|
Elektorati grek për zgjedhjet evropiane | |||||||||||||||||||||||
27 parti, do të marrin pjesë në betejën elektorale për parlamentin europian, që do të zhvillohet edhe në Greqi, ditën e diel, më 7 qershor. Disa prej tyra u përkasin formacioneve kryesore që janë përherë të pranishme në jetën politike të vendit, por disa të tjera, si Partia e Gjuetarëve, dalin para publikut vetëm në raste zgjedhjesh si këto të tanishmet. Zgjedhjet për parlamentin europian në Greqi, vlerësohen nga opozita si një referendum kundër politikave të qeverisë aktuale. Por nga ana tjetër, elektorati shprehet i zhgënjyer nga forcat politike kryesore, çka mund të shkaktojë një pjesëmarrje më të ulët në votime se në zgjedhjet e vitit 2004, kur vetëm 63% e elektoratit kishte ushtruar të drejtën e votimit. Duel politik Edhe kësaj here, dueli më interesant është ai midis Demokracisë së Re në pushtet dhe PASOK-ut të opozitës, që insiston se zgjedhjet e 7 qershorit, kanë karakterin e një referendumi: Jorgos Papakonstandinu, që vlerësohet si ministri në hije i ekonomisë, kryeson listën e kandidatëve të PASOK-ut. “Kur dikush shkon të votojë, ai shikon votimin si një rast për të vlerësuar nëse vendi ecën mirë, apo shkon keq. Dhe këtë qytetari do ta shprehë në kutinë e votimit, pra është referendum për politikat e qeverisë. Sot ka një kthim të madh mbrapa, atëherë përse të vlerësohet pozitivisht zoti Karamanlis, qoftë tani në zgjedhjet europoiane, qoftë më vonë, në zgjedhjet kombëtare?, vëren kandidati socialist për eurodeputet. Ndërsa kryesuesja e listës së Demokracisë së Re, Marjeta Janaku, i vështron këto zgjedhje nga një këndvështrim tjetër: “Sa më shumë deputetë merr Demokracia e Re, kaq më tepër vend të mirë do të ketë brenda Partisë Popullore Europiane dhe kaq më shumë do t’u shërbejë interesave kombëtare, kur kjo të paraqitet e nevojshme, vlerëson zonja Janaku, një figurë shumë e njohur e Demokracisë së Re. Dy liderët kryesorë, kryeministri Karamanlis dhe shefi i opozitës, Jorgos Papandreu, e kanë shndërruar turin e tyre para elektoral në gjithë Greqinë, në një duel të vazhdueshëm akuzash e kundërakuzash. “Udhëheqja e PASOK-ut i është përveshur sistematikisht një tentative sterile nihilizmi, dezinformimi dhe shtrëmbërimi të realitetit", tha në mitingun e fundit kryeministri Kostas Karamanlis. “Ata janë mësuar me imunitetin, mosndëshkimin, mirëqenien që u ofron dorëlëshuar kryeministri i sotëm dhe qeveria e Demokracisë së re, u kundërpërgjigj Lideri i opozitës, Jorgos Papandreu. "Zhgënjim" Por njerëzit e thjeshtë, ata, që më 7 qershor do të duhet të vendosin me votën e tyre se cila parti do të dërgojë më shumë deputetë në parlamentin europian, shprehen përgjithësisht indiferentë deri dhe agresivë ndaj këtyre zgjedhjeve. “Të shkojnë të gjithë në djall. Sepse im bir merrte një pension invaliditeti dhe ia hoqën. Dhe po shoh shumnë të tjerë, me shëndet të plotë, që përfitojnë pensione dhe kompensime. As unë, as im bir, dhe disa të afërm të mi, nuk do të votojmë”, thotë një grua e moshuar që shet bileta llotarie në sheshin Omonia. “Nuk na intereson asgjë, janë të gjithë të ndyrë, pa asnjë përjashtim. Askush nuk është për popullin punonjës. Janë mbytur në skandale që të gjithë”, shfryn një mesoburrë, që pret urbanin nën hijen e një afisheje të madhe elektorale. “Do të votojmë, do të votojmë, por shko pyet dhe për pakistanezët, a do të votojnë dhe ata? Nxirruni librezë votimi të votojnë dhe ata”, thotë gjithë mllef një burrë, i ndikuar ndoshta nga ngjarjet e ditëve të fundit, me protesatat e emigrantëve myslimanë. “Për kë të votoj? A di njeri të që ia vlen të votosh? Atëherë përse më pyet mua. Me vështirësia ia dalim mbanë, na shtrydhën fare, nuk na lanë një dysh në shep. Ç’do të bëjnë për mua po t’i votoj. Kështu, që u jap munxët të të gjithëve e jam rehat me veten time”, thotë një shitës ambulant frutash, para karrocës së tij që duket se ka kohë pa iu afruar ndonjë blerës. “Për mua kryesisht nuk kanë ndonjë kuptim. Gjithë puna është se kush do të thotë gënjeshtrat më të bukura. Por gjithsesi do të kenë karakterin e një referendumi, dhe jo vetëm për qeverinë, por për sistemin dypartiak që tashmë duhet të vdesë. Dhe bojkoti do të jetë një mesazh i qartë”, thotë një student, i cili në këto zgjedhje voton për herë të parë. Greqia me 22 deputetë Pas ndryshimeve që solli në përbërjen e Parlamentit Europian, anëtarësimi në BE i Bullgarisë dhe i Rumanisë, Greqia kësaj here do të ketë më pak eurodeputetë, 22. Partitë e mëdha vështirësohen të përllogaritin pasojat që do të mund të ketë në përqindjet e secilës, pjesëmarrja, që parashikohet tepër e ulët, në këto votime që po zhvillohen në kulmin e krizës ekonomike. Pjesëmarrja në votimet për parlamentin europian, ka ardhur gjithmonë në rënie, pas zgjedhjeve të para që u zhvilluan në Greqi në vitin 1981, kur mori pjesë në votime rreth 82 % e elektoratit. Në zgjedhjet e fundit, në vitin 2004, pjesëmarrja shënoi rekordin negativ prej 63%. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||