|
"Qasja në internet - e drejtë themelore e njeriut" | |||||||||||||||||||||||
Një sondazh i kryer në shkallë globale 20 vjet pas shpikjes së internetit, ka arritur në përfundimin se shumica e njerëzve në mbarë botën e konsiderojnë qasjen në internet si një të drejtë themelore të njeriut. Siç njofton korrespondenti i BBC-së për çështjet e teknologjisë, Rory Cellan-Jones, më shumë se 1.7 miliardë vetë në të gjithë botën janë të lidhur me internetin dhe në disa vende si Finlanda, qasja në internet konsiderohet si një nga të drejtat e njeriut. Sondazhi me përmasa globale i kryer me 27 mijë persona të rritur në 26 vende të botës e mbështeti plotësisht këtë, pasi 87% e përdoruesve të internetit dhe 70 përqind e atyre që nuk e përdorin atë, e konsiderojnë internetin si një të drejtë themelore të njeriut. Por të anketuarit kishin dallime lidhur me mënyrën se si duhet rregulluar veprimtaria e internetit. Shumica e personave që u intervistuan në vende të tilla si Korea e Jugut apo Nigeria thonë se qeveria nuk duhet të ndërhyjë në asnjë rast, ndërsa të anketuarit në Kinë por edhe në vende si Britania u shprehën ndryshe. Afro katër në pesë përdorues interneti që u pyetën në këtë sondazh mendojnë se interneti i ka bërë ata më të lirë. Afro gjysma e tyre thanë se përdorin rrjetet sociale të internetit si Facebook-u apo Myspace. Internesant ishte se shumica e përdoruesve të internetit në Japoni, Kore të Jugut apo Gjermani thanë se nuk kishin garanci të forta sigurie për të shprehur opinionet e tyre, ndryshe nga ata që u pyetën në vende të tilla si India apo Gana. Sondazhi konfirmoi edhe njëherë se interneti po bëhet pjesë e rëndësishme e jetës. Afro treçereku i të pyeturve në Japoni, Meksikë apo Rusi thanë se nuk mund të bënin dot pa internetin. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||