BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E martë, 08 dhjetor 2009 - 14:37 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Kosova dhe problemet e klimës

Pamje nga Prishtina
"Shteti më i ri nuk mund të jetë indiferent ndaj ngrohjes globale."
Kosova cilësohet si një nga vendet më të ndotura në Evropë, por ndikimi i saj në ngrohjen globale është shumë i vogël.

Ambientalistët tërheqin vërejtjen se, pavarësisht kësaj, shteti më i ri në botë nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj ndryshimeve klimatike.
Prodhimi i energjisë elektrike nga qymyri, numri i madh i makinave shumë prej të cilave të vjetëruara, prerja e pyjeve dhe mungesa e sipërfaqeve të gjelbëruara janë disa nga problemet më serioze mjedisore të Kosovës.

Qytetarët e anketuar nga BBC thonë se edhe Kosova po vuan pasojat e ngrohjes globale.

“Kemi parë se ndryshimet klimatike që ndodhën vitin e kaluar kanë dëmtuar sidomos sektorin e bujqësisë dhe do të vazhdojnë ta dëmtojnë. Ne si shtet i kontribuojmë ngrohjes globale sepse e tërë industria jonë është e bazuar në thëngjill dhe, sipas matjeve të fundit, ne në Prishtinë e kemi ndotjen e ajrit 20 herë më të lartë se sa standardi normal, prandaj ne kemi problem serioz me ambientin”, shprehet Ramadani, një i ri nga Ferizaji.

 ... ne kontribuojmë në ngrohjen globale sepse e tërë industria jonë bazohet në thëngjill.
Ramadani, qytetar nga Ferizaj

“Ndotja është e tepruar, por ne paskemi qenë shumë të fortë që po mund ta durojmë këtë gjendje”, deklaron një tjetër qytetar, i cili shton se Kosova duhet t’i bashkohet vendeve tjera të botës që po luftojnë ndotjen e mjedisit dhe ngrohjen globale.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, në Kosovë janë mbi 100 lokacione me metale te rënda, kimikate, grumbuj mbeturinash dhe pesticidesh, të cilat paraqesin rrezikshmëri të lartë mjedisore.

Nga ana tjetër, termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës llogaritet se lirojnë në vit mesatarisht një milion ton hi dhe rreth gjashtë milion ton dioksid karboni.

Problemi më i madh, sipas ekspertëve, mbetet përhapja e hirit jo vetëm përmes ajrit, por edhe përmes ushqimit për shkak të mbulimit nga hiri të tokave rreth termocentraleve dhe dendësisë së madhe të banorëve aty.

Ndoshta ata që më së shumti e vërejnë ndotjen e mjedisit në Kosovë janë ndërkombëtarët të cilët vijnë nga shtete të cilat po investojnë shumë për të parandaluar pasojat e mëtejme të ngrohjes globale.

Amerikani Bob Evans të cilin e takuam në një rrugë në qendër të Prishtinës, thotë se njerëzit janë mësuar me mjedisin në të cilin jetojnë dhe ata e pranojnë atë të cilët nuk mund ta ndryshojnë vet. Por cili është problemi më i madh që vëren ai?

“Mendoj se problemi më i madh është me tymin e linjitit të termocentralit, duket se ai e mbulon ajrin në qytet, këtë mund ta vëresh edhe në kulmin e makinave, gjithashtu ndotja nga makinat duket të jetë mjaft e madhe si mungesë e kontrollit të elementeve mjedisore, të cilat nuk inspektohen në këtë vend”, thotë qytetari me origjinë amerikane, Bob Evans.

Ambientalisti Labinot Salihu thotë se problemet mjedisore në Kosovë janë lënë anash për shkak të problemeve ekonomike.

“Për fat të mirë jemi vend i vogël dhe pak ndikojmë në ndryshime globale klimatike, mirëpo ndotja e ambientit ndikon shumë në shëndetin tonë. Kur them se ne si Kosovë pak ndikojmë në ndryshime klimatike, kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi përgjegjësi për ambientin tonë, kjo nuk do të thotë që emetimi i gazrave në Kosovë nuk duhet të kontrollohet, e poashtu edhe kjo nuk do të thotë që prerja e pemëve mund të vazhdojë siç është duke vazhduar”, tha ai.

 Jemi vend i vogël dhe pak ndikojmë në ndryshime globale klimatike, mirëpo ndotja e ambientit ndikon shumë në shëndetin tonë.
Labinot Salihu, ambientalist

Ambientalisti Salihu dhe disa të rinj kosovarë nga organizata joqeveritare KUSA, po realizojnë një projekt për ndërgjegjësimin e rinisë për ndryshimet klimatike. Me ndihmën e ambasadës amerikane ata do të kenë mundësinë që përmes një video-konference të jenë pjesëmarrës në punimet e Samitit të Kopenhagës për të prezantuar perspektivën e Kosovës mbi çështjen e ndryshimeve klimatike.

Përveç ndërgjegjësimit të qytetarëve, shoqëria civile është angazhuar edhe për t’i nxitur subjektet politike që në programet e tyre zgjedhore t’i kushtojnë më shumë rëndësi ruajtjes së mjedisit.

Shqipe Pantina, drejtoreshë e Qendrës për Politika dhe Avokim thotë se debatet e mbajtura në qendrat më të ndotura të Kosovës me forcat kryesore politike para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit, kanë pasur efekte pozitive.

“Ne mendojmë se akoma ka punë për të bërë dhe pushteti në përgjithësi, qoftë në nivelin qëndror, por sidomos në nivelin lokal, duhet të mendojë më shumë për projektet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit. Një nga ato është jo vetëm gjelbërimi i sipërfaqeve, por edhe menaxhimi i mbeturinave, pastrimi i lumenjve e sidomos t’u vënë kushte bizneseve që ato t’i plotësojnë kriteret që kërkohet me ligj për mbrojtjen e mjedisit”, thotë znj. Pantina.

 Pushteti qëndror e lokal duhet të bëjë më shumë për projektet e mbrojtjes së mjedisit
Shqipe Pantina, Qendra për Politika dhe Avokim

Krahas punës që duhet bërë institucionet e Kosovës për të kontribuar në ndryshimet klimatike dhe mbrojtjen e mjedisit, ambientalistët thonë se ndryshimet mund të fillojnë nga vetë qytetarët. Labinot Salihu ka një këshillë për ta:

“Këshilla e parë dhe mesazhi i vetëm, i cili duhet të jepet në këto raste është se ambienti, fushat, malet e Kosovës janë pronë e qytetarëve të Kosovës dhe askush tjetër përveç tyre nuk ka përgjegjësi për t’i mbrojtur dhe ruajtur ato”.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>