BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E hënë, 29 qershor 2009 - 07:59 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Vazhdon numërimi i votave
Votimet në Shqipëri
Pjesëmarrja vlerësohet të ketë qenë më e lartë se në zgjedhjet e fundit
Në Shqipëri u zhvilluan të dielën votimet për zgjedhjen e parlamentit të ri.

Pjesëmarrja besohet se është më e lartë se në zgjedhjet e fundit. Këto janë zgjedhjet e shtata që mbahen në dy dekadat e pluralizmit politik në vend.

Procesi i votimit vlerësohet përgjithësisht i qetë, megjithë shenjat e tensionit që u vunë re në orët e para të ditës.

Rezultatet priten brenda ditës së hënë, ndonëse procesi i numërimit të votave në 66 qendra të ngritura në të gjithë territorin po kryhet me ritme jo të shpejta.

Kjo ka të bëjë edhe me mënyrën e numurimit të votave, një sistem më transparent, por megjithatë që merr shumë kohë të japë rezultatin.

Çdo fletë votimi vendoset në një pozicion të tillë, që të mund të regjistrohet nga kamerat, të cilat shfaqin pamjen në vendet ku numëohen ato, por këto pamje dërgohen edhe pranë KQZ-së.

Në të gjitha 66 vendet e numërimit të votave, janë të vendosura sisteme kamerash.

Kjo mënyrë e numërimit të votave duket qartë se merr më shumë kohë dhe bën që rezultatet të sahpallen më ngadalë, çka bën që ata mos të jenë në këto momente krejtësisht të plota.

Për shembull, një rezultat që jep KQZ për qarkun e Korçës është se janë numëruar vetëm 12 kuti nga 421 të tilla. Rezultati mes partive kryesore është thuajse i përafërt, por ai mund të ndryshojë dukshëm pas numërimit të plotë të votave.

KQZ thotë se pasdite do të ketë më shumë informacione për një tabllo të përgjithshme për rezultatin paraprak.

Vëzhgimi i votimit

Numërimi i votave, për herë të parë në Shqipëri, po kryhet nën monitorimin e kamerave të lidhura me KQZ, gjë që e ka rritur ndjeshëm besimin te ndershmëria e procesit.

Vëzhguesit vendas dhe ata ndërkombëtarë nuk kanë bërë deri tani vërejtje të rëndësishme për votimin dhe grumbullimin e kutive të votimit drejt qendrave të numërimit të votave.

Vrojtimet exit polls

Për herë të parë në Shqipëri në këto zgjedhje u zhvilluan exit polls nga disa televizione në bashkëpunim me organizata jashtë Shqipërisë. Këto exits polls sugjeruan se koalicioni i PD-së është në avantazh ndaj koalicionit të PS-së në opozitë. Por PS i quajti exit polls një dukuri të gabuar për momentin në Shqipëri.

Reagimet pas zgjedhjeve

Ndërsa po mbylleshin qendrat e votimit, pak pas orës 19:00, kryeministri i vendit dhe kryetari partisë demokratike Sali Berisha bëri thirrje për maturi dhe durim deri në daljen e rezultatit zyrtar të zgjedhjeve.

Ai përshendeti atë që e quajti proces zgjedhor dinjitoz.

Zoti Berisha tha se pjesëmarrja në votime ishte mjaft e lartë.

"Duhet t’ju informoj se pjesëmarrja në këto zgjedhje përbën risinë më të madhe të tyre. Nuk mund t’ju them shifrën e saktë por të paktën 15% më e lartë sesa në zgjedhjet e vitit 2005", tha zoti Berisha.

Kryeministri Berisha tha se kishte besim që procesi që vijon mbylljen e kutive të votimit ishte mjaft i rëndësishëm.

"Faza më e rëndësishme dhe më delikatë është faza që vjen. Unë kam besim të plotë së pari tek komisionerët, të cilët e menaxhuan me dinjitet procesin elektoral, me një shkallë të lartë përgjegjësie ligjore. Së dyti, kam besimin më të madh tek forcat e policisë, së treti besimi më i madh është, gjithashtu, dhe tek numërimi, i cili do jetë elektronik, pra do jetë votimi më transparent, më modern që është bërë ndonjëherë", tha kryeministri Berisha.

Për zotin Berisha në këto zgjedhje kishte vetem një fitues.

"Në këto zgjedhje nuk ka të humbur. Këto janë zgjedhje vetëm me të fituar sepse Shqipëria europiane është Shqipëria e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ndaj dhe unë do t’i ftoja të gjithë qytetarët që të ndjekin rezultatin me maturi, me qytetari, pa krijuar ide të triumfatorëve apo humbësve, sepse në fakt nuk është kështu", tha zoti Berisha.

Ai vlerësoi bazën elektronike dhe ligjin e ri elektoral si dhe sistemin proporcional si faktorë që ndikuan në zhvillimin e zgjedhjeve në një klimë pozitive, por e pranoi se ka patur probleme të vogla.

Kryeministri Berisha nuk pranoi të komentojë mbi rezultatet e sondazheve dhe tha se do të priste rezultatin zyrtar të zgjedhjeve.

"Unë besoj kur të numërohen të gjitha votat dhe t'i shpallë KQZ-ja. Ky është qëndrimi im ndaj rezultatit", tha kryeministri Berisha.

Duke theksuar se në këto zgjedhje duket se kanë marrë pjesë rreth 210 mijë votues më shumë, zoti Berisha vlerësoi se votuesit i ishin përgjigjur fushatës së tij.

"Gjenerator kryesor i entuziazmit jamë unë me projektin tim, kështu besoj unë të paktën, por këtë do ta tregojë rezultati, nuk mund të them saktësisht, por besimi është ky dhe uroj të jetë kështu", tha zoti Berisha.

Zoti Berisha vlerësoi edhe qëndrimin në përgjithësi të opozitës gjatë ditës së zgjedhjeve, dhe deklaroi se do të ishte i gatshëm t’i uronte kundërshtarit fitoren nëse ky do të ishte rezultati zyrtar.

"Në rast se më takon mua t’i telefonoj, unë do e bëj, e kam vendosur", tha kryeministri Berisha.

Mesazhet dhe tonet e ulura të tij paralajmëruan klimë paqtuese në përfundim të procesit të votimit.

Dhe ajo nuk vonoi nga kampi i opozitës.

Kryetari i PS-së, Edi Rama, ndonëse përmendi praninë e episodeve të tensionit gjatë ditës, e vlerësoi procesin pozitivisht.

"Pavarësisht nga një sërë parregullsish dhe detajesh të papëlqyeshme të vëna re në pjesë të ndryshme të territorit të Shqipërisë, në tërësi u realizua objektivi i garantimit të procesit, të qetësisë dhe të normalitetit demokratik për qytetarët që vërshuan në masë drejt kutisë së fshehtë", tha zoti Rama.

Socialistët u shqetësuan nga sondazhet e televizioneve, të cilat sugjeruan se PD-ja dhe koalicioni i saj ishin në avantazh ndaj PS-së dhe koalicionit të saj. Për zotin Rama nuk është koha e duhur për sondazhe për rezultatin e zgjedhjeve në Shqipëri.

"Në kushtet e sotme nuk kanë asnjë gjasë të jenë ushtrime të sukseshme 'exit polls' për arsyen e thjeshtë se kemi krijuar një fushatë e cila ka qenë ndër të tjera dhe e fokusuar tek betejat kundër frikës se vota do të fotografohet, lexohet, se vota do të deformohet, nga presioni i pushtetit i cili ka qenë i vazhdueshëm. Mesa duket e kemi fituar betejën", tha kryetari socialist.

Sipas zotit Rama, përkrahësit e opozitës janë druajtur për të treguar votën e tyre për intervistuesit e sondazheve. Ja , sipas tij arsyet.

"Principi elementar i exit poll-it, nuk mund të na japë asgjë të saktë sot në këtë vend, sepse në kushtet në të cilat këto zgjedhje janë zhvilluar dhe pas këtij elementi që ka patur të bëjë në mënyrë të drejtpërdrejtë me trysninë e ushtruar në të gjithë territorin, njerëzit që kanë votuar për opozitën do të jenë detyrimisht më të paktë në shprehjen e votës së tyre përpara intervistuesve të sondazheve", tha udhëheqësi socialist.

Zoti Rama bëri thirrje për të pritur me qetësi rezultatin zyrtar të votimit.

"Ne do të presim vetëm vendimin e popullit shqiptar në procesin e numërimit dhe si pasojë e këtij numërimi", tha zoti Rama.

Në përpjekje për t’iu dhënë kurajo përkrahësve dhe simpatizantëve të opozitës socialiste, zoti Rama tha se PS-ja ka mjetet dhe aparatin e vet të monitorimit dhe matjes së rezultatit të votimeve.

"Ne kemi sigurisht të dhënat tona, kemi një qendër operatore të standarteve ndërkombëtare që është unike në Shqipëri, e cila punon jo sot, por prej 2 vitesh për këtë ditë dhe e cila na ka treguar shumë gjatë gjithë kësaj dite, por ne do të respektojmë domosdoshmërinë që ky proces të zhvillohet i qetë dhe që populli shqiptar të lexojë i pashqetësuar nga boritë e palëve, vendimin që sot ka marrë me dinjitetin e një populli europian" tha zoti Rama

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>