BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 01 korrik 2009 - 10:22 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Barazim vendesh mes dy kampeve

Selia e KQZ-së
Pritet përfundimi i numërimit të votave tri ditë pas zgjedhjeve
Kur janë numëruar pak më shumë se 98% e kutive të votimit, ende nuk ka një fitues të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit.

Rezultatet e deritanishme flasin për një barazim midis të djathtës dhe të majtës.

Megjithatë, midis koalicioneve ka diferenca.

Koalicioni i djathtë “Aleanca për Ndryshim”, i udhëhequr nga Partia Demokratike, ka marrë 70 deputetë, koalicioni i majtë “Bashkimi për Ndryshim”, me në krye Partinë Socialiste, ka marrë 66 deputetë, ndërsa koalicioni tjeter i majtë i udhphequr nga LSI-ja, "Aleanca Socialiste për Integrim", ka fituar 4 deputetë.

Në situaten e krijuar, por edhe më parë, analistë të ndryshëm mendojnë se LSI-ja mund të luajë rol vendimtar në krijimin e qeverisë së ardhshme nëse kjo do t'i kërkohet nga zoti Berisha.

Gjatë fushatës LSI-ja ka deklaruar se vota për këtë parti ishte votë e sigurtë kundër kryeministrit Berisha.

Por në një deklaratë të fundit të kësaj partie thuhet se kjo çështje nuk mund të diskutohet para mbylljes se procesit zgjedhor, çka analistët e lexojnë si një përpjekje për të lënë një shteg të hapur për mundësinë e pranimit të një ftese nga aleanca e djathtë.

Orët e fundit të numërimit

Ndërsa po afrohet ora ku pritet të mësohet rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit, në Shqipëri janë shtuar ndjeshëm tensionet midis dy partive pretendente, PD-së dhe PS-së.

Ato kanë akuzuar reciprokisht njëra tjetrën se po ushtrojnë presion në procesin e numërimit të votave.

Kreu i PD-së Sali Berisha tha se tashmë procesi është në dorë të komisionerëve, të cilëve iu bëri thirrje që të zbatonin vetëm ligjin.

"Të tregojnë përgjegjësinë më maksimale, ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin, ky është apeli im për çdo zyrtar shqiptar," tha zoti Berisha, i cili shtoi se po shijonte momentet e fitores.

Ndoshta kjo deklaratë e fundit e detyroi kreun socialist Edi Rama të dilte menjëhërë në konferencë për shtyp dhe të akuzonte zotin Berisha se po kërcënonte zgjedhjet.

"Ky është komunikim i papranueshëm i kryeministrit të Shqipërisë, i cili me sa duket është në krye të një operacioni i cili jo po cënon, por kërcënon zgjedhjet në Shqipëri dhe po drejton një operacion i cili është shtrirë në të gjithë ato qendra numurimi ku rezultati është qartësisht duke u thelluar për PS-në" tha zoti Rama.

'Përgjegjëse partitë'

Duke komentuar situatën e krijuar zëdhënësi i KQZ-së Leonard Olli bëri përgjegjës dy partitë.

"Nuk ka të bëjë me lodhje apo paqartësi, por me veprime te qëllimshme që nuk pranohen nga njëra apo tjetra palë," tha zoti Olli për BBC-në.

“Jemi shumë pranë fundit të përfudimit të votimit. Nga rezultatet e tanishme, aleanca e djathtë, "Aleanca për Ndryshim" ka një avantazh të lehtë në raport me "Bashkimin për Ndryshim", koalicionin e majtë, por gjithçka mbetet të shihet me numërimin e të gjitha votave,” tha Leonard Olli, zëdhënës i KQZ-së.

Rezultatet e para paraprake të zgjedhjeve do të duhej që të ishin shpallur që të hënën në orën 17.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>