|
Çfarë po ndodh me kompanitë Fannie Mae dhe Freddie Mac | |||||||||||||||||||||||
Një vit më parë kriza financiare në Shtetet e Bashkuara u thellua kur u njoftua ajo që praktikisht mund të konsiderohet si shtetëzim i dy prej gjigandëve amerikanë të kredive për shtëpi, Shoqatës Kombëtare Federale të Kredive, e njohur si Fannie Mae dhe Korporatës Federale të Kredive për Shtëpi, që ndryshe njihet si Freddie Mac. Qeveria mori kontrollin mbi të dyja këto institucione me një faturë 200 miliardë dollarëshe në formën e kapitalit të emergjencës. Siç treguan zhvillimet që pasuan, kjo ishte vetëm një nxehje e qeverisë në përballimin e një krize me përmasa edhe më të mëdha që u shkaktua nga problemet e bankës së investimeve Lehman Brothers, vetëm një javë më pas. Korrespondenti i BBC-së për çështjet Ekonomike, Andrew Walker, pyet se çfarë po ndodh tani me kompanitë Fannie Mae dhe Freddie Mac. Fannie Mae dhe Freddie Mac kanë qenë për një kohë të gjatë në tregun amerikan të kredive dhe ato ranë viktimë e rënies së çmimit të shtëpive dhe shtimit të numrit të familjeve që nuk i shlyenin dot detyrimet e kredive. James Lockart është drejtor i agjensisë kryesore që shërben si rregullator për kreditë që jepen për të blerë shtëpi. "Për të rivenddor ekuilibrin mes sigurisë dhe cilësisë së misionit që duhet të ofrohet, autoritetet vendosën kontrollin mbi kompanitë Fannie Mae dhe Freddie Mac, me synimin për t'i ruajtur ato", thotë James Lockhart.
Të dyja këto kompani kishin përsuar humbje të mëdha , çka e shtyu sekretarin e atëhershëm të Thesairt, Henry Paullson të paralajmëronte për një efekt zinxhir tronditjesh në tregjet financiare. "Kjo situatë e trazuar ekonomike do të ndikoj negativisht dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë mbi buxhetin e familjeve, vlerën e shtëpive të tyre, mbi kursimet që ata kanë bërë për të shkuar në universitet apo për moshën e pensionit. Dështimi i këtyre kompanive do të kufizonte mundësitë e amerikanëve për të marrë kredi për shtëpi, për të blerë makina si dhe do të kufizonte kreditë e tjera konsumatore dhe të biznesit. Pra dështimi i këtyre kompanive do të dëmtonte përpjekjet për rritje ekonomike dhe hapjen e vendeve të reja të punës", tha ish-sekretari amerikan i Thesarit, Henry Paulson. Cilat janë në fakt këto dy institucione dhe përse konsiderohen ato aq të rëndësishme: Fannie Mae u krijua në vitet 30-të ndërsa kompania tjetër Freddie Mac u krijua më 1970. Ato janë kompani private të ngritura nga vetë qeveria amerikane për të ndihmuar tregun e kredive për shtëpi. Ato nuk japin kredi në mënyrë të drejtpërdrejtë. Çfarë bëjnë ato atëherë. Ato bëjnë dy gjëra. Së pari iu shesin një lloj sikuracioni kompanive që japin kredi për vazhdimësinë e pagesave në rast se personi që ka marrë kredinë ka probleme dhe nuk e shlyen dot atë. Së dyti ato blejnë kredi nga kompanitë huadhënëse, të cilat mund t'i përdorin këto fonde për të ofruar kredi të reja për shtëpi. Kjo do të thotë se në qoftë se Fannie Mae dhe Freddie Mac do të kishin falimentuar vitin e kaluar, nga tregu i shtëpive do të ishte avulluar një burim shumë i madh fondesh në një kohë kur çmimet e shtëpive ishin në rënie dhe industria e ndërtimit i kishte ngadalësuar shumë ritmet. Ja çfarë thotë për këtë Douglas Elliot, nga instituti Brookings në Uashington. "Qeveria jo vetëm që ka emëruar drejtuesit kryesorë të këtyre kompanive, apo më mirë të themi se ka miratuar emërimet e paraqitura për këto poste, po ajo ka dhënë gjithashtu fonde të mëdha. Tani, praktikisht, taksapaguesit janë pronarë të Fanniet dhe Freddiet. Teknikisht ata nuk janë pronarë, por jemi shumë pranë një skenari të tillë. Me këto hapa qeveria synon të garantojë që industria e kredive të mos përjetojë ndonjë fritë të ngjashme. Fannie dhe Freddie garantojnë 45% të kredive për shtëpi në Shtetet e Bashkuara. Ata janë një faktor shumë i rëndësishëm dhe qeveria po hedh hapa që ato të funsionojnë normalisht. Pra mund të thuhet se këto dy kompani vazhdojnë të jenë pjesë e rëndësishme e tregut financiar", thotë Douglas Elliot. Por këto hapa kanë sjellë edhe kritika. Mark Calabria nga Instituti Cato thotë se paketa e shpëtimit të kompanive Fannie Mae dhe Freddie Mac po i mban artificialisht të larta çmimet e shtëpive në Shtetet e Bashkuara. "Unë vetë kam një shtëpi dhe është mirë kur shoh se pronës sime nuk i ka rënë vlera, por nga ana tjetër kur oferta është më e madhe se kërkesa, mënyra më e mirë për ekuilibrimin e ofertës dhe kërkesës është që çmimet të ulen. Ky do të jetë një proces i dhimbshëm, megjithatë unë gjithmonë kam besuar se rruga më e mirë për të ecur përpara në tregun e shtëpive është që çmimet të bien sa më shpejt kudo ku ato janë më të fryra, dhe pastaj të ecim me zhvillimin e këtij tregu. Ndërkohë me ndërhyrjen që u bë me Fannien dhe Fredien, ne po e shtyjmë edhe më shumë këtë korigjim të tregut , duke i mbajtur çmimet e shtëpive në nivele shumë të larta. Dhe sigurisht, koston e madhe të këtyre hapave do ta shlyejë taksapaguesi amerikan", thotë Mark Calabria nga Instituti Cato. Sigurisht asnjë qeveri nuk do të guxonte që të hiqte dorë nga mbështetja për kompanitë e rrezikuara nëse kjo do të ulte ndjeshëm çmimet e shtëpive apo do të pengonte rimëkëmbjen e lehtë ekonomike që duket se ka filluar. Për momentin Fannie dhe Freddie po funksionojnë ndonëse me oksigjenin financiar që ka ofruar qeveria. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||