BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 24 shtator 2009 - 14:14 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Ngrohja globale edhe ndikimet lokale

Tirana
Tirana e parë nga kodrat e Linzës
Ndërsa udhëheqësit botërorë u mblodhën në selinë e OKB-së në Nju Jork për të gjetur një zgjidhje për të shmangur ngrohjen globale, në Shqipëri është rritur shqetësimi për pasoja që mund të sjellë në vend.

Unë shkova në fshatin Linzë, i vendosur në rrëzë të malit të Dajtit, rreth 400 metra mbi nivelin e detit, prej nga shihet gjithë kryeqyteti shqiptar.

Ajri i pastër dhe freskia në Linzë, por edhe lartë në malin e Dajtit, bëjnë që mjaft prej banorëve të Tiranës të vijnë për të kaluar ditët e fundjavës.

"Vitet e fundit në Tiranë klima ka filluar të ndryshojë, temperaturat rriten shumë," thotë një prej qytetarëve të Tiranës që kalon kohën e lirë në kodrat e Linzës.

"Ne vijmë zakonisht në Linzë ose shkojmë në Dajt për t'u freskuar dhe ndejtur në ambiente sa më të freskëta."

Por edhe këtu gjerat kanë filluar të ndryshojnë, sipas disave, që kujtojnë se temperaturat në Linzë kanë qenë mjaft të ulta dikur.

"Mbaj mend kur kemi qenë fëmijë, tek liqeni Lana Bregasit shkonim të gjuanim mëllenja dhe liqeni ishte i ngrirë komplet dhe ne e kalonim në këmbë," tregon një tjetër.

Dikur Tirana rrethohej nga tymi i ndërmarrjeve industriale që e rrethonin atë, por ato tashmë prej vitesh nuk funksionojnë e megjithatë ajri mbetet mjaft i ndotur veçanërisht nga qarkullimi i dendur i makinave, por dhe i ndërtimeve të shumta të banesave, apo infrastrukturës së qytetit.

Po zhduket gjelbërimi

Kushdo që e ka vizituar dhe viziton Linzën, e cila, falë ndërtimeve të shumta, po kthehet në një pikë turistike, pa dyshim që të bien në sy ndërtimet në Tiranën poshtë, të cilat gjithnjë e më shumë po e zhdukin gjelbërimin e qytetit.

E vetmja zonë e gjelbër e kryeqytetit shqiptar që shihet nga Linza është zona e liqenit artificial. Periferia e qytetit po i afrohet fshatrave rreth tij.

Ndoshta kjo është arsyeja që temperaturat në qytet rriten ndjeshëm, veçanërisht gjatë verës.

"Në 10 vjeçarin e fundit temperaturat kanë ardhur 1 apo 2 gradë mbi vlerën mesatare, që do të thotë se ky shtator ka qenë më i ngrohtë sesa i 2008-s dhe shtatori i 2008-s më i ngrohtë se ai i 2007-s," thotë Lajda Porja e institutit metereologjik Meteoalb në Shqipëri.

Pjesë e ngrohjes globale

Prof. Sazan Guri
Shqipëria ndikohet nga ngrohja globale dhe lokale

Ngrohja për Shqipërinë nuk mund të veçohet nga ngrohja globale, më thotë ambientalisti i njohur, profesor Sazan Guri.

"Përpos kësaj ngrohje natyrore kemi dhe ngrohjen antropogjene ose njerëzore për shkaqe teknologjike, apo për gabime njerëzore, kjo ngrohje e konkuron ngrohjen natyrale, për mos të thënë që e tejkalon ngrohjen natyrale," thotë ai.

"Ngrohjen globale mund ta ndjejmë nga zhvillimi në nënkontinentin kinez dhe zhvillimi Indian dhe këto janë ngrohje që Shqipëria e pëson, plus dhe nga teknologjitë perëndimore që deri në vitet '90 kanë qenë të pakontrolluara në kuptimin mjedisor dhe Shqipëria e pëson," thotë profesor Guri.

Por përveç kësaj Shqipëria ndikohet edhe nga efekte lokale, shton ai.

"Ne tani kemi një ngrohje tjetër që është ngrohje tipike alla shqiptarçe, që ne sot kemi bërë të mundur që malet mos të kenë më pyje," thotë ai.

"Nëse dikur e thosha me rezervë që malet shqiptare përbëhen edhe nga disa pyje që mund të kenë, sot janë shkëmbinj të zhveshur dhe kjo ngrohje shumëfishohet me disa herë," shton ai.

Profesor Guri thotë se ka edhe ngrohje si rrjedhojë e jetës urbane.

"Është ngrohja ku shtëpitë e jetës urbane, Tirana, Durrësi, çdo qytet në vend, të gjitha ndërtimet prej vitit 2000 e këtej i kanë ndëtime me tarracë dhe ndryshimi është që tarraca nga çatia e rrit temperaturën me 10 gradë."

"Me një mesatare del ajo që në Tiranë ne sot pa frikë kemi temperaturën 2,2 grade Celcius për çdo muaj nga mesatarja e një muaji, një viti apo 10 vjetësh të mëparshëm dhe kjo është ngrohje njerëzore lokale," thotë ai.

"Përpos kësaj kemi dhe shtrimin e rrugëve vetëm me trotuare, asfalte etj."

"Ne sot kemi një mesatare 0,6 gradë Celcius që është rritja e temperaturave globale, por ne shtojmë edhe 2 gradë të tjera që është rritja e temperaturave lokale për shkak të maleve pa pyje dhe ndërtimeve pa çati," thotë profesor Guri.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>