|
Nxiten debate për shfrytëzimin e tokës | |||||||||||||||||||||||
Qeveria shqiptare thotë se synon të miratojë një ligj për të vënë në shfrytëzim tokat e lëna djerrë. Kjo është bërë e ditur nga kryeministri Sali Berisha gjatë një mbledhje të qeverisë. Projektligji pritet të paraqitet menjëherë pas mbledhjes së parlamentit të ri. Kjo deklaratë ka ngjallur menjëherë reagimin e opozitës. Deputeti i Partisë Socialiste Eduard Shalsi bëri përgjegjës drejtëpërsëdrejti zotin Berisha për "situatën e vështirë" në fshatin shqiptar. Sipas deputetit Shalsi deklaratat e kryeministrit vijnë për faktin se ai jeton larg fshatit dhe nuk njeh realitetin. "Këto mekanizma cënojnë rëndë parimet kushtetuese dhe shkaktojnë një konflikt social të përmasave të mëdha," tha ai. Toka djerrë Shqipëria është vendi me sipërfaqen e tokës së punueshme më të vogël në Evropë për frymë të popullsisë. Ajo ka vetëm 24 për qind të territorit tokë bujqësore, e barabartë kjo me 700 mijë ha. Afro 14 për qind e saj është tokë e pandarë dhe thuajse e braktisur. Zyrtarisht thuhet se vetëm 50 mijë ha tokë janë të papunueshme, por të dhëna të tjera pretendojnë se kjo shifër është më e madhe. Dr. i shkencave ekonomike Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Studime Ekonomike, thotë se çdo iniciativë që synon rritjen e sipërfaqes së punueshme është e mirëpritur. Por ai nënvizon përplasjet ligjore që mund të sjellë ky hap i qeverisë. "Detyrimi për të punuar tokën ka qenë pëcaktuar në legjislacionin shqiptar në ligjin 7501 në vitin 1991, por nuk është zbatuar kurrë," thotë zoti Preçi. "Në një kohë që tokat që pushtohen nga të tretë, po legalizohen nga qeveria Berisha, dhe ky tenton t'ua marrë tokën atyre që e kanë legjitimilisht me letra," shton ai. Ligji i tokës Në Shqipëri toka bujqësore është ndarë sipas ligjit 7501, i miratuar në fillim të viteve '90 nga PD dhe PS. Agim Toro i Shoqatës "Pronësi me Drejtësi", mendon se vetë egzistenca e këtij ligji 7501 - për të cilën kjo shoqatë thotë se ka sanksionuar parimin komunist të ndarjes së tokës "Toka i Takon atij që e punon" - ka sjellë situatën e krijuar. "Kam parasysh deklaratën e kryeministrit i cili më në fund konstatoi që toka e ndarë nga ligji 7501, realisht nuk punohet, që ligji 7501 në thelb është një dështim i gjithë reformës së pronësisë mbi tokën për arsyen e thjeshtë sepse nuk është në gjendje, nga mënyra sesi u zbatua ky ligj, që të kryente një reformë kapitaliste në fushën e bujqësisë," thotë zoti Toro. Ligji 7501 ka përcaktuar detyrimin për të paguar tatimet lidhur mbi sipërfaqen e tokës, por ky detyrim nuk është zbatuar kurrë. Në situatën e krijuar, kur tokat lihen djerrë, eksperti i politikave agrare Arben Molla thotë se ka ardhur koha që të gjithë ata që kanë përfituar nga ligji 7501 për tokën duhet të paguajnë detyrimet. "Çdo inisiativë e cila synon rritjen e sipërfaqes se tokës së punueshme të fondit të artë është e mirëpritur dhe tashmë pas kaq vitesh tranzicion pa dyshim që duhet të vendosen rregulla dhe sanksione për ata që kanë përfituar në bazë të ligjit 7501 tokën bujqësore," thotë zoti Molla për BBC-në. "Faktet tregojnë që një pjesë e konsiderueshme e tokës bujqësore të "fondit të artë" nuk punohet, kjo jo vetëm për mungesën e dëshirës, por edhe për mungesë të inisiativave të ndryshme të qeverive për rritjen e prodhimit bujqësor dhe për rritjen e interesit të prodhuesve," thotë eksperti i bujqësisë. "Mbi të gjitha është evident fakti që në Shqipëri një pjesë e madhe e tokës bujqësore punohet dhe kjo padyshim që kërkon politika nxitëse," shton ai. Specialistët thonë se një ndër arsyet që toka në Shqipëri lihet pa punuar është se pronat e fermerëve shqiptarë janë mjaft të fragmentuara. Sipas të dhënave, 560 mijë ha tokë është e ndarë në rreth 2.4 milionë ngastra. Çfarë duhet bërë? Një konfigurim i tillë e bën jo efektive futjen e makinerive bujqësore. Po në këto kushte a mund të ketë rezultat projekti që kërkon të miratojë qeveria? Agim Toro i Shoqatës "Pronësi me Drejtësi" shprehet kundër dhe këmbëngul në shfuqizimin e ligjit 7501. "Për mua ai variant është i dështuar në kuptimin e plotë të fjalës, sepse të ndërhysh në të drejtat e pronësisë së tokës duke ja hequr tokën një njeriu që nuk e shfrytëzon atë, në një shtet kapitalist është e papranueshme, antidemokratike dhe antiligjore në kuptimin e zbatimit të kartës europiane të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut," thotë zoti Toro. "Mënyra sesi do t'i vërë në efiçensë nuk është heqja e pronës dhe dhënia e asaj një tjetri, por nëpërmjet zbatimit të sistemit taksor që duhet që këta që kanë përfituar tokë, të paguanin në shtetin shqiptar, por ka mbi 15 vjet që kanë marrë këtë tokë në pronësi dhe ende sot askush nuk vjel taksën mbi këtë sipërfaqe toke," thotë ai. Zoti Preçi mendon se duhen rishikuar mirë politikat e ministrisë së drejtësisë dhe asaj të financave. "Të krijohen ato stimuj që nxisin prodhimin vendas, kapërcejnë atë hallkë të ngushtë që nuk është më transporti, si dhe marketingu apo krijimi i rrjeteve të përdorimit të prodhimit vendas," thotë zoti Preçi. "Toka do të thotë që të kesh mekanizmat që nxisin përdorimin e saj dhe jo thjesht rruga administrative siç propozon qeveria aktualisht," shton ai. Eksperti i politikave agrare Arben Molla thotë se padyshim që rritja e sipërfaqes prodhuese do të kërkonte një lloj koperimi midis fermerëve dhe vet banorëve ne zonat rurale të cilët kanë përfituar tokën nga ligji 7501. Ai thotë se duhet bërë gjithashtu rritja e strukturave të marketingut dhe organizatave prodhuese, tregjeve rurale dhe atyre të shumicës në zonat urbane, si dhe politika të tjera mbështetëse dhe subvencionuese. Debati për riaktivizimin e tokave të lëna djerrë sapo ka nisur. Ai pritet të thellohet më tej në parlamentin e ri i cili do të mblidhet në fillim të shtatorit. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||