|
Shqipëria dhe problemet e klimës | |||||||||||||||||||||||
I konsideruar dikur një vend me ambient mjaft të pastër, Shqipëria dhe shqiptarët prej disa vitesh po përballen me probleme të shumta. Të impenjuar me ndryshimet politike në vend gjatë dy dekadave të fundit, qytetarët shqiptarë tashmë duket se e kanë kthyer fokusin e tyre edhe ndaj problemeve të mjedisit dhe ngrohjes globale. Këto çështje duket se janë edhe temë e bisedave të tyre dhe për të cilat ata kanë mjaft informacion. Një e re thotë se e “shqetëson moti i paqëndrueshëm dhe klima me ndryshimet e saj kapriçioze”, ndërsa një shoqe e saj shton se ka lexuar se ka një ç'ekuilibrim të klimës dhe ka ndryshuar kufiri i stinëve. ”Duket sikur po shkojmë drejt dy stinëve” thotë ajo. Ajo që duket se tërheq më shumë vëmendjen e qytetarëve shqiptarë është ngrohja globale. Një i moshuar kujton nga fëmijëria e tij se lumi i Lanabregasit në lindje të Tiranës dikur ngrinte në dimër, ndërsa prej vitesh kjo gjë nuk ndodh. Dikush ia vë fajin pranisë gjithnjë e më të madhe të makinave, të cilat në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit kanë pësuar një rritje të ndjeshme. Por çfarë pasojash presin shqiptarët pas këtyre ndryshimeve klimatike që kanë përfshirë mbarë botën? Opinionet për këtë çështje janë të ndryshme. Disa mendojë se bota nuk është shumë e rrezikuar e, aq më pak Shqipëria. “Ne nuk kemi industri shumë të zhvilluar “ thotë një i ri, por një shoqja e tij, ndërsa kujton se Shqipëria është një vend agro-industrial shton se “ndryshimi i klimës do të ndikojë veçanërisht tek bujqësia.” Nga ana e tyre shoqatat e ambientalistëve dhe autoritetet gjithnjë e më shumë po kërkojnë të ndërgjegjësojnë qytetarët për nevojen e mbajtjes pastër të mjedisit dhe përballimin e ndryshimeve klimatike. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||