|
Komisioni Europian shqyrton buxhetin grek | |||||||||||||||||||||||
Ministri grek i financave do t’u paraqesë të martën homologëve të vet në Bruksel planin e Greqisë për reduktimin e deficitit buxhetor. Analistët vendas nuk e përjashtojnë që komisioni europian të marrë masa disiplinore ndaj Greqisë, ndërsa presidenti i bankës qendrore europiane, Zhan Klod Trishe ka theksuar se shifrat për deficitin që ka ofruar shërbimi statistikor grek kanë problem kredibiliteti. Ministri grek i financave, Jorgos Papakonstandinu do të ketë një betejë të vështirë në përpjekje që të bindë homologët e tij se masat që do të shoqërojnë buxhetin e vitit të ardhshëm, mundësojnë reduktimin drastik të deficitit buxhetor, që parashikohet të arrijë në 12, 5% deri në fund të 2009-s. Para takimit, ministri u shpreh optimist se Komisioni Europian do t’i japë Greqisë një shtyrje afati, teksa programi i stabilizimit të ekonomisë greke do të ketë, siç tha, afate konkrete dhe objektiva afatmesëm në drejtim të uljes së deficitit. Ministri Papakonstandinu tha se plani qeveritar që synon përmirësimin e financave publike është realist dhe i zbatueshëm. Por analistët vendas mendojnë se kjo nuk do ta pengojë Komisionin Europian që të fillojë procedurën e masave disiplinore ndaj Greqisë. Nuk është vetëm dobësia e treguar gjatë gjithë vitit për të frenuar rritjen e deficitit buxhetor. Brukseli është tepër i pakënaqur nga shifrat që orfoi shërbimi statistikor grek. Në fund të muajit të kaluar, Komisioneri Europian për Financat, Joakin Alamunia, kishte shprehur shqetësimin për mospërputhjen e shifrave të deficitit buxhetor që kishte dhënë Athina. Ai kishte shtuar se Komisioni do të hetonte për të gjetur nivelin e vërtetë të deficitit. Ministri vendas i financave, tha se qeveria e mëparshme i kishte manipuluar këto shifra në prag të zgjedhjeve. Sipas vetë ministrit, në korridoret e Komisionit Europian e cilësojnë si anekdotë shërbimin statistikor grek, dhe kërkojnë shndërrimin e këtij shërbimi në një institucion krejt të pavarur nga qeveria, çka Athina e konsideron si të pamundur. Por edhe presidenti i bankës qendrore europiane, Zhan Klod Trishe, ka sugjeruar mëvetësimin e shërbimit statistikor. “Nuk ka mundësi të kemi shifra që nuk mund t’u besojmë”, tha kryebankieri europian, në një intervistë që u transmetua të hënën në mbrëmje nga një televizion gek duke theksuar se ka problem kredibiliteti me statistikat e Greqisë. Edhe ai theksoi nevojën e mëvetësimit të shërbimit statistikor. Sa i përket deficitit buxhetor, zoti Trishe e cilësoi atë si “një rast ekstrem dhe një deficit aspak të natyrshëm”. Ai paralajmëroi për vendosjen e ekonomisë greke në një proces mbikqyrjeje të rreptë, të ngashëm me atë që do të zbatohej nëse Greqia i drejtohej Fondit Monetar Ndërkombëtar, çka presidenti i bankës qendroe europiane nuk e përjashtoi. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||