por s’kemi ç’të bëjmë. Unë i kam në Shqipëri njerëzit e mi dhe më parë u dërgoja para. Tani, me krizën e madhe, nuk po bëjmë dot as për vete, jo më për njerëzit tanë. Është shumë vështirë”, psherëtin Isufi.

Situata e krijuar ka sjellë edhe një ulje të konsiderueshme të remitancave, dërgesave në para të emigrantëve drejt Shqipërisë.

 Tani, me krizën e madhe, nuk po bëjmë dot as për vete, jo më për njerëzit tanë në Shqipëri.
Isuf Dura, emigrant

Denada Muzaka, drejtoreshë e operacioneve bankare në degën e Greqisë të bankës Intesa San Paolo, thotë se nuk janë ulur vetëm dërgesat, por edhe vlera monetare e tyre. Kjo do të thotë se emigrantët, heqin nga goja e tyre për të mbajtur edhe të afërmit.

“Dërgesat janë ulur, të paktën në krahasim me vitin 2009 dhe fillimin 2010-s. Ndërkaq, nuk janë ulur kaq shumë në numër, se sa në shuma. Kështu që kemi një ulje të dërgesave, sidomos të emigrantëve drejt familjeve të tyre në Shqipëri”.

Zonja Muzaka shton se një numër, ndonëse i kufizuar, emigrantësh po i transferojnë në Shqipëri depozitat e tyre, ngase kriza i ka detyruar të kthehen përgjithmonë në atdhe.

 Vërehet një ulje e dërgesave të emigrantëve drejt familjeve të tyre në Shqipëri.
D.Muzaka, banka Intesa San Paolo

“Është një fenomen që u aktivizua me thellimin e krizës, megjithatë do të thoja që janë raste të rralla, nuk mund të them se përbëjnë një shumicë të depozitave që po kalojnë në Shqipëri. Megjithatë, ka raste të tilla kohët e fundit”, pohon zonja Muzaka.

Nëpunës në Athinë
Masat shtrënguese për uljen e defiçitit grek prekin edhe nëpunësit.

Atdheun e shohin si zgjidhje të vetme mjaft prej emigrantëve, nëse situata në Greqi nuk ndryshon për mirë.

Isufi thotë se, po u shtrëngua edhe më shumë puna, do të kthehet në atdhe e do të punojë ashtu si dhe në Greqi, në ndërtim.
“Unë arsyetoj që të kthehem dhe kjo është më se normale. Por duke parë situatën aktuale në vend, rezervohem. Forcat politike janë mbërthyer në kolapsin e etjes për pushtet, saqë edhe vetë populli nuk di se çfarë të vendosë”, thotë i menduar Ruzhdiu.

Por ka të tjerë, që e konsiderojnë të vështirë kthimin. Lulzim Molloholli ka një biznes me pajisje elektronike në Athinë.

 Atdheu yt mbetet atdheu yt, por shpresojmë që Greqia do të bëhet mirë e më mirë.
Vasil Zoga, emigrant

“Ka një të keqe që, në moshën që kemi, është pak e vështirë që ta fillojmë jetën nga e para, pavarësisht se do të jemi në vendin tonë. Duhet të kuptojmë diçka. Nuk mund të kthehesh në vendin tënd pa pasur më parë diçka të sigurtë. Veç kësaj, duam apo s’duam, ndihemi më vendalinj këtu ku jemi, se sa në Shqipëri. Këtu, mirë - keq, e kemi një mundësi që t’i përshtatemi situatës”.

Shpresën se situata në Greqi do të përmirësohet, e shpreh edhe një emigrant i moshuar, Vasil Zoga nga Korça.

"Atdheu yt mbetet atdheu yt. Por ne shpresojmë që Greqia nuk do të shkojë keq e më keq, por do të bëhet mirë e më mirë”.

Sigurisht, urimi i të gjithëve është që situata dikur të përmirësohet dhe kjo dikur të jetë sa më shpejt. Por jeta prej gati dy dekadash në emigracion, i ka bërë njerëzit më realistë e pragmatistë, kështu që ata mos t’i besojnë shumë asaj fjalës së urtë se “shpresa vdes e fundit”.

Në këto momente shumë prej emigrantëve shqiptarë në Greqi po rrinë në pritje, të përgatitur ndërkaq, se kjo pritje nuk do të zgjasë shumë.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>